January 12

A është Bibla e besueshme?

0  comments

Një dëgjues, i quajtur Bryce, na shkruan dhe pyet: “Pastor John, sapo kam dëgjuar episodin 296 ku ju përshkruani se çfarë është pagabueshmëria e Biblës. Tani që e di si e përshkruani ju pagabueshmërinë, pyetja ime për ju është kjo: “Pse ju, personalisht, besoni se Bibla është e besueshme?”

Kjo është një pyetje me vend dhe shumë e rëndësishme. Rëndësinë e saj e ndiej shumë fort tani, duke qenë se kam kaluar gjashtë javë për të shkruar një libër që i përgjigjet kësaj pyetjeje. Prandaj ka për të qenë e vështirë që të jap një përgjigje të shkurtër, por mendoj se mund t’ia dal. Përgjigjja se si Bibla na jep një bindje të mirë (dhe kjo frazë ka shumë rëndësi), një bindje të mirëthemeluar rreth vërtetësisë dhe pagabueshmërisë së saj; këto dy fjalë i përdor në mënyrë të shkëmbyer njëra me tjetrën. Pagabueshmëria është thjesht mënyra negative për të thënë se ajo është plotësisht e besueshme dhe i besoj që të dyja. Jam rehat me këto dy fjalë.

Përgjigjja e kësaj pyetjeje, ka shumë aspekte dhe këndvështrime. Njerëzit i janë qasur kësaj pyetjeje në shumë mënyra të ndryshme. Prandaj, më lejoni të përmend vetëm tri që mua më duket se janë më të rëndësishmet. Do t’i lidh të trija së bashku, prandaj ka të ngjarë që mund t’ju shpëtojë fakti se cilat janë këto të trija, por ka të bëjë me lavdinë e Perëndisë, me natyrën e Fjalës së Perëndisë dhe me shpalljet e Shkrimit, këto do të jenë treshja që mund të dalloni në këtë shpjegim.

Pikënisja ime është nga analogjia që Perëndia pret që ne të shohim lavdinë e Tij, të jemi të sigurt për lavdinë e Tij, ta njohim lavdinë e Tij, të jemi të bindur për lavdinë e Tij dhe për realitetin e Tij përmes zbulesës së saj në natyrë (Romakëve 1:20). “Në fakt cilësitë e Tij të padukshme, fuqia e Tij e përjetshme dhe hyjnia e Tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të Tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan, as e falënderuan si Perëndi.” E shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm për lavdinë e imazheve.

Prandaj, njerëzit janë pa asnjë justifikim, nëse nuk e shohin dhe nuk e çmojnë lavdinë e Perëndisë të zbuluar në natyrë. Nëse nuk e përlëvdojnë dhe e falënderojnë Atë, Perëndia i kërkon llogari njeriut për të parë, për t’u bindur dhe për të adhuruar bukurinë frymërore të Perëndisë, përmes gjithësisë materiale. Thjesht mendoni pak për këtë. Ai pret që ne të shohim. Ju s’mund ta vendosni bukurinë frymërore dhe lavdinë e Perëndisë në një epruvetë për testim dhe provë shkencore. Ju ose e shihni, ose nuk e shihni atë. Perëndia për ta parë  lavdinë e Tij.

E gjithë kjo është një analogji për mua. Mendoj se e njëjta gjë është e vërtetë edhe për Fjalën e Perëndisë. Në fakt, sa më tepër që mendoj për të, aq më e dukshme bëhet. Nëse Perëndia krijoi një botë dhe thotë: “Më njih përmes saj”, sa më tepër e kërkon këtë gjë; nëse jep një Fjalë dhe pret që ta shohim dhe ta njohim Atë përmes saj. Mendoj se Pali na çon në atë drejtim, domethënë që Perëndia na kërkon llogari që ta shohim lavdinë e Tij në Fjalën e Tij, ashtu sikurse na kërkon llogari të shohim lavdinë e Tij në këtë botë.

Ne mund ta dimë që Bibla është Fjala e Perëndisë, në të njëjtën mënyrë sikurse e dimë që bota është bota e Perëndisë, është e njëjta dinamikë dhe i njëjti parim. Dhe teksti që më çon në atë drejtim është 2 e Korintasve 4:4; 4: 6: “Të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë – ja fraza e rëndësishme – që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata.” Këtu shohim që ka një dritë të ungjillit, kur ungjilli flitet, kemi një lavdi të Krishtit që shkëlqen në të, të cilën duhet ta shohim. Pastaj vargu gjashtë thotë: “Sepse Perëndia që tha [kur po krijonte botën]: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.”

Prandaj, Perëndia lëviz në zemrën tonë. Ai i largon luspat nga sytë tanë dhe na aftëson të shohim në Fjalë, në tregimin dhe historinë e ungjillit, lavdinë e Perëndisë, në mënyrë që ta dimë që ky është ungjilli i Perëndisë, sikurse dimë që kjo botë është bota e Perëndisë. Prandaj, Pali thotë: “Kur historia e ungjillit, kur Fjala shpallet në mënyrë të plotë dhe të vërtetë, ky është ungjilli i lavdisë së Krishtit, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë.” Nga kjo mendoj se Pali afirmon faktin që lavdia e Perëndisë shihet në Fjalën e Perëndisë. Për Palin, ungjilli është një Fjalë e artikulueshme. Kjo lavdi është si dritë për sytë e zemrës njerëzore. Ne shohim lavdinë e Perëndisë dhe ajo mbart me vete provën që është lavdia e Perëndisë. Prandaj, kjo është lavdia e Fjalës së Perëndisë, në të cilën ajo shkëlqen. Kështu është me Fjalën e Perëndisë, sikurse dhe me botën e Perëndisë.

