Ai erdhi të na bekojë!

Dhjetor 2020


Veprat 3:22-26

Sepse Moisiu, u tha etërve: “Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t’ju thotë! Por do të ndodhë që çdo shpirt, që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shfaroset prej mesit të popullit.” Por edhe të gjithë profetët, sa kanë folur që nga Samueli e këtej, i kanë paralajmëruar këto ditë. Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: ‘Dhe në pasardhjen tënde do të bekohen të gjitha fiset e dheut.’ Perëndia më së pari, pasi e ringjalli Birin e tij Jezusin, jua ka dërguar juve që t’ju bekojë, duke larguar secilin prej jush nga paudhësitë tuaja.”

Kjo pjesë na mëson se Perëndia e solli Jezusin në skenën e historisë për të bekuar popullin e Tij. “Dhe në pasardhjen tënde do të bekohen të gjitha fiset e dheut.”

Perëndia i tha Birit të Tij në qiell: “Koha u mbush; kam premtuar bekim; tani është momenti që ta plotësoj premtimin Tim; Ti do të jesh i dërguari Im i bekimit; dëshiroj që në botë të vijë bekimi; kam shumë për të dhënë; shko tani dhe bekoje popullin tim, bekoji; po, bekoji të gjitha familjet e dheut përmes tyre, bekoji, bekoji.”

Këtë gjë mund ta shihni në vargjet 25 dhe 26, ndërsa bekimi i Perëndisë përmendet dy herë. Në vargun 26 thuhet qartë se Perëndia e dërgoi Jezusin te populli i Izraelit për t’i bekuar. Kur thuhet se Perëndia e dërgoi më së pari tek Izraeli, do të thotë se pas kësaj do ta dërgojë bekimin te të tjerët.

Vargu 25 na qartëson se ky ishte synimi i Perëndisë në besëlidhjen që bëri me Abrahamin: “Dhe në pasardhjen tënde do të bekohen të gjitha fiset e dheut.” Bekim për Judenjtë dhe pastaj përmes tyre; përmes Mesias Jude, bekim për të gjitha familjet e dheut, në të cilët përfshiheni edhe ju.

Prandaj po ju them se Perëndia është duke ardhur drejt jush me bekime, gjatë kësaj stine Adventi. Ju gjendeni në vargun 25, nuk ka rëndësi që kanë kaluar dy mijëvjeçarë. Me Perëndinë, një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 e Pjetrit 3:8). Me Të është sikur këtë premtim e ka bërë para dy ditësh. Kaq i freskët është bekimi për ju sot! Nëse do të lëvizni drejt Tij me besim, do ta merrni bekimin. Ky është qëllimi i Krishtlindjes—bekimi më i madh.


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin