“Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por i rritni në edukim dhe këshillim të Zotit.” EFESIANËVE 6:4
Në shoqërinë romake, pushteti i babait ishte mbizotërues. Siç shkroi William Barclay: “Një baba romak kishte pushtet absolut mbi familjen e tij… Ai mund ta lidhte ose ta rrihte djalin e vet; ai mund ta shiste si skllav; dhe madje kishte edhe të drejtë ta ekzekutonte… Nëse kishte ndonjë popull që e dinte se çfarë ishte disiplina prindërore, këta ishin romakët.”
Prandaj, vëreni se këtu Pali nuk po bën thirrje thjesht për ushtrimin e autoritetit prindëror. Përkundrazi, ai po e merr për të mirëqenë që kjo është diçka me vend dhe po e zbut gjithashtu. Udhëzimi i tij është fillimisht në formën mohore: “…mos i zemëroni fëmijët tuaj…” Ai i nxit baballarët që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në disiplinimin e fëmijëve të tyre, që të mos shkaktojnë më shumë dëm se dobi, duke i zemëruar ose duke i bërë ata të shkurajohen, të hidhërohen apo të zemërohen.
Si mund të ndodhë që t’i provokojmë fëmijët tanë për zemërim? Përmes egoizmit, ashpërsisë, paqëndrueshmërisë, paarsyeshmërisë, favorizimit, bezdisjes, fajësimit, dështimit për të vlerësuar përparimin… Megjithatë, një listë e tillë e frikshme nuk duhet të na shkurajojë; përkundrazi, duhet të na kujtojë që pa hirin e Perëndisë e kemi krejtësisht të pamundur ta përmbushim këtë përgjegjësi.
E megjithatë, udhëzimi i Palit nuk është vetëm në formën mohore, por edhe në atë pohore. Folja “rritni” mund të nënkuptojë gjithashtu “ushqeni”. Ka diçka hortikulturore në këtë gjë — një kujtesë që jo vetëm duhet t’i rritim fëmijët tanë me butësi, por edhe që bërja e kësaj nuk është një detyrë e përkohshme; përkundrazi, ky është një udhëtim shumëvjeçar. Njëkohësisht, ky ushqim përfshin “edukimin” — domethënë, disiplinën e Shkrimit, përmes së cilës vetë babai përshtatet me shëmbëllimin e Krishtit — dhe “këshillimin”, i cili përfshin sjelljen me butësi të fjalës së Perëndisë në mendjet e fëmijëve tanë, në mënyrë që karakteri i tyre të transformohet vërtet.
Nëse je prind, si mund ta përmbushësh një detyrë të tillë? Kërkohet hir. Duhet edhe durim. E thënë me termat e bursës, prindërimi nuk është si tregtia e një dite; ky është një investim afatgjatë. Është e mahnitshme se si një “përbindëshe” katërvjeçare, e cila trajtohet vazhdimisht me dashuri dhe disiplinë të perëndishme, mund të bëhet një e re e maturuar dhe e dashur në fund të adoleshencës. Prandaj, nëse nuk je prind, lutu për ata që janë. Ata kanë nevojë për lutje! Nëse je prind, mendo për qasjen tënde. Si po e përforcon autoritetin prindëror në familje? Në ç’mënyra rrezikon më shumë t’i provokosh fëmijët e tu ndërsa e bën këtë? Si do t’i udhëzosh fëmijët e tu në fjalën e Perëndisë, dhe si mund ta shohësh karakterin tënd të formohet në ngjashmëri me Krishtin përmes përvojës së prindërimit? Në gjithë këtë, mbaj mend që prindërimi është një akt hiri. Ne duhet t’i përmbushim me besnikëri përgjegjësitë tona. Por ke për t’u dërrmuar nëse nuk mban mend që hiri është i mjaftueshëm për të kapërcyer çdo gabim — një e vërtetë për të të dhënë zemër dhe për të të mbajtur në gjunjë!
