9 Maj 2026

“Për këtë arsye, ai duhej t’u ngjasonte vëllezërve në të gjitha, që të bëhej kryeprift i mëshirshëm dhe besnik në ato gjëra që kanë të bëjnë me Perëndinë, me qëllim që të shlyhen mëkatet e popullit. Se ngaqë ka vuajtur ai vetë kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.” HEBRENJVE 2:17-18

Shumë prej nesh janë të dekurajuar nga rregullsia me të cilën ne përballemi me tundimin. Mund të na vijë turp nga joshja dërrmuese e tundimit në jetën tonë. Kjo mund të na duket skllavëruese. Në ato çaste, është e rëndësishme të mbani mend se përvoja e tundimit, në vetvete, nuk është mëkat — sepse Krishti, i cili ishte i pamëkatë, e duroi atë. Por për shkak se Ai nuk iu dorëzua tundimeve, siç bëjmë ne shpesh, Ai shërben si shembulli ynë përfundimtar ndërsa përpiqemi të jetojmë si njerëz të drejtësuar.

Kur Krishti mori mbi Vete natyrën njerëzore, Ai iu nënshtrua kufizimeve dhe sprovave të saj. Prandaj, edhe pse Jezusi është Biri hyjnor i Perëndisë dhe Kryeprifti ynë i Madh, jo thjesht një vdekatar, ne mund të inkurajohemi nga të diturit se Ai është plotësisht në gjendje për të bashkëvuajtur me ne në betejat tona.

Bashkëvuajtja e Krishtit në sprovat me të cilat përballemi ju dhe unë, nuk varet nga përvoja e mëkatit, por nga përvoja e tundimit për të mëkatuar, të cilën vetëm Ai që është vërtet i pamëkatë, mund ta njohë në masën e tij të plotë. Jezusi nuk e tregon bashkëvuajtjen e Tij nga larg; Ai e njeh nga afër dhimbjen dhe sfidën e durimit të tundimit. Ai eci nëpër shtigjet tona tokësore.

Prandaj, atëherë kur jeni më të vetëdijshëm për tundimet me të cilat përballeni dhe kur jeni më të vetëdijshëm për dobësitë tuaja, ky është vendi ku mund të shkoni. Mos u mbështetni në urtësinë tokësore të “kryepriftërinjve të mëdhenj” të shekullit të 21-të, të cilët do t’ju thonë se tundimet janë dëshira që duhen përmbushur, se faji është një mundim që duhet refuzuar dhe se turpi është gjithmonë i padobishëm dhe i panevojshëm. Përkundrazi, kthehuni te Kryeprifti i Madh, i cili ju thotë se duhet t’u rezistoni tundimeve, i cili ju siguron fuqinë për ta bërë këtë (I Korintasve 10:13), dhe që, gjithashtu, ju siguron se faji dhe turpi juaj, kur i dorëzoheni tundimit, janë bartur në trupin e Tij dhe janë hequr tej në kryq.

Një nga gjërat që është vërtet e bukur për sa i takon marrëdhënies me Zotin Jezu Krisht, është se ti mund të ndihesh i sigurt për të shkuar përpara Atij që vdiq, në mënyrë që të mund të mbahesh fort pas besimit që rrëfen. Ti mund të shkosh rregullisht, me përulësi dhe me siguri në praninë e Vetë Perëndisë të Gjithëpushtetshëm, i cili të mirëpret nëpërmjet Krishtit, bashkëvuajtësit tënd të përsosur. Dhe përfundimisht, në përjetësi, nuk do të mbetet më asgjë për të cilën të kesh nevojë që Krishti të lutet në emrin tënd. Ti thjesht do të mund të qëndrosh përpara Perëndisë në adhurim, duke e lavdëruar Atë që të ftoi në praninë e Tij të përsosur. Deri atëherë, kërkoji Krishtit, i cili e di se ç’do të thotë të përballesh me tundimin dhe t’i rezistosh atij, që të jetë me ty sot, ndërsa ti lufton me tundimet e tua dhe ndërsa përpiqesh t’i bindesh Atij.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

HEBRENJVE 2:5-18