name gravity adus32i0jc unsplash

Qershor 2022


Pyetje: Cili është kuptimi i jetës?

Përgjigje:
Cili është kuptimi i jetës? Si mund të gjej një kuptim, përmbushje dhe kënaqësi në jetë? Si mund të arrihet diçka me rëndësi të qëndrueshme? Shumë njerëz nuk janë ndalur ndonjëherë për të menduar se cili është kuptimi i jetës. Ata kthejnë sytë pas ndër vite dhe vrasin mendjen se pse janë prishur marrëdhëniet e tyre dhe pse ndihen aq bosh, ose pse mund të kenë arritur atë që i kanë vënë qëllim vetes. Një lojtar bejsbolli, i cili arriti të bëhej shumë i famshëm, kur e pyetën se çfarë do të kishte dashur që dikush t’i thoshte kur filloi të luante bejsboll, u përgjigj: “Do të kisha dëshirë që dikush të më kishte thënë se kur arrin në majë, nuk ka asgjë aty.” Shumë qëllime na duken të kota, vetëm pasi kanë kaluar vite të shkuara dëm për realizimin e tyre.

Në kulturën tonë humaniste, njerëzit e humbin lehtësisht kuptimin e jetës. Ata vrapojnë për të realizuar shumë qëllime, duke menduar se në fund do të arrijnë të gjejnë një kuptim. Disa nga këto qëllime janë: biznesi, suksesi, pasuria, marrëdhëniet e mira, seksi, argëtimi, të bërit mirë etj. Njerëz të ndryshëm kanë dëshmuar se ndërsa i kanë realizuar qëllimet e tyre për pasuri, marrëdhënie dhe qejf, ata përsëri janë ndier bosh.

Autori i librit të Predikuesit në Bibël e nxjerr në pah këtë ndjenjë kur thotë: “Pa kuptim! Pa kuptim!...Përfundimisht pa kuptim! Gjithçka është pa kuptim.” Ky autor kishte një pasuri të pamasë, urtësi përtej asaj të një njeriu në kohën e tij ose në kohën tonë, me qindra gra, pallate dhe kopshte që kanë qenë zilia e çdo mbretërie, ushqimin dhe verën më të mirë, të gjitha format e argëtimit që mund të ekzistonin. Dhe në një pike, ai tha se gjithçka që zemra e tij dëshironte, ai e kishte realizuar, por përsëri doli në përfundimin se “jeta nën diell” (një jetë e jetuar në mënyrë të tillë sikur gjithçka të ketë të bëjë me atë që shohin sytë tanë dhe që përjetojmë me shqisat tona) është pa kuptim. Pse ka një boshllëk kaq të madh? Sepse Perëndia na ka krijuar përtej asaj që mund të përjetojmë këtu dhe tani. Solomoni tha në lidhje me Perëndinë: “Ai madje ka vendosur edhe përjetësinë në zemrat e njerëzve”. Në zemrat tona, ne jemi të vetëdijshëm se “këtu dhe tani” nuk janë e gjitha.

Te Zanafilla, libri i parë i Biblës, ne zbulojmë se Perëndia e krijoi njeriun sipas imazhit të Tij (Zanafilla 1:26). Kjo do të thotë se ne i ngjasojmë më shumë Perëndisë se sa ndonjë diçkaje tjetër (ndonjë forme tjetër jete).

Ne gjithashtu zbulojmë se përpara rënies së njeriut në mëkat dhe përpara ardhjes së mallkimit në tokë, gjërat e mëposhtme ishin të vërteta:

(1) Perëndia e bëri njeriun një krijesë sociale (Zanafilla 2:18-25);
(2) Perëndia i dha njeriut punë (Zanafilla 2:15);
(3) Perëndia kishte miqësi me njeriun (Zanafilla 3:8); dhe
(4) Perëndia i dha njeriut të drejtën të sundojë tokën (Zanafilla 1:26).

Çfarë kuptimi kanë të gjitha këto? Unë besoj se Perëndia synonte që secila prej këtyre gjërave të mund t’i shtohej plotësisë sonë në jetë, por të gjitha këto (në mënyrë të veçantë, miqësia e njeriut me Perëndinë) u ndikuan keqas nga rënia e njeriut në mëkat, që solli si rezultat mallkimin në tokë (Zanafilla 3).

