Qershor 2024
Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"
I dashur pastor,
Ke dështuar dhe do të dështosh, mirëpo ti nuk je një dështak!
Përsosmëria është diçka e paarritshme, dhe dështimi diçka që nuk mund të shmanget. Në një aspekt të caktuar të jetës apo të shërbesës sonë, në një moment apo në një tjetër, ne do të dështojmë. Nuk do t’i arrijmë dot pritshmëritë e Perëndisë, pritshmëritë e të tjerëve, madje as edhe pritshmëritë tona. Nuk do t’ia dalim dot dhe do të përplasemi të paktën një herë, e me gjasë, shumë herë.
“Kam dështuar”
Ne mund të dështojmë nga ana morale, duke gjetur kënaqësi në epsh apo duke thënë një gënjeshtër. Mund të dështojmë në marrëdhëniet tona, duke lënë pas dore familjet apo duke mos u kuptuar me të tjerët. Ne mund të dështojmë në këshillim, duke u treguar tepër të ashpër apo tepër të butë, tepër naivë apo tepër cinikë. Mund të dështojmë në predikim, duke i ndërlikuar apo duke i thjeshtëzuar gjërat më tepër se ç’duhet. Ne mund të dështojmë në përkushtimin personal, duke e shkurtuar lutjen dhe studimin personal të Biblës, kur jemi të ngarkuar apo të dekurajuar. Mund të dështojmë në vendimet tona, duke i gjykuar gabimisht njerëzit apo situatat e caktuara. Ne mund të dështojmë në administrimin tonë, duke neglizhuar një takim apo duke harruar të telefonojmë dikë. Ne mund të dështojmë në ungjillëzim, duke humbur një mundësi apo duke e prishur një tjetër. Mund të dështojmë në financa, duke mos pasur mjaftueshëm të ardhura për të mbështetur familjet tona ose duke mos pasur mjaftueshëm fonde për të funksionuar si bashkësi.
Shërbesa pastorale është një fushë e minuar dështimesh, në të cilën shumica prej nesh shkel në momente të ndryshme të jetës. Prandaj, nuk është çudi që shumë pastorë shohin mbetjet e dështimeve pas tyre dhe dalin në përfundimin: Unë jam dështak.
“Unë jam një dështak”
Qoftë edhe thjesht një dështim i vetëm, mund të mjaftojë ndonjëherë për të na lënduar aq thellësisht, saqë identifikohemi si dështakë. Dështimi na përkufizon dhe na bën të verbër për çdo gjë tjetër rreth nesh.
Megjithatë, nëpërmjet ungjillit, Shpëtimtari ynë i mëshirshëm na thotë: “Po, ti ke dështuar, por nuk je dështak. Të kanë plasur shumë detonatorë dështimi, por ti nuk identifikohesh me këto. Krishti i përsosur është ai që u copëtua për t’i bërë të papërsosurit të denjë. Ai u identifikua me dështimet tona, që ne të mos identifikoheshim kurrë më me to. Shlyerja e Krishtit i mbulon dështimet tona prej syve të Perëndisë, saqë ai sheh në ne vetëm përsosmërinë e Krishtit. Mbi kryq, Jezusi u bë fund e krye dështim, që ne të bëheshim fund e krye të përsosur nëpërmjet ungjillit. Perëndia nuk i mohon dështimet tona, por refuzon të na quajë dështakë. Ai bie dakord me ne që kemi dështuar, por jo që ne jemi dështakë. Ai do që njerëzit e tij t’i pranojnë dështimet e tyre, por asnjëherë të mos e pranojnë identitetin e dështakut. Dështimi nuk duhet kurrë të na karakterizojë, por të na mësojë.
