pexels roman odintsov 4552990

Korrik 2024


Ungjillëzimi i lumtur nënkupton të krishterë të lumtur

Është e mundur që disa të krishterë mjeranë të ungjillëzojnë dhe, sado të saktë ta kenë doktrinën, apo të mirë-organizuar të jenë, ungjillëzimi i tyre do të reflektojë zbrazëtinë që kanë në zemër. Të krishterët që nuk gjejnë kënaqësi në Perëndinë, as nuk munden, e as nuk do t’ua rekomandojnë atë të tjerëve me gjithë zemër. Nëse druajmë që Perëndia heziton të na japë dashurinë e tij, apo që aprovimi i tij varet nga sukseset tona, ne nuk do të mund të shfaqim ndonjë pasion për të. Shërbesa jonë do të jetë me pahir dhe, me gjasa, bota do ta kuptojë këtë. Në zemër të një krishterimi të lumtur qëndron njohja e drejtë e Perëndisë. Kjo do të thotë se çdo mendim i yni duhet të fillojë me Jezu Krishtin.

Dil në dritë

Jezusi tha: “Çdo gjë m’u dha në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë” (Mateu 11:27). E vërteta e Perëndisë qëndron e fshehur natyrshëm nga bota, pikërisht në marrëdhënien e ngushtë midis Atit dhe Birit. Asnjëri prej nesh nuk mund ta hamendësojë këtë të vërtetë. Këtë njohuri mund të na e shfaqë vetëm Biri, ai që e njeh Atin. Mundësinë për ta njohur Perëndinë e gjallë dhe për të gjetur prehje tek ai, e ka kushdo, por rruga e vetme është duke ardhur te Jezusi.

Gjoni e cilëson Jezusin si “drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri kur vjen në botë” (Gjoni 1:9). Këtu hasim një nga temat më të shpeshta në Bibël: atë që Biri na ndriçon ne. Pali thotë të njëjtën gjë te 2 e Korintasve 4, kur ai flet për dritën “e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë” (2 e Korintasve 4:4). Në të vërtetë, ai shkruan kështu: “sepse Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që ndriti në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 e Korintasve 4:6).

Herë pas here, Bibla e bën të qartë që njerëzimi mëkatar lëngon në një errësirë padijeje, por se është detyra e Jezusit të jetë dritë në dhomat e errëta të mendjes dhe të zemrës sonë, dhe në këtë mënyrë, të na shfaqë Atin.

Burim dhe rreze

Përderisa Jezusi është vetë Perëndi – Biri i përjetshëm i Atit – ai është Perëndia me ne. Ai nuk është si një lektor i specializuar, a një komentues i hollësishëm, prej të cilit mund të mësojmë, por vetë Perëndia i personifikuar, i cili na është zbuluar në mënyrë që ne ta njohim atë.

Autori i Letrës së Hebrenjve e përshkruan Jezusin si “vula”, ose përfaqësimi i imazhit të përsosur të Perëndisë për ne, dhe gjithashtu “...shkëlqimi i lavdisë së tij…” (Hebrenjve 1:3). Të flasësh për Jezusin si “shkëlqimi” i lavdisë së Perëndisë nuk do të thotë se Jezusi është një dritë e drejtuar mbi ndonjë subjekt tjetër, ashtu siç drejtohet elektriku i dorës për të gjetur këpucët kur ikin dritat. Shkëlqimi, si ai i diellit dhe i rrezeve të tij, na flet për diçka — apo për dikë — i cili shkëlqen prej vetvetes dhe na jep dritë. Me fjalë të tjera, nuk po themi se Perëndia është diku në errësirë dhe na duhet të përdorim Jezusin për ta kërkuar. Përkundrazi, Perëndia vetë është burimi i kësaj drite që vjen te ne në Krishtin. E thënë ndryshe, drita që na shndrit në Jezusin është drita e Atit. Ati dhe Biri janë një qenie, një Perëndi. Jeta e përjetshme e Perëndisë është që Ati lind nga përjetësia Birin e tij në Frymën e Shenjtë. Ajo që na zbulohet në Jezusin nuk është ndonjë pjesë periferike e qenies së Perëndisë. Jo! Ati, e shndrit Birin e tij si dielli në qiell dhe, përmes rrezeve të tij, na komunikon vetveten. Shkëlqimi i Jezusit nuk na mëson vetëm diçka rreth Perëndisë, por përmes shkëlqimit të tij, ne marrim vetë Perëndinë.

