Prill 2024
Moisiu pati një takim të shkurtër me Të Shenjtin, dhe sa më shumë i afrohej aq më tepër frikësohej. Ai e dëgjoi zërin e Perëndisë që po e dërgonte në mision dhe frika iu shndërrua në dyshim. “Kush jam unë që ta realizoj këtë mision?” Kësaj pyetjeje, Perëndia iu përgjigj: “Unë do të jem me ty…” (Eksodi 3:12). Ai nuk iu përgjigj pyetjes së Moisiut se kush ishte Moisiu; por në fakt thjesht i tha: “Mos u shqetëso për faktin se kush je ti, sepse Unë do të jem me ty”.
“‘Kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t’i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal’. Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: ‘Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: ‘Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju’, po të jetë se ata më thonë: ‘Cili është emri i tij’?, ç’përgjigje duhet t’u jap?’” (Eksodi 3:12-13). Kështu mbërrijmë te thelbi i çështjes. Moisiu nuk pyet më: “Kush jam unë?”, por tashmë pyetja e tij është bërë: “Kush je ti? Cili është emri yt?”
Në fillimet e shërbesave Ligonier, dikush më pyeti: “Çfarë po përpiqesh të bësh? Cili është misioni yt? Ç’qëllim ka shërbesa që ke themeluar?”. I thashë: “Është një shërbesë mësimdhënëse për të ndihmuar të krishterët që të ndërtohen mbi themelin e Fjalës së Perëndisë”, dhe ai mu përgjigj: “Çfarë do t’u mësosh njerëzve që nuk e dinë tashmë?”. Kjo ishte një pyetje shumë e lehtë. “Do t’u mësoj se kush është Perëndia”, i thashë. “Romakëve 1:18-25 na thotë se gjithkush në botë e di që Perëndia ekziston, sepse Ai ua ka shfaqur Veten kaq qartë atyre në krijim, saqë ata nuk kanë më asnjë justifikim, sepse zbulesa e Tij e përgjithshme i ka tejshpuar mendjet e tyre. Ata e dinë që Ai ekziston, por e urrejnë Atë”. Unë vazhdova: “Kjo ndodh kryesisht sepse ata e dinë që Ai është, por nuk e kanë aspak idenë se kush është Ai”. Ky tipi pastaj më tha: “Si mendon ti, cila është gjëja më e rëndësishme që të krishterët duhet të dinë në këtë kohë që jetojmë?” Unë i thashë: “Të krishterët duhet të zbulojnë se kush është Perëndia”.
Mendoj se dobësia më e madhe e kohës sonë është errësimi virtual i natyrës së Perëndisë, madje edhe brenda kishave tona. Një grua që kishte gradën shkencore Doktore e Filozofisë në psikologji, e cila ishte anëtare e një kishe në bregun perëndimor të SHBA-ve, më kontaktoi dikur. Ajo ishte shumë e zemëruar dhe më tha: “Unë shkoj në kishë çdo të diel dhe më krijohet përshtypja se pastori ynë bën çmos për të na e mbajtur të fshehur karakterin e Perëndisë. Ai druhet se në qoftë se do ta shtjellonte siç duhet Shkrimin e Shenjtë dhe nëse do ta shpallte natyrën e Perëndisë ashtu siç përshkruhet në Bibël, njerëzit do të largoheshin nga kisha se nuk do të ndiheshin rehat në prani të Të Shenjtit”. Moisiu nuk ishte njeriu i parë që e fshehu fytyrën në prani të Perëndisë. Kjo dukuri u shfaq më së pari në kopshtin e Edenit, me rendjen për t’u fshehur të Adamit dhe Evës për shkak se ndiheshin të turpëruar.
Kështu që Moisiu e pyeti: “Kush je ti? Si quhesh, kuptohet nëse ke emër?” Perëndia e kishte zbuluar tashmë Veten si “Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit” (shih Eksodi 3:6). Moisiu e dinte këtë; ai donte të njihte emrin e Perëndisë.
