dear pastor home is where most loved needed (1)

Korrik 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"  

I dashur pastor,

Dua të të pohoj diçka që tashmë e beson, por mund të hezitosh për ta pranuar. Ti nuk je i vetëm në shërbesë. Perëndia të ka dhënë një shoqe që të do, një bashkudhëtare që të mbështet në thirrjen për t’i shërbyer Krishtit, një grua që i ka premtuar Perëndisë se do të qëndrojë me ty deri në vdekje, pavarësisht gjithçkaje.

Familja jote është ajo që të do më shumë

Bashkëshortja jote të njeh më mirë se kushdo tjetër. Nga të gjithë burrat e brezit të saj, ajo të tha ty “Po”! Ajo të do dhe të admiron thellësisht, dhe dëshiron të shohë Zotin duke përmbushur qëllimin e tij të shenjtë për ty (Psalmet 57:2; 138:8). Ajo është aleatja jote më e besuar, mikja jote më besnike, thesari yt më i çmuar në të gjithë botën. “Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo…” (Fjalët e Urta 31:11a). Dr. Bruce Waltke-i vë në dukje se ky është i vetmi rast në Dhiatën e Vjetër ku një qenie njerëzore përgëzohet për besimin në një qenie tjetër njerëzore1. Kur mbështetesh në dashurinë e saj e i beson vërejtjes së saj, nuk dyshon në besnikërinë e saj, Perëndia të përgëzon!

Po të shkon mirë shërbesa? Falënderoje bashkëshorten për mbështetjen unike që të jep — për punën e saj të vazhdueshme në shtëpi, si dhe për praninë nxitëse në kishë. Vetëm ajo e kupton se sa shumë punon ti, duke të lënë të shkosh në thirrjen tënde gjashtë ditë të javës, si dhe shumë ditë të tjera, ndërkohë që burrat e tjerë janë me familjet e tyre.

Nuk po të shkon mirë shërbesa? Falënderoje atë që rri me ty, kur të tjerët të braktisin. Ajo e sheh ankthin në sytë e tu dhe i dëgjon psherëtimat e tua të rënda, dhe vuan bashkë me ty. Arsyeja përse ka ndjenja kaq të thella për ty është kjo: Perëndia e ka bërë atë bashkudhëtaren tënde më të afërt (Zanafilla 2:18). Ajo të do më shumë sesa mund ta shprehë. Dalloje favorin unik që Perëndia vetë të jep nëpërmjet gruas sate (Fjalët e Urta 18:22; 19:44). Hapi sytë te mrekullia e një mikeje që mund t’i besosh dhe që kurrë nuk do të të tradhtojë.

Ka mundësi që tanimë shërbesa dhe martesa jote janë në një pikë që nuk përputhet me realitetet ngushëlluese të përshkruara këtu. Përkrahja e bashkëshortes sate mund të të pengojë më shumë sesa të ndihmon, të kundërvihet më shumë sesa të përmirëson. Ndaj ti ngurron të mbështetesh tek ajo, ta kesh shoqe, t’i besosh për shkak të përgjigjeve të saj të mëparshme. Ndonjëherë kur ti i shprehesh asaj, ajo zë karrigen e “kryetares së komitetit” dhe, sado që të do, sërish nis të të këshillojë në mënyra dekurajuese. E më pas gjendesh përballë zgjedhjes së të mos qenët dakord me të dhe të shpjegimit e të mbrojtjes së vetes, ose të tërheqjes pa thënë asnjë fjalë. Të dyja pasojat e gërvishtin lidhjen e ngrohtë dhe të kënaqshme që të dy ju dëshironi të ndërtoni në jetën tuaj së bashku.

