9 shkurt

Shkurt 2022


Ne kemi nevojë të meditojmë thellë mbi superioritetin e Perëndisë si shpërblimi ynë i madh mbi gjithçka që bota ka për të na ofruar. Nëse nuk e bëjmë, do ta duam botën si gjithë të tjerët dhe do të jetojmë si gjithë të tjerët.

Prandaj, merr gjërat që e motivojnë botën dhe medito sesa më i mirë dhe më i qëndrueshëm është Perëndia. Merr paranë, seksin ose pushtetin dhe mendo për to në lidhje me vdekjen. Vdekja do t’i heqë tej secilën prej tyre. Nëse jeton për këtë, nuk do të marrësh shumë dhe atë që e merr, e humbet.

Gjithsesi, thesari i Perëndisë është pafundësisht edhe më superior, dhe ai mbetet përjetë. Ai thesar shkon përtej vdekjes. Është më i mirë se paraja, për shkak se Perëndia zotëron të gjithë paranë dhe Ai është Ati ynë. Ne jemi trashëgimtarët e Tij. “Të gjitha janë tuajat. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë” (1 e Korintasve 3:22-23).

Është më i mirë se seksi. Jezusi nuk pati kurrë marrëdhënie seksuale dhe Ai ishte njeriu më i plotë që ka ekzistuar ndonjëherë. Seksi është një hije—është një imazh—për një realitet më të madh, për një marrëdhënie dhe një kënaqësi që do ta bëjë edhe seksin më të jashtëzakonshme të duket si diçka tepër e mërzitshme.

Shpërblimi i Perëndisë është më i mirë se pushteti. Nuk ka pushtet më të madh njerëzor sesa të jesh fëmijë i Perëndisë së plotfuqishëm. “A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj?” (1 e Korintasve 6:3). “Atij që fiton do t’i jap të ulet me mua në fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim në fronin e tij” (Zbulesa 3:21).

Kështu mund të vazhdojmë me çdo gjë tjetër. Perëndia është më i mirë dhe më i qëndrueshëm se gjithçka që bota ka për të na ofruar.

As që mund të krahasohen. Perëndia fiton çdo herë. Pyetja është: A do ta marrim Atë si thesarin tonë? A do të zgjohemi nga dalldisja trullosëse e kësaj bote dhe ta shohim, ta besojmë, ta duam dhe të gëzojmë në atë që është me të vërtetë reale, pafundësisht e vlefshme dhe e përjetshme?


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia