nentor 9

Nëntor 2022


Kur Jezusi të kthehet në këtë tokë, dhe Ai e ka premtuar se do ta bëjë, ata që nuk e kanë besuar ungjillin, Pali thotë se: “do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e forcës së tij.” Kjo është një tablo e tmerrshme, që duhet t’i tmerrojë të gjithë jobesimtarët që e dëgjojnë këtë të vërtetë.

Oh, sa shumë duhet të na kthjellojë kjo e vërtetë ne që besojmë, dhe të na mbushë me seriozitet për çfarë rrezikohet, ndërkohë që jemi në këtë botë. Oh sa shumë dhembshuri duhet të nxisë në zemrat tona për ata që nuk besojnë, apo që madje as nuk e dinë ungjillin.

Por për të na mbështetur në gjithë mundimin tonë, Pali na jep këtu dy fjalë të mahnitshme inkurajimi dhe shprese. “Kurse juve, që shtrëngoheni, [Perëndia do t’ju japë] të preheni bashkë me ne.” Nëse përjetojmë një përkeqësim të tmerrshëm të mundimit afër fundit të historisë, fjala e Perëndisë është: Mbahu fort: lehtësimi është rrugës. Mundimet e tua nuk do të thonë fjalën e fundit. Armiqtë e tu, në dukje të fuqishëm, do të pendohen për ditën që vunë dorë mbi popullin e Zotit.

Por pastaj vjen fjala më e mirë e inkurajimit dhe e shpresës. Jo vetëm që do të marrim lehtësim kur të vijë Zoti, por do të kemi përjetimin më të madh për të cilin u krijuam: Ne do të shohim lavdinë e Tij dhe do të mrekullohemi me Të, në atë mënyrë që Ai do të përlëvdohet në ne dhe gjithë bota do ta shohë këtë.

Vargu 10 thotë: “kur ai të vijë, atë ditë, të marrë lavdinë ndër shenjtorët e vet, dhe të admirohet ndër të gjithë ata që besojnë.” Ne u krijuam për t’u mrekulluar. Asgjë dhe askush nuk është më i mrekullueshëm sesa Jezu Krishti, Mbreti i lavdisë që u kryqëzua, u ringjall dhe që po kthehet sërish. Ai do ta arrijë synimin e lavdisë së Tij dhe ne do t’arrijmë synimin e gëzimit tonë kur të nisim të mrekullohemi përsosmërisht, pa mëkat dhe pafundësisht me mrekullinë më të madhe.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia