benjamin davies zm2n2o7fph4 unsplash

Maj 2022


Pyetje: A është Zoti i vërtetë? Si mund ta di të sigurt që Zoti është i vërtetë?

Përgjigje:
Ne e dimë që Zoti është i vërtetë, sepse Ai e ka treguar Veten në tre mënyra: nëpërmjet krijimit, nëpërmjet Fjalës së Tij dhe nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krisht.

Prova më themelore për ekzistencën e Zotit është thjesht ajo që Ai ka bërë: “Sepse cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pashfajësushëm” (Romakëve 1:20); “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij” (Psalmet 19:1).

Nëse unë gjej një orë dore në mes të një fushe, nuk do të mendoja se është “shfaqur” aty nga hiçi ose që ka ekzistuar gjithmonë. Duke u bazuar te modeli i orës, do të mendoja se ajo e ka një projektues, por në botën tonë, unë shoh një krijim më të madh dhe një saktësi më të madhe. Matja e kohës te ne nuk bazohet tek orat e dorës, por te vepra e duarve të Zotit–rrotullimi i rregullt i tokës (dhe vetitë radioaktive të atomit të cesiumit-133). Universi shpalos një krijim të mrekullueshëm dhe kjo tregon për një Krijues Madhështor.

Nëse do të gjeja një mesazh të koduar, do të kërkoja një kriptograf për të ndihmuar në thyerjen e kodit. Supozimi im do të ishte se mesazhi duhet të ketë një dërgues inteligjent, dikush që e ka krijuar këtë kod. Sa i komplikuar është kodi i ADN-së që ne kemi në çdo qelizë të trupit? A nuk tregon kompleksiteti dhe qëllimi i ADN-së për një Shkrues inteligjent të kodit?

Jo vetëm që Zoti ka krijuar një botë fizike të ndërlikuar dhe plotësisht të akorduar, por Ai gjithashtu ka vendosur një ndjenjë përjetësie në zemrat e njerëzve (Predikuesi 3:11). Njerëzimi ka një perceptim të brendshëm të ekzistencës së diçkaje, përtej asaj që syri mund të shohë, një ekzistencë më të lartë se sa rutina tokësore. Perceptimi i përjetësisë në ne, shfaqet në dy forma: ligjvënia dhe adhurimi.

Çdo shoqëri, përgjatë historisë, ka vlerësuar disa ligje morale, të cilat çuditërisht janë të njëjta nga njëra kulturë në tjetrën. Për shembull, ideali i dashurisë vlerësohet në mënyrë universale, ndërsa të gënjyerit dënohet në mënyrë universale. Ky moral i përbashkët–ky mirëkuptim global i së mirës dhe së keqes–tregon për një Qenie Morale Supreme, që na ka pajisur me një ndërgjegje të tillë.

Në të njëjtën mënyrë, njerëzit në mbarë botën, pa dallim kulture, kanë ngritur gjithmonë një sistem adhurimi. Objekti që adhurohet mund të variojë, por ndjesia e një “fuqie më të lartë” në qeniet njerëzore është e pamohueshme. Prirja jonë për të adhuruar përkon me faktin se Zoti na ka krijuar “në imazhin e Tij” (Zanafilla 1:27).

Zoti gjithashtu na e ka zbuluar Veten nëpërmjet Fjalës së Tij, Biblës. Përgjatë Shkrimeve, ekzistenca e Zotit është trajtuar si një fakt i qartë në vetvete (Zanafilla 1:1; Eksodi 3:14). Kur Benjamin Frenklin shkroi autobiografinë e tij, ai nuk harxhoi kohë për të vërtetuar ekzistencën e tij. Po kështu edhe Zoti nuk harxhon shumë kohë për të vërtetuar ekzistencën e Vet në librin e Tij. Natyra jetëndryshuese e Biblës, integriteti i saj dhe mrekullitë që kanë shoqëruar shkrimin e saj, duhet të jenë të mjaftueshëm për të garantuar një vështrim më të afërt.

Mënyra e tretë se si Zoti e ka zbuluar veten është nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit (Gjoni 14:6-11). “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi...Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne” (Gjoni 1:1, 14; shiko gjithashtu Kolosianëve 2:9).

Gjatë jetës së Tij të mahnitshme, Jezusi përmbushi gjithë ligjin e Besëlidhjes së Vjetër në mënyrë të përsosur dhe i përmbushi të gjitha profecitë që kishin të bënin me Mesian (Mateu 5:17). Ai bëri vepra të panumërta dhembshurie dhe mrekulli publike, për të vërtetuar mesazhin e Tij dhe për të siguruar dëshmitarë okularë të hyjnisë së Tij (Gjoni 21:24, 25). Më pas, tri ditë pas kryqëzimit të Tij, Ai u ringjall prej së vdekurish, një fakt i pohuar nga qindra dëshmitarë okularë (1 e Korintasve 15:6). Gjithë historia është e mbushur me “”, që tregojnë se kush është Jezusi. Ashtu siç tha edhe apostulli Pal: “... sepse e gjithë kjo nuk është bërë në fshehtësi” (Veprat 26:26).

Ne nuk e vemë në dyshim faktin që do të ketë gjithmonë skeptikë, të cilët kanë idetë e tyre në lidhje me Zotin dhe që do t’i shohin faktet ashtu siç duhet. Do të ketë edhe nga ata, të cilët asnjë lloj prove nuk do të arrijë t’i bindë (Psalmet 14:1). Në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me besimin (Hebrenjve 11:6).



Botuar me leje:  https://www.gotquestions.org/is-God-real.html  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaGot Questions

Postime të ngjashme

Cilat janë atributet e Perëndisë
A jam i shpëtuar vetëm me anë të besimit apo me anë të besimit dhe të veprave?