Cfare eshte njeriu

Maj 2021


Nga Greg Gilbert

Çdo mbrëmje pas pune, kaloj pak kohë duke kontrolluar lajmet e ditës. Edhe pse janë momente pushimi për trupin dhe mendjen, duhet ta pranoj që nuk janë momente pushimi për zemrën. Kjo për faktin se ajo që shoh nëpër titujt e lajmeve më kujton një realitet me rrënjë të thella: ka diçka që nuk shkon me botën tonë, edhe me ne si qenie njerëzore. Por çfarë është?

Njerëzit kanë dhënë përgjigje të ndryshme për këtë pyetje. Disa thonë se problemet janë kryesisht ekonomike, të tjerë se janë sociale, dhe të tjerë thonë se janë psikologjike. Sigurisht, këto përgjigje mund të shpjegojnë pjesërisht disa nga simptomat e vuajtes sonë, por Bibla na mëson se sëmundja e vërtetë është shumë më e thellë. E thënë me një fjalë, problemi është mëkati—rebelimi kundër Perëndisë krijues, që na formoi.

Libri i Zanafillës tregon se si Perëndia krijoi botën me fuqinë e urdhrit të Tij, dhe sipas Zanafillës 1:26-28, vepra kurorëzuese e punës së Perëndisë ishte krijimi i qenieve njerëzore. Krejt unike midis gjithë qenieve të tjerave në univers, qeniet njerëzore janë bërë “sipas shëmbëlltyrës së tij”. Të krijohesh sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë nënkupton shumë gjëra. Ne si qenie njerëzore reflektojmë karakterin dhe natyrën e Perëndisë në racionalitetin tonë, në krijimtarinë tonë, madje edhe në aftësinë për t’u lidhur me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin. Por imazhi i Perëndisë nuk i referohet thjesht asaj që jemi; i referohet gjithashtu asaj për të cilën Perëndia na ka krijuar të bëjmë.

Përveç të jetuarit në bashkësi me Perëndinë, Adami dhe Eva kishin detyrë të sundonin dhe të kujdeseshin për krijimin e Tij dhe ishin zëvendësadministruesit e Tij. Kështu, Perëndia u tha atyre të “nënshtronin” tokën dhe “të sundonin mbi të”—jo duke abuzuar apo duke e shtypur, por “që ta punonin dhe ta ruanin” (Zanafilla 2:15). Duke bërë kështu, ata do t’i transmetonin gjithë krijimit dashurinë, fuqinë dhe mirësinë e Krijuesit. Ndoshta, në thelb, ky është kuptimi i të qenët sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë në këtë botë: ashtu si një mbret në lashtësinë e Lindjes së Afërt mund të vendoste një “imazh” të vetes mbi një mal, për t’i kujtuar popullit të tij se kush qëndronte në fron, ashtu edhe Adami përfaqësonte autoritetin e Perëndisë në botën që Ai i kishte dhënë në zotërim.

Prapëseprapë autoriteti i Adamit mbi krijimin nuk ishte i pakufizuar. I ishte dhënë dhe kushtëzohej nga vetë Perëndia. Njerëzit shpesh pyesin përse Perëndia e vendosi pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes në kopsht. Arsyeja është se ajo pemë i kujtonte Adamit dhe Evës se autoriteti i tyre për të nënshtruar dhe sunduar botën nuk ishte absolut. Për këtë arsye ngrënia e frutit nga Adami dhe Eva ishte një mëkat tragjik. Duke ngrënë frutin, Adami dhe Eva po përpiqeshin të bënin pikërisht atë që gjarpri i gënjeu se mund të bënin—ata po përpiqeshin “të ishin si Perëndia” (Zanafilla 3:5). Po kërkonin më shumë fuqi dhe autoritet nga ç`u kishte dhënë Perëndia, duke kërkuar fronin e lartë.

Pasojat e mëkatit të Adamit ishin thjesht katastrofike. Perëndia kishte premtuar se nëse njerëzit do të hanin nga pema e ndaluar, me siguri do të vdisnin. Ai nuk po fliste thjesht për një vdekje fizike, por gjithashtu—dhe më të tmerrshme—për një vdekje shpirtërore. Ky ishte një ndëshkim i drejtë dhe i duhur. Jo vetëm që një Perëndi i shenjtë dhe i drejtë nuk do të mund të toleronte kurrë ligësi dhe mëkat në praninë e Tij, por duke deklaruar pavarësinë e tyre ndaj Zotit, Adami dhe Eva e shkëputën veten nga burimi i jetës dhe mirësisë. Ata e meritonin zemërimin e Zotit për shkak të rebelimit kundër Tij, dhe paga e mëkatit të tyre ishte veçse vdekja e përjetshme, gjykimi dhe ferri.

Për më tepër, kur Adami mëkatoi, ai e bëri si përfaqësues i çdo qenieje njerëzore. Prandaj Pali u shkroi Romakëve: “për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë” (Romakëve 5:15). Për këtë arsye secili prej nesh ratifikon vazhdimisht veprën e rebelimit të Adamit kundër Perëndisë me mëkatet e veta. Gjithashtu ne duam të jemi të lirë nga autoriteti dhe sundimi i Perëndisë, e kështu jepemi pas kërkimit të kënaqësisë dhe gëzimit te gjërat e krijuara, duke i bërë ato qëllimet kryesore. Gjatë kësaj kohe ne deklarojmë se Perëndia nuk është i denjë për adhurimin tonë, duke vërtetuar kështu se e meritojmë mallkimin e vdekjes shpirtërore që Perëndia deklaroi që prej fillimit.

Nëse historia e Biblës do të përfundonte këtu—me qeniet njerëzore nën zemërimin e Perëndisë pa një mundësi shpëtimi—ne do të jetonim në një realitet të pashpresë. Por lavdi Perëndisë që historia nuk mbaron aty. Në vend që të na linte të vdisnim në mëkat, Perëndia vepron për të na shpëtuar. Përmes mishërimit, vdekjes dhe ringjalljes së Birit të Tij, Jezus, Ai shpëton njerëzit e Tij nga mëkatet e tyre dhe drejtëson gjithçka njëherë e përgjithmonë, përfundimisht dhe përjetësisht.

Dr. Greg D. Gilbert është pastori i kishës baptiste "Third Avenue" në Louisville, Kentaki. Ai është autori i librit "What Is the Gospel dhe i librit Who Is Jesus".

Botuar me leje: https://tabletalkmagazine.com/article/2015/01/what-man/  
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaTable Talk

Postime të ngjashme

Qiejt e rinj dhe toka e re
T’ia predikosh ungjillin vetes
Cila është përgjigjja jonë?
Çfarë janë drejtësimi dhe shenjtërimi?