8 Maj 2026

“…ju do të merrni fuqi kur të ketë ardhur Fryma e Shenjtë mbi ju dhe do të jeni dëshmitarët e mi qoftë në Jerusalem e qoftë në gjithë Judenë, dhe në Samari, dhe deri në fund të dheut.”VEPRAT E APOSTUJVE 1:8

Fryma e Shenjtë na është dhënë në mënyrë që populli i Perëndisë ta sjellë fjalën e Perëndisë në botën e Perëndisë.

Pa Frymën, ngjarjet e Librit të Veprave të Apostujve — i cili tregon historinë e përhapjes së ungjillit, me dishepujt e Jezusit që dolën në rrugët e Jerusalemit duke shpallur mesazhin e Krishtit të ringjallur — nuk mund të kishin ndodhur. Në fund të fundit, disa javë para kësaj, po këta dishepuj ishin fshehur pas dyerve të kyçura: një grup i vogël dhe i frikësuar duke vajtuar për Mbretin e tyre të kryqëzuar. Cila qe arsyeja për transformimin e tyre të papritur?

Përgjigjja gjendet në triumfin e Jezusit mbi varrin dhe në premtimin që Ai u dha dishepujve të Tij — në premtimin e Frymës së Tij të Shenjtë për t’i aftësuar dhe për t’i fuqizuar ata. Ky premtim shoqërohej me një urdhër: dishepujt e Jezusit duhej të shkonin në mbarë botën dhe të predikonin lajmin e mirë.

Përpara se dishepujt të dilnin me entuziazëm, Jezusi ua mprehu fokusin. Ata nuk e kishin kuptuar ende faktin që Ai nuk interesohej vetëm për Izraelin, por për të gjithë popujt kudo. (Dhe atyre do t’u duhej pak kohë për ta vlerësuar plotësisht këtë të vërtetë: shih Veprat e Apostujve 10:1 – 11:18.) Prandaj, Jezusi i urdhëroi dishepujt e Vet që të ishin “dëshmitarët e [tij] qoftë në Jerusalem e qoftë në gjithë Judenë, dhe në Samari, dhe deri në fund të dheut”.

Pas lartësimit të Jezusit, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ndjekësit e Tij, ashtu siç kishte premtuar Jezusi — dhe më pas filloi historia e madhe e përhapjes së kishës në të gjithë botën e njohur. Kjo është një histori që nuk ka përfunduar ende, dhe përfshin çdo besimtar ndërsa ungjilli vazhdon të predikohet kudo në këtë botë.

Nëse jeni në Krishtin, ju zotëroni të njëjtin Frymë dhe aftësoheni nga fuqia e Tij për ta përhapur të vërtetën për Jezusin në mbarë botën. Fryma nuk u dha që ju dhe unë të mund të uleshim dhe t’u tregonim të krishterëve të tjerë përvojat tona frymërore. Përkundrazi, ne duhet t’i përdorim dhuratat dhe talentet tona për ta çuar ungjillin te kombet. Për disa prej nesh, kjo do të thotë të shkojnë në mision në kombe të tjera. Për të tjerë, kjo do të thotë të
kalojnë rrugën ose qytetin e tyre, si pjesë e të njëjtit mision.

Perëndia ju thërret t’i doni dhe t’u shërbeni edhe atyre me të cilët nuk keni një qytetari të përbashkët tokësore. Ai ju thërret të kapërceni ndarjet dhe të shkoni përkrah atyre ndaj të cilëve prej natyre do të ishit indiferentë, apo edhe përkrah atyre që jetojnë në armiqësi me ju. Por Ai nuk ju thërret për ta gjetur brenda vetes dashurinë dhe gëzimin që kërkohet për këtë. Jo — ne duhet të transformohemi nga një fuqi jashtë vetes sonë, dhe kjo është ajo që premtoi Jezusi dhe ajo që na siguron Fryma. Prandaj, kërkojini Perëndisë që ta derdhë  ërsëri Frymën e Tij në jetën tuaj sot, që të mund ta shpallni lajmin e mirë me guxim dhe zell.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

VEPRAT E APOSTUJVE 1:1-11