Jezusi, lavdia e Perëndisë

Jezusi është lavdia e Perëndisë: shkëlqimi i vërtetë rrezatues i qenies së tij. Biblikisht, lavdia ka të bëjë me “brumin”, ose me “bollëkun” e diçkaje — praninë e saj të pastër dhe të padiskutueshme, veçanërisht kur shfaqet në një madhështi me shkëlqim vezullues. Që Jezu Krishti të jetë “shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë” do të thotë që ai është brumi ose esenca e Perëndisë, e vulosur mbi ne, që na rrezaton, që na është dhënë.

Kur Gjoni, bashkë me Pjetrin e Jakobin, shkuan lart në mal dhe panë shpërfytyrimin e Jezusit (Mateu 17:1-5), përveç asaj drite vezulluese, ajo që jehon më shumë është deklarata aprovuese e Atit për Birin e tij. Asgjë e askush tjetër nuk mund ta zbulojë, nuk mund ta shpalosë dhe kënaqë më plotësisht Perëndinë Atë. Vetë qenia e Perëndisë reflektohet mbi ne në Jezusin. Ai na zbulon një Perëndi i cili është dorështrirë, i disponueshëm dhe vetësakrifikues. Ai dëshiron që ne ta njohim, që të qëndrojë me ne, madje të zotërohet prej nesh dhe, kështu, të mund ta quajmë atë Perëndia ynë (Jeremia 31:33).

Forca shtytëse e ungjillëzimit

Nëse dikush do të pyeste: “Kujt i ngjan Perëndia?”, përgjigjja duhet të jetë: “Jezu Krishtit”. Kjo është pikërisht zemra e ungjillëzimit. Lavdia e Perëndisë, siç dallohet në Birin e tij — është arsyeja dhe forcës shtytëse të ungjillëzimit. Cilido qoftë kuptimi i ungjillëzimit, ai ka të bëjë me faktin që ne shkojmë në botë për ta bërë Perëndinë të njohur, dhe kjo ndodh ndërkohë që ne rrëmbehemi në vetë dallgën e bekimit që rrjedh nga zemra e Atit te Biri i tij.

Ata që rreziten nën diellin e një Perëndie të tillë, kaq të dashur dhe bujar, janë të krishterët dhe misionarët më të lumtur. Kur shohim në Jezusin se kush është me të vërtetë Perëndia ynë, nxitemi të shndrisim porsi ai. Vetëm atëherë, ne mund të ndajmë dëshirën e zjarrtë të zemrës së tij që dashuria, mirësia dhe drejtësia e tij mund ta bekojë të gjithë botën.

Megjithatë, akoma nuk kemi shteruar gjithçka që mund të thuhet për lavdinë e Perëndisë. Akoma nuk kemi thënë gjithçka mund të thuhet për Jezusin. Ekziston akoma një rrezatim i çuditshëm për të zbuluar, një rrezatim akoma më vezullues: vdekja e tij për ne.

Nga Daniel Hames


Kjo përmbledhje u përshtat nga libri “What Fuels the Mission of the Church?” të Daniel Hames-it dhe Michael Reeves-it. Ky artikull u botua për herë të parë në anglisht në faqen Crossway.org

Përdorur me lejen e autorëve.

Daniel Hames është ndihmës drejtor në seminarin “Union” dhe lektor i teologjisë historike dhe sistematike. Ai është bashkautor i librave “How the Nature of God Shapes and Drives the Mission of the Church” dhe “What Fuels the Mission of the Church”.


Përkthyer me leje: https://www.unionpublishing.org/resource/the-one-way-to-enjoy-evangelism/
Përktheu: Redin Manasterliu | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

EtiketaUnion

Postime të ngjashme

Zëri i kujt ka më shumë rëndësi?
Vendi më i çmuar në botë