Te Zbulesa, libri i fundit i Biblës, në fund të çdo ngjarje që ka të bëjë me fundin e kohërave, Perëndia zbulon se do të shkatërrojë tokën dhe qiejt e tanishëm, ndërsa ne do të na çojë në një gjendje përjetësie duke krijuar një qiell të ri dhe një tokë të re. Në atë pikë, Ai do të restaurojë miqësinë e plotë me njerëzimin e shpëtuar. Një pjesë e njerëzimit do të gjykohet si e padenjë dhe do të hidhet në Liqenin e Zjarrtë (Zbulesa 20:11-15). Mallkimi i mëkatit do të jetë zhdukur; mëkati nuk do të ekzistojë më, as dhimbja, as sëmundja apo vdekja (Zbulesa 21:4). Besimtarët do të trashëgojnë të gjitha gjërat; Zoti do të banojë me ta dhe ata do të jenë bijtë e Tij (Zbulesa 21:7). Kështu, vijmë te rrethi i plotë: Perëndia na krijoi të kemi miqësi me Të; njeriu mëkatoi duke e prishur atë miqësi; Perëndia e restauroi plotësisht atë miqësi në përjetësi me ata që Ai i ka bërë të denjë. Tani, të jetosh për të arritur gjithçka në jetë dhe të vdesësh i ndarë nga Perëndia deri në përjetësi, do të ishte gjëja më e keqe dhe më e kotë. Ndaj, Perëndia ka siguruar një rrugë, jo vetëm për lumturinë e përjetshme (Luka 23:43), por edhe për ta bërë këtë jetë më kuptimplotë dhe të kënaqshme. Si mundësohet kjo lumturi e përjetshme dhe “qielli në tokë”?


Restaurimi i kuptimit të jetës nëpërmjet Jezu Krishtit

Siç është bërë e qartë edhe më lart, kuptimi i vërtetë tani dhe në përjetësi, gjendet vetëm nëpërmjet ripërtëritjes së marrëdhënies sonë me Perëndinë, që humbi me rënien e Adamit dhe të Evës në mëkat. Sot, kjo marrëdhënie me Perëndinë është e mundur vetëm nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit (Veprat 4:12; Gjoni 14:6; Gjoni 1:12). Jeta e Përjetshme fitohet atëherë kur dikush pendohet për mëkatet e tij/saj (nuk dëshiron më të ecë në mëkat, por dëshiron që Krishti ta ndryshojë atë dhe ta bëjë një person të ri) dhe fillon të mbështetet te Jezu Krishti si Shpëtimtar (për më tepër informacion mbi këtë çështje të rëndësishme, shiko pyetjen “Cili është plani i shpëtimit?” ).

Zoti dëshiron që ne ta dimë kuptimin e jetës. Jezusi tha: “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur dhe për të vrarë e për të shkatërruar; unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.” (Gjoni 10:10). Një jetë “e plotë” është një jetë me kuptim dhe pa endje kuturu.

Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e butë dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28-30).

“...unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10b).

...Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, dhe të marrë kryqin e vet, dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë (Mateu 16:24, 25).

Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate” (Psalmet 37:4).

Ajo që këto vargje nënkuptojnë është se ne nuk kemi zgjedhje tjetër. Ne mund të vazhdojmë ta drejtojmë vetë jetën tonë (dhe rezultati do të jetë një jetë boshe) ose mund të zgjedhim të ndjekim me gjithë zemër Perëndinë dhe vullnetin e Tij për jetën tonë (dhe rezultati do te jetë një jetë e plotë). Kjo ndodh sepse Krijuesi ynë na do dhe dëshiron më të mirën për ne (dhe jo domosdoshmërisht jetën më të lehtë që mund të ekzistojë, por atë më të plotën).



Botuar me leje:   https://www.gotquestions.org/meaning-of-life.html  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaGot Questions

Postime të ngjashme

Cilat janë atributet e Perëndisë
A jam i shpëtuar vetëm me anë të besimit apo me anë të besimit dhe të veprave?