Ndaj, le t’i çojmë të gjitha dështimet tona te Zoti ynë ngadhënjimtar, për të marrë faljen e tij të plotë e falas (1 e Gjonit 1:9). Le të çojmë ungjillëzimin e dështuar, predikimet e dështuara, vizitat e dështuara pastorale dhe këshillimin e dështuar te Zoti, dhe t’ia hapim zemrat tona atij:
Zot, ngatërrova një tjetër predikim… kam harruar të vizitoj atë shpirt nevojtar… pata frikë t’i flas fqinjit për ty… kam paragjykuar sjelljen e pleqve të kishës sonë… kam fyer pa qenë nevoja atë familje që u largua… isha i pandjeshëm në këshillim… po paguaj për prishjen e konfidencës…
Madje edhe:
Kam dështuar duke e matur suksesin me metrin matës të botës.
Mirëpo, teksa i rrëfejmë dështimet tona, ne përjetojmë dashurinë e pandryshueshme të Zotit dhe faljen e tij të përjetshme (Fjalët e Urta 28:13). Më pas ripërtërihemi më të përulur e më të dobët, por më me urtësi dhe më të lumtur gjithashtu. Në dritën e kryqit, ne kuptojmë se sa e drejtë është t’i pranojmë dështimet tona, por edhe sa gabim është të identifikohemi me dështimin. Dhe në atë dritë, ne gradualisht shohim se si Perëndia mund të transformojë edhe dështimet tona më të shëmtuara, në diçka të dobishme dhe madje edhe të bukur.
“Unë jam një nxënës dështak”
Megjithëse dështimet tona mund të jenë jashtë mase të dhimbshme, mund të mësojmë shumë prej tyre, veçanërisht nëse, në radhë të parë, faji ynë është hequr prej kryqit. Pasi e heshtim ndërgjegjen tonë akuzuese, ne mund t’i shohim më nga afër dështimet tona me synimin për të mësuar prej tyre. Nxënësit e dështimit ndryshohen në ngjashmëri me mësuesin e tyre të përkryer, Jezu Krishtit.
Shërbesa ime e krishterë u karakterizua nga mësimi prej dështimeve, duke marrë më të mirën prej tyre. Një herë, një pastor më tha: “Dhjetë vitet e para të shërbesës, për ty janë veçse thyerje dhe zbathje”. Unë e paskam pasur në nivel tjetër, sepse m’u deshën vetëm pesë vite për t’u thyer, për t’u zbathur dhe për t’u etiketuar si dështim! Këto ishin ditë shumë të errëta. Megjithatë e di se ato dhjetë muaj në shkollën e dështimit më dhanë diplomën time më të çmuar — një master në dështimin në mënyrën e duhur. Fatkeqësisht, ende i harroj gjërat që kam mësuar dhe i kthehem asaj shkolle famëkeqe për kurse rifreskuese. Më lejo të të ofroj disa nga mësimet që Perëndia më mësoi në klasat e mia që nuk mbarojnë.
Dështimi më ka mësuar përulësinë. Shumica e dështimeve të mia kanë qenë si pasojë e vetëbesimit të tepruar. Po i besoja shumë vetes dhe pak Perëndisë. Dështimi më përuli dhe më mësoi ta kem të gjithë besimin te Perëndia (2 e Korintasve 3:4-5).
Dështimi më ka mësuar të lutem. “Suksesi” ka prirjen ta bëjë lutjen të mpakët dhe të cekët, kurse dështimi ka prirjen ta zgjerojë dhe thellojë atë.
Dështimi më ka mësuar dhembshurinë. Po të mos kisha dështuar në rolin tim si prind, në predikim, në mësim, në vendimet financiare etj., nuk do të kisha durim, dhembshuri apo ndihmë për të tjerët që kanë dështuar (1 e Korintasve 10:12).
Dështimi më ka mësuar atë për të cilën jam thirrur (dhe nuk jam thirrur) të bëj. Dështimet më bënë të kuptoja se nuk kam thjesht dhunti për disa gjëra që do të doja shumë t’i bëja, por që duhet të përqendrohem në gjërat për të cilat Perëndia më ka pajisur.
Teksa rrëfejmë dështimet tona, ne përjetojmë dashurinë e pandryshueshme të Zotit dhe faljen e Tij të përjetshme.