Arsyeja përse e përshkruaj këtë skenë kaq saktë, është sepse e kam luajtur vetë si protagoniste! Për shumë vite mendoja se detyra ime bashkëshortore ishte ta këshilloja dhe ta korrigjoja Rein (Ray Ortlund) në të gjitha mënyrat që unë mendoja (ose mënyra që të tjerët flisnin me mua) se do ta përmirësonin atë. Vuaja nga “ethet e riparimit të burrit”, dhe këto më zinin keq mbrëmjeve të së dielave, ndonjëherë deri në pushimin e të hënave gjithashtu. Mirëpo rrallëherë patën ndonjë pasojë të shëndetshme për martesën apo shërbesën tonë — për të mos thënë asnjëherë.

I dashur pastor, gruaja jote nuk u martua me ty për të të riparuar! U martua me ty sepse të do më shumë sesa mund ta shprehë.

Ndërsa rriteshim së bashku, Rei pati mençurinë të më qasej butësisht duke më folur “me urtësi” (1 e Pjetrit 3:7), duke më ndihmuar të shihja që qëndrimi im po e pengonte bashkimin tonë. Mbaj mend që një mbrëmje më pyeti: “Po funksionon kjo për ty? Për mua nuk po funksionon, dhe unë dua që martesa jonë të jetë një marrëdhënie me fitim për të dy ne, që secili të ndihet i dëgjuar, i kuptuar dhe i respektuar”. Isha e përqendruar sy e veshë tek ai. “A mund të të them se çfarë funksionon për mua?”, më pyeti me butësi e pastaj shtoi: “Dhe më pas ti më thuaj se çfarë funksionon për ty, dhe të dy mund të rritemi në kujdesin për njëri-tjetrin”. Më pas Rei më shpjegoi me dashuri dhe me qartësi se çfarë nuk funksiononte për të kur përpiqesha ta riparoja. Ai më ndihmoi të kuptoja më plotësisht kur shtoi: “Unë ndihem i përkrahur prej teje kur ti… Ndihem i pranuar prej teje kur ti…”. Pasi mu desh kohë për ta përthithur atë që ai më tha, ai më kërkoi t’i tregoja se çfarë më bënte mua të ndihesha e përkrahur dhe e pranuar prej tij. Dhe më dëgjoi me vëmendje, pa u mbrojtur me kundërpërgjigje.

Këtu u mor një kthesë në drejtimin tim. Unë isha në gjendje të shihja përmes syve të tij dhe të ndihesha e parë dhe e dëgjuar prej tij. Tani, kur duhet të sqarojmë diçka, ne pyesim: “Si mund ta bëjmë që kjo të jetë me fitim për ne të dy? Çfarë do të funksiononte për ty?”

I dashur pastor, gruaja jote nuk u martua me ty për të të riparuar! U martua me ty sepse të do më shumë nga sa mund ta shprehë. Ajo do që shtëpia juaj të jetë një strehë për ju, një vendpushim nga të gjitha barrët që mbartni në shërbesën tuaj. Trajnoheni atë me butësi për bekimin tuaj të përbashkët.

Familja jote ka më shumë nevojë për ty

Mbase po mendon nëse ia kam idenë se sa shumë njerëz kanë nevojë për ty. Më beso, pas më shumë se pesëdhjetë vjetësh në një martesë shërbese, të kuptoj. I marr parasysh nevojat e pafundme të tufës sate që vetëm shtohen, presionet e vërteta të familjes së kishës sate, pasigurinë që has ndonjëherë në punë. Ato nevoja janë të vërteta dhe të zhurmshme! Dhe ti ke bërë një betim të shenjtë për t’i përmbushur ato me hirin e Perëndisë dhe për lavdinë e tij. Ti e konsideron shërbesën një privilegj të lavdishëm për t’u ruajtur dhe për t’u përmbushur.

Mirëpo ka një realitet më të thellë në jetën tënde nën Krishtin. Në të vërtetë ti bariton dy familje — familjen e kishës sate dhe vetë familjen tënde. Familja jote në shtëpi nuk duhet të ketë dyshim që janë anëtarët më të dashur të kishës për ty! Ti po e rrit familjen në një situatë tejet publike, që fëmijët e tu nuk e kërkuan kurrë. Ata kanë nevojë për ty! Ata duan — dhe meritojnë — mbrojtjen tënde, lavdërimin tënd dhe praninë tënde.