Nga përjetimi që kam pasur me Fjalën përgjatë viteve dhe nga bindja se Perëndia pret që ta shohim Atë dhe lavdinë e Tij vetë vërtetuese në Fjalën e Tij, nga ky përjetim dhe nga kjo bindje, po kaloj në pikën e dytë, domethënë te fakti që Fjala e Perëndisë është e vërtetë. “Shuma e fjalës sate është e vërteta (Psalmi 119:160).” Çdo fjalë e vetme është e vërtetë. Prandaj, nëse kjo është Fjala e Perëndisë, ajo është e vërtetë. Është e pagabueshme!

Pjesë e kësaj është edhe dëshmia; kjo është gjëja e tretë. Pjesë e kësaj të vërtete është dëshmia e Fjalës së Perëndisë për veten, e saj e cila nuk mund të bjerë poshtë. Gjoni 10:35: “Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë”. Prandaj ndërsa ecni në këtë përjetim të parë, të gjerë, mahnitës dhe vetëvërtetues me Fjalën e Perëndisë, ku Ai thotë: “Kjo është Fjala ime dhe kjo është lavdia ime”, dhe nga aty kaloni te pika ku Perëndia ju flet të vërtetën dhe pastaj shihni se çfarë thotë Perëndia për Fjalën e Tij, ndieni që bindja juaj për pagabueshmërinë e Shkrimit rritet. Për këtë gjë do t’ju rekomandoja librin e ri të Kevin DeYoung Taking God at His Word, ku ai i shpjegon shumë nga këto tekste, se çfarë mëson Bibla në lidhje me veten e saj.

Ndoshta një gjë të fundit. Nëse do të më pyesnit personalisht rreth përjetimit tim se si unë jam i bindur të besoj se Bibla është Fjala e Perëndisë dhe si e tillë është e pagabueshme, unë do të fokusohesha shumë te Jezusi dhe Pali. Kjo që po them tani është biografi. Nuk po përpiqem të them se Bibla na thotë kështu, është thjesht mënyra se si John Piper e përjeton Perëndinë përmes Biblës dhe arrin në bindjen e tij rreth pagabueshmërisë së Biblës. Unë fokusohem te Jezusi dhe Pali.

Sa më shumë që kam qenë duke e lexuar Biblën, jam 69 vjeç dhe e kam lexuar Biblën që kur isha 5 vjeç, sa më tepër i kam parë mësimet dhe veprat e Jezusit përgjatë viteve, sikurse na janë dhënë në katër ungjijtë, jam bindur – dhe nuk është një zgjedhje e madhe nga ana ime – jam i bindur, më duhet të them se kam parë lavdinë e Tij, lavdinë e Tij si Biri i Atit. Gjoni 1:14 është bërë përjetimi im. “Ne soditëm lavdinë e Tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit.” Prandaj, Ai dhe gjithë fjalët dhe veprat e Tij janë fjalë të së vërtetës, për shkak se Ai është e vërteta. Ai e ka konfirmuar veten, është shfaqur dhe ma ka zbuluar lavdinë e Tij. Nuk mund të largohem nga Jezusi. Nuk mund ta shoh dot Atë në ndonjë mënyrë tjetër, përveçse si personin e lavdishëm që Ai është në realitet.

Dhe gjëja e dytë: sa më tepër që i lexoj letrat e Palit, aq më tepër jam i bindur të them se ai nuk është i marrë. Ai nuk është i rrjedhur, nuk është sharlatan, ai është më real se çdo njeri tjetër mëkatar. Ai nuk është Jezusi! Ai është më real se çdo njeri tjetër mëkatar që kam njohur ndonjëherë. Ai është autentik dhe i tillë është edhe mesazhi i tij. Prandaj, Jezusi dhe Pali në mënyrat e tyre unike janë mishërime bindëse të lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Krishtit, njëri si Perëndi dhe tjetri si dëshmitar besnik për Perëndinë. Ata janë të vërtetë dhe ajo që thonë për gjithë Shkrimet më mjafton që t’u besoj, pa përmendur pastaj faktin që edhe ato shkëlqejnë me lavdinë e Perëndisë që i frymëzoi.

Prandaj për ta thënë me një fjali, unë besoj në vërtetësinë e Biblës, për shkak të origjinës hyjnore të saj dhe kjo origjinë hyjnore është po aq e dukshme sa dhe origjina hyjnore e gjithësisë.

E jashtëzakonshme! Faleminderit pastor John dhe sikurse dëgjuat, kjo del nga libri i ri i John Piper, të cilin ai sapo e përmendi që e shkroi së fundi. Për këtë libër të ri folëm më tepër në episodin 583, i cili titullohet “Libri i ri që shkroi John Piper”. Nëse e ndiqni atë episod, do të dëgjoni hollësi për atë libër, të cilat nuk do t’i gjeni askund tjetër në internet. Nëse doni të dini më tepër, ndiqni episodin 583 në arkivat tona. Nëse keni ndonjë pyetje të shkëlqyer si Bryce, na e dërgoni. Mund të shkarkoni aplikacionet e episodeve falas dhe mund të bëni kërkime në arkivën e episodeve tona online, në adresën desiringgod.org/askpastorjohn. Unë jam prezantuesi juaj Tony Reinke, pastor John dhe do të kthehemi nesër. Dëgjohemi atëherë!


Përktheu: Asim Hamza
Redaktoi: Linea Simeon

Artikulli – Episodi origjinal: https://www.desiringgod.org/interviews/can-we-trust-the-bible


Tags


Postime të ngjashme

Nevoja për “kopshtari frymërore” në shtëpinë tënde

Nevoja për “kopshtari frymërore” në shtëpinë tënde

Çfarë mësoi Jezusi në lidhje me politikën?

Çfarë mësoi Jezusi në lidhje me politikën?