jeremy perkins 7fosjvtutac unsplash

Nëntor 2022


Gjatë ditëve të fundit kam qenë pothuajse i izoluar në shtrat. Kjo ndodh rrallëherë për mua, duke qenë se jam njëzet e shtatë vjeç dhe i shëndetshëm. Por unë kam një disk ndërvertebror në pjesën fundore të shtyllës kurrizore që më godet herë pas herë.

Në krahasim me mundimet fizike, ky është i vogël. Nuk është asgjë në krahasim me kancerin, me të cilin po përballet një anëtar i kishës sime, apo kushtet e tjera munduese me të cilat luftojnë anëtarët e tjerë. Gjithsesi, dhimbja mi ka prishur planet e javës. Kam humbur mësimin, kam shtyrë ditën që kishim planifikuar të festonim përvjetorin me gruan dhe jam shtrirë në shtrat gjithë mbrëmjen, në vend që të luaja me fëmijët.

Në të gjitha këto, Perëndia më ka dhënë mësime që jo posaçërisht do të doja t’i mësoja. Më ka mësuar të mos e kthej acarimin në fjalë të ashpra kundrejt gruas, të mos shqetësohem sesi mund të përkeqësohet gjendja në dekadat e ardhshme, të di sesa i varur prej tij jam vërtetë.

Nuk doja t’i merrja këto mësime këtë javë, por Perëndia e di që kam nevojë për to. Jam i bindur se kjo është të paktën një arsye përse ai nuk më dha javën që doja.

Unë do të sugjeroja se këtu ka një mësim edhe për jetën në kishë. Për ta thënë më qartë, askush nuk merr kishën që do.

Ndoshta nuk merr një listë apo tabelë me vete kur shkon në kishë, por të gjithë kemi një listë dëshirash në mendje. Ndoshta dëshiron një lloj muzike, një përvojë specifike në adhurim. Ndoshta dëshiron një predikues që thjesht thellohet shumë në dy vargje të Romakëve. Ndoshta dëshiron një drejtues karizmatik dhe ekstrovert që mund të lidhet me këdo, dhe di gjithmonë çfarë të thotë.

Cilado qoftë lista jote, të garantoj këto: jo gjithçka në listën tënde është edhe në listën e Perëndisë.

Dua të them se ti kryesisht ke mendime që shkojnë përtej vullnetit të shfaqur të Perëndisë. Një predikues që respektoj shumë është njohur sepse tha: “Unë nuk kam mendime, unë thjesht besoj Biblën.” Më pëlqen iniciativa, por është e pamundur. A do preferoje të haje një burger apo një gjellë të mirë me mish? A do të preferoje të këndoje “Një fortesë e fuqishme” apo “10,000 arsye”? Sido të jetë, ti e ke një mendim, por do ta kesh të vështirë të më japësh kapitull dhe varg për të.

Gjithsesi, ka një arsye tjetër përse lista jote për kishën nuk do të jetë gjithnjë e njëjtë me atë të Perëndisë: Perëndia e ka shfaqur vullnetin e tij për kishën në Shkrim, por asnjë kishë nuk e përmbush atë plotësisht. Asnjë kishë nuk është aq e pjekur dhe e shenjtë sa e kërkon Fjala e Perëndisë. Çdo kishë është një punë në përmirësim. Prandaj, ndonjëherë, edhe dëshira e mirë për të qenë pjesë e një kishe të pjekur që lulëzon, mund të të bëjë të jesh i paduruar me papjekuritë dhe vështirësitë e bashkësisë tënde.

Dhe Perëndia ka zbuluar se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet të jenë kishat. Kishat duhet të drejtohen nga burra të perëndishëm, që përkujdesen për tufën dhe predikojnë Fjalën (1 e Timoteut 3:1-7; 2 e Timoteut 4:1-5). Çfarë duhet të bësh nëse je në një kishë pa pleqësi? Përgjigjet janë po aq të pafundme sa janë variablat në çdo situatë reale. Por një nga mundësitë është të mishërosh vetë durimin e Perëndisë drejt njerëzve të tij të papërsosur.

Nëse Perëndia mund të durojë papjekurinë e njerëzve të tij dhe paaftësinë e tyre për të ndjekur direktivat e tij, ashtu mund të bësh edhe ti. Nëse ke pozitë me ndikim, shpërndaje ndikimin me përulësi dhe urtësi. Por, çfarëdo të bësh, mos lejo që dëshira jote e mirë, që kisha t’i bindet Shkrimit, të të ngurtësojë në acarim dhe hidhërim.

Askush–pikërisht, askush–nuk merr kishën që dëshiron. Të gjithë kemi mendime, preferenca, madje, ndonjëherë edhe bindje që nuk janë plotësisht njësoj me asnjë bashkësi të popullit të Perëndisë. Ne të gjithë duhet të vendosim interesat e të tjerëve para tonave dhe të sakrifikojmë atë që duam për hir të asaj që i gjithë trupi ka nevojë.

Në një farë mënyre, ky është qëllimi i jetës në kishë. Perëndia na ka bërë anëtarë të trupit, që të mësojmë të marrim pjesë në të (1 e Korintasve 12:12-27). Ai na ka bërë bashkëpunëtorë në ungjill që të mund t’i japim formë atij, duke vendosur nevojat e të tjerëve para tonave (Filipianëve 2:3-4). Krishti vuri mënjanë të drejtat e tij për të na shërbyer ne, dhe këtë bën edhe ti sa herë që sakrifikon preferencat e tua për të nxitur rritjen e trupit.

Vënia e të tjerëve para vetes do të të kushtojë. Në një kulturë të zhytur në konsumerizëm, dhe në qytete ku kishat janë si një bufe e hapur nga të cilat mund të zgjedhësh, gjëja e fundit që duam të bëjmë është të sakrifikojmë preferencat tona. Por ungjilli na thërret të bëjmë pikërisht këtë.

Le të themi se kisha këndon një këngë që nuk të pëlqen shumë. Fjalët janë ortodokse, por  vrenjtesh nga melodia dhe toni. Në vend që të ngërdheshesh në heshtje, gërrmo me thellë dhe nxirre zërin. Ka të ngjarë që një anëtar tjetër i kishës e pëlqen shumë atë këngë. Prandaj, inkurajoje atë anëtar, kushdo qoftë, duke iu adresuar pikërisht me atë himn apo këngë shpirtërore (Kolosianëve 3:16-17).

Bëje zakon të heqësh dorë nga preferencat e tua që të përqafosh të mirën e gjithë trupit. Trajnoje zemrën, mendjen, gjuhën dhe duart të ushtrohen në brazdat e ungjillit për të hequr dorë që të tjerët të fitojnë.

Perëndia mund mos të të japë kishën që do, por ai është në gjendje të të japë kishën për të cilën ke nevojë. Prandaj, hidh një sy përreth. Ndoshta tashmë ta ka dhënë.

Nga Bobby Jamieson


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga  9Marks:  :  https://www.9marks.org/article/nobody-gets-the-church-they-want/            
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Etiketa9marks

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?