Cila është përgjigjja jonë?

Qershor  2021


Nga John Tweeddale

Veprat e mira nuk janë të këqija. Ato janë të mira. Si të krishterë, duhet të dëshirojmë që t’i bëjmë. Vetëm sepse nuk shpëtohemi nga veprat, nuk do të thotë se nuk duhet të shqetësohemi që të jetojmë një jetë në bindje të gëzueshme ndaj Fjalës së Perëndisë. Jezusi qartazi thotë: “Nëse më doni zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Bindja, megjithëse delikate dhe e dobët, është prova e dashurisë sonë për Krishtin. Veprat e mira, pa e zënë vendin e ungjillit të hirit, janë plotësuesi i përsosur i ungjillit.  

Të shpëtuar jo prej veprave të mira

Të jemi të qartë, veprat e mira janë të këqija kur shihen si baza e shpëtimit. Një njeri nuk shpëtohet për shkak të veprave, por prej hirit të Perëndisë përmes besimit në Krishtin. Apostulli Pal shpjegon:

Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush. Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to. (Efesianëve 2:8-10)

Veprat nuk janë meritë. Shpëtimi “nuk vjen nga ju” dhe “jo nga vepra”. Edhe vetë besimi, përmes të cilit ne marrin shpëtimin, është një dhuratë e hirit të Perëndisë. Si krijesa të rëna, edhe përpjekjet tona më të mira janë të përlyera në mëkat. Po e marr hua këtë shprehje nga Francis Schaeffer, sa kova të fundme plot me vepra të mira do të duheshin për të mbushur hendekun e pafundëm, që ekziston mes Perëndisë dhe nesh për shkak të mëkatit? Veprat e mira nuk na japin asnjë bazë për t’u mburrur, sepse janë krejtësisht të pavlera për shpëtim. I vetmi themel i shpëtimit është Krishti. Jemi shpëtuar prej veprave të Tij, jo nga tonat. 

Të shpëtuar për vepra të mira

Veprat e mira nuk janë të këqija, nëse shihen si qëllimi i shpëtimit, dhe jo si baza e tij. Edhe pse veprat e mira nuk janë meritë e shpëtimit, ato janë një përbërës i nevojshëm i besimit të krishterë. Siç e thotë dhe Jakobi: “besimi pa vepra është i vdekur” (Jakobi 2:26). Pali flet për të njëjtën gjë, kur deklaron se nuk shpëtohemi përmes veprave të mira, por për vepra të mira.

Çdo fjalë tek Efesianëve 2:10 është e rëndësishme për shpjegimin e dinamikës së veprave të mira në jetën e krishterë. Ne mësojmë se veprat e mira janë pasoja, jo shkaku, i krijesës së re brenda nesh, dhe janë dëshmia e shpengimit tonë, në mënyrë që jeta jonë të reflektojë karakterin dhe aftësitë e Perëndisë. Veprat e mira janë gjithashtu rezultati i bashkimit me Krishtin. Larg Tij, ne nuk mund të bëjmë asgjë që kënaq Perëndinë. Por në Krishtin, jemi krijuar për të shfaqur bindje në veprimet tona që nderojnë Perëndinë. Në Krishtin mund të jemi të sigurt se Perëndia pranon përpjekjet tona të dobëta dhe të paplota. Më pas Pali thotë se veprat e mira janë rezultati i përcaktimit që Perëndia i ka bërë jetës së krishterë. Nuk ka nevojë të pyesim çfarë kërkon Perëndia prej nesh. Ai na e ka thënë në fjalën e Tij. Veprat e mira janë veprime të bëra si bindje ndaj Fjalës së Perëndisë.

Një besim që nuk është kurrë vetëm

Veprat e mira janë të mira, sepse lulëzojnë jo prej besimit të pajetë, por nga “një besim i vërtetë dhe i gjallë” (RrBU 16.2). Ne jemi drejtësuar vetëm nga hiri, vetëm përmes besimit vetëm në Jezu Krishtin; megjithatë, besimi që shpëton nuk është kurrë i vetëm, por shoqërohet nga një jetë shpirtërore dhe bindje në dashuri. Krishti është baza e shpëtimit tonë, besimi është mjeti për të marrë shpëtimin, dhe veprat janë frytet e shpëtimit. Kur besimi vendos rrënjë në jetët tona, ai gjithmonë prodhon fryte përmes Frymës (Galatasve 5:16-26). Fryma na mundëson të ecim në mënyrë të denjë me thirrjen tonë për një jetë në ngjashmëri me Krishtin (Efesianëve 4:1-7). 

Vlera e të ecurit në udhën e bindjes është e shumanshme. Rrëfimi i Besimit të Uestminster tregon se ka të paktën gjatë përfitime nga veprat e mira. Së pari, veprat e mira tregojnë mirënjohjen tonë ndaj Perëndisë për dhuratën e Birit të Tij (Kolosianëve 2:6). Së dyti, ato shtojnë sigurinë e besimit (1 e  Gjonit 2:1-6). Së treti, veprat e mira janë një mënyrë për të inkurajuar të krishterët e tjerë për të bërë vepra të mëdha dashurie, që kanë në qendër Krishtin (Hebrenjve 10:24). Së katërti, veprat e mira janë mënyra konkrete për të zbukuruar doktrinën e Zotit, Shpëtimtarit tonë në jetë dhe shërbesë (Titit 2:7-10). Së pesti, veprat e mira bëjnë të heshtin kritikët që zhvlerësojnë mirësinë e krishterimit biblik (1 e Pjetrit 2:12, 15). Së gjashti, veprat e mira lavdërojnë Perëndinë duke shpalosur veprën e dashurisë së Tij në jetët tona (Gjoni 15:8-11).

Cila është përgjigjja jonë ndaj ungjillit? Siç thuhet bukur në një himn të vjetër: “Beso dhe bindu, sepse nuk ka mënyrë tjetër, për të qenë i lumtur në Jezusin, vetëm beso dhe bindu.”

Dr. John W. Tweeddale është një dekan akademik dhe profesor i teologjisë në Kolegjin Biblik Reformimi në Sanford, Florida, dhe një mësues në kishën presbiteriane në Amerikë.

Botuar me leje: https://tabletalkmagazine.com/article/2015/01/what-our-response/  
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaTable Talk

Postime të ngjashme

Qiejt e rinj dhe toka e re
T’ia predikosh ungjillin vetes
Çfarë janë drejtësimi dhe shenjtërimi?
Çfarë është besimi?