Në vitin 1963, në një stacion televiziv kombëtar, David Frost-i intervistoi Madalyn Murray O’Hair-in, një ateiste e famshme militante. Frost-i debatoi me O’Hair-in rreth ekzistencës së Perëndisë. Teksa ateistja po nxinte nga inati dhe frustrimi, Frost-i vendosi ta zgjidhte debatin në mënyrën klasike amerikane, pra, nëpërmjet votës. Ai ia la këtë çështje shikuesve në studio, duke u thënë atyre: “Sa prej jush që jeni këtu [rreth 30 vetë ishin në studio] besoni në një lloj perëndie, në ndonjë fuqi më të madhe, në diçka më të madhe sesa vetja?” Të gjithë njerëzit ngritën dorën. O’Hair-i u përgjigj pak a shumë me këto fjalë: “Çfarë pret prej turmave të pashkolluara? Këta njerëz kanë mbetur foshnja nga ana mendore; ata ende vuajnë nga lavazhi i trurit që iu ka bërë kultura dhe kjo mitologjia e Perëndisë”. Ajo vazhdoi t’i fyente të gjithë shikuesit që gjendeshin në studio.
Nuk e prisja që O’Hair-i të bënte këtë gjë. Mendoja se do t’u kthehej shikuesve dhe do t’u thoshte: “Ju që besoni në ndonjë fuqi më të madhe, në një gjë që është më e madhe sesa ju, më lejoni t’ju pyes: sa prej jush besoni në Jahveh-un, Perëndinë e Biblës? Perëndia që kërkon prej jush që të mos kini perëndi të tjerë përveç Tij? Perëndia që dërgon burra, gra dhe fëmijë në ferr që të kalojnë atje përjetësinë, dhe që i dënon njerëzit sepse nuk besojnë në mitin e Jezusit?” Vras mendjen se si do të kishte ndryshuar rezultati i votimit po qe se pyetja do të kishte qenë më e qartë. Është bërë pothuajse traditë në shoqërinë tonë që ta përshkruajë Perëndinë si një fuqi më të lartë, si një forcë, si një gjë më të madhe sesa ne. Mirëpo, çfarë është kjo fuqi më e lartë? Forca e rëndesës? Vetëtimat? Tërmetet? Të kesh të bësh me një fuqi pa natyrë, pa emër dhe të paqartë, është një gjë mjaft problematike, sepse së pari, ke të bësh me një fuqi jopersonale dhe, së dyti, ke të bësh me një fuqi amorale. Të adhurosh një fuqi më të lartë të këtij lloji ka të mirat dhe të metat e veta. Për një mëkatar, e mira e adhurimit të kësaj fuqie më të lartë është se duke qenë jopersonale dhe amorale, ajo nuk imponon kërkesa etike ndaj askujt. Forca e rëndesës nuk e gjykon dot sjelljen e njerëzve, madje edhe nëse dikush do të hidhej nga ballkoni i katit të gjashtë, forca e rëndesës nuk ka për ta dënuar atë. Askujt nuk ia djeg ndërgjegjen forca e rëndesës. Në qoftë se fuqia juaj më e lartë është jopersonale dhe amorale, atëherë e keni lejen në xhep që të silleni si të doni në pandëshkueshmëri të plotë.
Mirëpo, e meta e kësaj është se nuk të pret askush në shtëpi. Ky lloj besimi do të thotë se nuk ekziston asnjë Perëndi personal, asnjë shpengues. Çfarë marrëdhënieje shpëtuese mund të krijoni me bubullimën? Bubullima bën shumë zhurmë, duke u dëgjuar nga dhjetëra kilometra larg, por sa i përket përmbajtjes së saj është një gjë memece. As nuk ofron zbulesë dhe as të jep shpresë. Bubullima dhe forca e rëndesës nuk kanë qenë ndonjëherë të afta që të falin ndonjë mëkat.
