prill 9

Prill 2022


Struktura e psalmit 23 është një udhëzues.

Në Psalmi 23:1-3, Davidi i referohet Perëndisë si “Ai”:

Zoti është bariu im...
Ai më çon në kullota me bar të njomë...
Ai më prin...
Ai ma përtërin shpirtin.

Pastaj në vargjet 4 dhe 5, Davidi i referohet Perëndisë si “Ti”:

Nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua;
shkopi yt dhe kërraba jote janë ato që më japin zemër.
Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi;
ti vajos kokën time me vaj;
kupa ime po kapërderdhet.

Pastaj, në vargun 6, ai i kthehet sërish të parës:

Unë do të banoj në Shtëpinë e Zotit ditë të gjata.

Nga kjo strukturë mund të mësojmë që është më mirë të mos flasim gjatë për Perëndinë pa i folur Perëndisë.

Çdo i krishterë është minimumi një teolog amator—domethënë, një person që përpiqet të kuptojë karakterin dhe udhët e Perëndisë, dhe pastaj e shpreh atë me fjalë. Nëse nuk jemi teologë të vegjël, atëherë kurrë nuk do t’i themi ndonjë gjë njëri-tjetrit, ose Perëndisë, për Perëndinë, dhe nuk do të jemi dhe aq ndihmë për besimin e njërit-tjetrit.

Megjithatë, ajo që kam mësuar nga Davidi në Psalmin 23 dhe në psalme të tjerë, është që duhet ta ndërthur teologjinë time me lutjen. Duhet që ta ndërpres shpesh të folurit tim për Perëndinë për t’i folur Perëndisë.

Jo shumë larg fjalisë teologjike: “Perëndia është bujar,” duhet të vijë fjalia e lutjes: “Faleminderit Perëndi për bujarinë tënde.”

Menjëherë pas: “Perëndia është i lavdishëm,” duhet të vijë fjalia: “E admiroj lavdinë tënde.”

Kështu duhet të jetë, nëse ne po e ndiejmë realitetin e Perëndisë në zemrat tona dhe gjithashtu po e mendojmë atë në mendjet tona, e përshkruajmë me buzët tona.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia