“…‘Nëse dikush dëshiron të më ndjekë pas, të mohojë vetveten dhe të mbartë kryqin e vet, dhe të më ndjekë. Sepse cilido që të dojë për ta shpëtuar jetën e vet, do ta humbë; por cilido që do ta humbë jetën e vet për shkakun tim dhe të ungjillit, do ta shpëtojë.’” MARKU 8:34-35
Ju nuk mund të bëni shumë gjëra në internet pa rënë dakord më parë për termat dhe kushtet e përdorimit. Dhe pasi të kemi përzgjedhur kutinë “Jam dakord”, institucionet financiare të kartave të kreditit, platformat e medieve sociale dhe faqet e internetit do të na dërgojnë herë pas here njoftime se politikat e tyre ligjore kanë ndryshuar — dhe se, për të vazhduar përdorimin e shërbimeve që ato ofrojnë, ne duhet të pranojmë termat dhe kushtet e reja.
Ndryshime si këto mund të jenë të shpeshta dhe pothuajse të pakapshme. Është praktikisht e pamundur t’i vëresh ose t’i gjurmosh të gjitha. Megjithatë, fatmirësisht, termat dhe kushtet për të qenë ndjekës i Krishtit nuk kanë ndryshuar kurrë dhe as nuk do të ndryshojnë ndonjëherë. Ato nuk mund të revokohen dhe as të përshtaten me parapëlqimet tona, sepse është Perëndia ai që i vendosi ato. Në këto vargje, Biri i Perëndisë po përcakton “termat dhe kushtet” se si të bëhesh një nga njerëzit e Tij dhe të marrësh jetën e përjetshme.
Ndonjëherë priremi të veprojmë sikur na duhet t’ia dalim me fuqitë tona për t’iu bindur Zotit. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe! Në Bibël na thuhet se, ashtu sikurse besojmë në Jezusin si reagim ndaj nismës dhe hirit të Tij (Efesianëve 2:8), po kështu i njëjti hir na mbështet dhe na e bën të mundur që të vazhdojmë ta ndjekim Atë (Filipianëve 1:6). Ai u jep formë mendjeve tona, moralit tonë, sjelljeve dhe mënyrave tona, që të mund të vihemi nën kontrollin e Atij që e kemi shpallur si Mbret.
Prandaj, një nga “kushtet” për ta ndjekur Krishtin, është që jeta jonë të mos ketë më vetveten në qendër. Identitetet dhe qëllimet tona individuale të mos jenë përparësia jonë. Përkundrazi, ne të transformohemi për të dhënë fryt që është i dukshëm për botën jashtë, nëpërmjet bashkimit tonë me Krishtin. Ai na bën thirrje që ta dënojmë në mënyrë radikale vetidhujarinë.
Nëpërmjet mohimit të vetvetes, ne e mbartim kryqin tonë dhe e ndjekim Atë. Fatkeqësisht, metafora e “mbartjes së kryqit tonë” shpesh banalizohet; ne do të bënim mirë të kujtonim që kryqëzimi, në të vërtetë, ishte një nga format më brutale dhe më të tmerrshme të ekzekutimit që ka shpikur ndonjëherë njerëzimi. Duke përdorur imazhin e mbartjes së një kryqi, Jezusi po thekson se dishepullimi mbart një çmim të madh.
Mirëpo Krishti nuk po na thërret të bëjmë ndonjë gjë që Ai nuk e ka bërë tashmë. Pikërisht në një kryq, Ai na bleu me një çmim (I Korintasve 6:20). Prandaj, ecja me Të në dishepullim është një marshim, si drejt vdekjes ndaj njeriut të vjetër, ashtu edhe drejt jetës së përjetshme. Kjo nuk është një shëtitje, por një flijim i gjallë, sepse nuk i përkasim më vetes. Megjithatë, merrni zemër, sepse në atë marshim ka edhe bukuri. Një ditë, Biri i Njeriut do të kthehet me pushtet dhe lavdi, dhe në mbretërinë e Tij do të shpengojë çdo gjë që është e thyer. Deri atëherë, humbja e jetës sonë për mbretërinë e Perëndisë është një pazar i mirë, pavarësisht nga çmimi.