Në përgjigjen që Perëndia i jep Moisiut shohim dallimin mes këtij të fundit dhe forcës jopersonale. Ai nuk tha: “Është ajo që është”, që duket se është emri i perëndive të rremë të kohës sonë. Ai tha: “UNË JAM AI QË JAM” (Eksodi 3:14). Ky emër është i lidhur me emrin personal të Perëndisë, i cili është Jahveh-u. Kështu pra, gjëja e parë që Perëndia na zbulon rreth Vetes përmes atij emri është se Ai është personal. Ai mund të shohë; Ai mund të dëgjojë; Ai mund të dijë; Ai mund të flasë. Ai mund të hyjë në marrëdhënie me krijesat që i ka bërë sipas shëmbëlltyrës së Tij. Ai është Perëndia që e nxori popullin e Vet nga toka e Egjiptit. Ai është Perëndia me një emër dhe me një histori.
Shumë vite më parë, jepja mësim një kurs teologjie në kolegj dhe po studionim emrat e Perëndisë. Po përpiqesha të ilustroja rëndësinë e emrave të Perëndisë dhe se çfarë na zbulojnë ato rreth karakterit të Tij. Pak përpara se të filloja leksionin, një vajzë, që e zëmë se quhet Meri, hyri në sallë në një mënyrë të çuditshme, si për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve që të shihnin unazën rrëzëlluese me gurë të çmuar që kishte në gishtin e dorës së majtë. E pyeta: “A mos je fejuar gjë Meri?” Ajo më tregoi me gisht një djalë në fund të sallës dhe më tha: “Po, me Xhonin”. I thashë asaj: “Urime! Kur më thua se do të martohesh me të, e marr të mirëqenë se e do atë, a nuk është e vërtetë kjo?” Ajo më tha: “Po”.
Atëherë e pyeta: “Përse e do atë?” Ajo më tha: “Sepse është shumë i pashëm”. I thashë asaj: “Po, ai është shumë i pashëm. Mirëpo, pa shiko pak Billin, ai ishte shoqëruesi i mbretëreshës së ballos së fillim vitit akademik. A nuk është edhe ai i pashëm?” Ajo u përgjigj: “Po, Billi është shumë i pashëm”. Unë i thashë: “Atëherë duhet të ketë diçka më tepër te Xhoni që të pëlqen, përveç faktit që është i pashëm”. Ajo më tha: “Ai ka edhe një trup të bukur”. I thashë: “Po, ai ka një trup të bukur. Mirëpo, Billi është kapiteni i skuadrës së basketbollit. Pse nuk do Billin në vend të Xhonit?” Ajo filloi të shfaqte shenja frustrimi dhe më tha: “Xhoni është shumë inteligjent”. I thashë: “Po, ai është student shumë i mirë. Mirëpo, Billi me shumë gjasë do të jetë studenti që do të mbajë fjalën e rastit si më i dalluari i këtij kursi kur të diplomoheni. Kështu që Meri, duhet të ketë diçka tjetër te Xhoni që e bën atë më të mirë sesa Billi në sytë e tu, diçka që është e veçantë për të dhe që të shtyn ta duash. Çfarë ka ai që të bën ta duash kaq shumë?”
Ajo ishte gati të shpërthente dhe më tha: “Unë e dua atë... E dua atë, sepse – e dua atë sepse është Xhoni”. Dhe i thashë: “Ja, pra, si është puna! Nëse doni të përqendroheni në thelbin e qartë të asaj se kush është Ai dhe se çfarë domethënieje ka Ai për sa i përket marrëdhënies dhe historisë suaj personale me Të, atëherë gjithçka ka të bëjë me emrin e Tij”.
U ktheva nga klasa dhe u shpjegova: “Kjo është arsyeja se përse kur vështrojmë Perëndinë, ne e dimë se emri i Tij është i mrekullueshëm. Përmes atij emri, Ai zbulon shumë gjëra rreth epërsisë të qenies së Tij dhe përsosmërive të karakterit të Tij. Kjo është arsyeja se përse kur i thoshin shenjtorëve të kohëve të vjetra: ‘Na tregoni gjithçka dini rreth Perëndisë’, ata do të përgjigjeshin më në fund: ‘Është Jahveh-u, UNË JAM AI QË JAM’”.
Ky fragment është përshtatur nga libri “Moses and the Burning Bush” nga R.C. Sproul.
Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/what-gods-name
Autori: R.C. Sproul
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez 2024