Dështimi më ka mësuar të admiroj dhuntitë e të tjerëve. Kur shoh njerëz të kenë sukses në fushat ku unë kam dështuar (veçanërisht në aftësitë praktike si lyerja, hidrauliket, drugdhendja, mekanika etj.), nuk mund të mos i admiroj. Përpjekja dhe dështimi im në këto fusha më kanë bërë të jem mirënjohës për ata që ia dalin pa u munduar fare.
Dështimi më ka mësuar t’ia atribuoj sukseset Perëndisë. Kur gjërat shkojnë mirë, e pranoj që vetëm Perëndia më ka mundësuar, më ka ndihmuar dhe më ka bekuar, gjë që nxit më shumë falënderim dhe përulësi (1 e Korintasve 15:10).
Dështimi më ka mësuar ta mat suksesin me metrin matës të Perëndisë. Në vend që të fokusohem në matësit e kësaj bote të numrave dhe financave, unë kam mësuar të përdor matësit e Perëndisë, të jetës së shenjtë dhe besnikërisë në gjëra të vogla (Mateu 25:23).
Dështimi më ka mësuar për mbrojtjen e Perëndisë. Përulësia dhe varësia kundrejt Perëndisë, që kam përftuar nga dështimi, më kanë parandaluar dështime shumë më të rënda në të ardhmen (2 e Korintasve 12:7).
Dështimi më ka mësuar se sa i rëndësishëm është gjumi. Shumë nga dështimet e mia kanë qenë si pasojë e të qenët tepër i lodhur apo tepër i ngarkuar. Nëse jetoj me hapa më të mirë dhe pushoj më mirë, kam prirjen të marr vendime më të mira afatshkurtra dhe afatgjata.
Dështimi më ka mësuar të adhuroj Krishtin. Kur mendoj se sa dështime të vogla kam pasur brenda një jave dhe se sa dështime të mëdha brenda një dekade, mahnitem kur mendoj që Jezusi kaloi tridhjetë e tre vjet mbi tokë dhe nuk dështoi kurrë! (Luka 23:4; Hebrenjve 7:26)
Dështimi më ka mësuar të dëshiroj qiellin. Dështimi na bën të shohim drejt qiellit, drejt vendit ku nuk do të njihen më kurrë dështimet. A do t’i kujtojmë dështimet tona atje? Ndoshta, por pa asnjë dhimbje, thjesht si të mbuluara nga falja e Krishtit dhe thjesht për të ngritur volumin e lavdërimit tonë.
Në qiell do të shohim dështimet tona nga një perspektivë krejt e re, jo thjesht dështimet morale e frymërore, por edhe zhgënjimet në marrëdhënie apo në profesion. Do të shohim provaninë plot urtësi të Perëndisë, që lejoi atë prishje të marrëdhënies, atë katastrofë të intervistës, atë heqje nga puna, atë ngelje në provim.
A do të përjetojmë dështime atje? Jo, kurrë. Ne nuk do të dështojmë, e as ndonjë njeri tjetër. Lotët e zhgënjimit do të kenë rrjedhur me kohë nga sytë tanë (Zbulesa 21:4). Qielli do të jetë një histori e madhe dhe e gjatë suksesi: suksesi moral, frymëror, intelektual, fizik, marrëdhënior, profesional dhe shumë suksese të tjera që këtu as që mund t’i ëndërrojmë.
Dështimet tona të tanishme na bëjnë të dëshirojmë qiellin në të ardhmen, shpejtimin e ditës kur dhimbja e dështimit dhe tortura e zhgënjimit do të ketë shkuar me kohë dhe nuk do të njohim gjë tjetër veç suksesit që lavdëron Perëndinë.
Miku yt,
Davidi.
Prof. Dr. David Murray (“Vrije Universiteit Amsterdam”) ka barituar katër kisha në Skoci dhe në SHBA. Ai është githashtu një këshillues, folës i rregullt në konferenca dhe autor i disa librave, duke përfshirë këtu Reset dhe Exploring the Bible. Davidi ka dhënë mësim mbi Dhiatën e Vjetër, këshillimin dhe teologjinë pastorale në seminare të ndryshme.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-no-you-are-not-a-failure/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2024