Mbroji fëmijët e tu nga kritikët dhe krahasuesit e kishës. Sigurohu që fëmijët e tu e dinë se nuk kanë përse të shqetësohen se çfarë mund të thonë për ta njerëzit në kishë, sepse ti nuk shqetësohesh! Tregoju se nuk çuditesh që janë mëkatarë, si çdo njeri tjetër mbi tokë. Nuk ka asgjë që s’shkon me faktin që fëmijët e tu nuk janë perfektë. Ke rastin t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd duke u përballur me realitetet e prindërve mëkatarë që rrisin fëmijë mëkatarë në këtë botë të rënë.

Gjej raste të mirëqena për t’i lavdëruar fëmijët e tu, veçanërisht në prani të të tjerëve. Këto lëvdata do të jenë edhe një formë mbrojtjeje nga komentet jo-ndihmuese të të tjerëve në kishë për fëmijët e tu. Miratoje të mirën që dallon tek ata. Nënvizoni gjënë e dashur, atë të vërtetë dhe të guximshmen te ta. Siguroji fëmijët që dëshira jote më e madhe dhe lutja më e sinqertë për ta është që të ecin me Krishtin gjithë jetën e tyre.

Mbi të gjitha, ata kanë nevojë për praninë tënde. A mund t’i mbrosh apo t’i lavdërosh ata nga larg? Rei e tregonte me vepra që donte të ishte pranë tyre, me ta, vërtet prezent në jetën fëminore të tyre. Ose i merrte të pastronin dyshemenë e stallave të kuajve të Krista-s, si ndihmë për leksionet e saj, ose i ndryshonte planet për të qenë në lojërat sportive të fëmijëve, sido që të jetë, ishte aty. Dhe punonte fort për të qenë aty kur hanim darkë, duke na drejtuar në biseda të shëndetshme, duke na ndihmuar për sjellje të duhura dhe duke na drejtuar në leximin e Biblës dhe në lutje. Fëmijët e dinin që kishin përparësi në jetën e Reit, sepse ai vinte nevojat e tyre përpara nevojave të shërbesës. Ai ishte mburoja e sigurisë në familjen tonë.

Fëmijët tanë patën privilegjin të shihnin nga afër një njeri që e ndiqte Krishtin me një zemër të sinqertë dhe të hapur, njeri që rrezatonte gëzim dhe kënaqësi në njohjen e tij. Ata e dinin që ai e konsideronte shërbesën një privilegj të shenjtë prej Perëndisë. Kur kohët vështirësoheshin, ai e tregonte me vepra besimin e tij, që sfida jonë aktuale nuk është realitet i përhershëm. Ai i tregoi familjes sonë që kemi shansin t’i shërbejmë një Perëndie që sheh, që di dhe kujdeset, dhe që premton të mos e anashkalojë veprën tonë në shërbim të shenjtorëve (Hebrenjve 6:10).

I dashur pastor, familja jote është vendi ku të duan më shumë dhe kanë më shumë nevojë për ty. Shijoje dashurinë e tyre dhe përqafo nevojat e tyre për lavdinë e Krishtit, dhe për gëzimin e përjetshëm të të gjithë familjes.


Shënime:

Waltke, Bruce K., The Book of Proverbs Chapters 15-31, Wm. B. Eerdmans, fq. 521
Jani Ortlund ka shkruar librin “Help! I’m Married to My Pastor: Encouragement for Ministry Wives and Those Who Love Them”.


Jani Ortlund është shkrimtare dhe folëse e mirënjohur konferencash. Ajo është bashkëshorte e Raymond Ortlund të Riut, shkrimtar, ish profesor seminari dhe pastor, si dhe president i fondacionit “Renewal Ministries”. Jani, ish mësuese, ka master në arsim dhe është drejtore ekzekutive e “Renewal Ministries” (ortlund.net). Familja Ortlund ka katër fëmijë dhe pesëmbëdhjetë nipërinj dhe mbesa.

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-home-is-where-you-are-most-loved-and-most-needed/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin