8 Korrik 2026

“Dhe dolën farisenjtë e filluan për t’u rragatur me të, duke kërkuar prej tij një shenjë nga qielli, që ta sprovonin. Dhe si ofshau në frymën e tij, tha: “Pse ky brez kërkon një shenjë? Me të vërtetë po ju them se asnjë shenjë nuk do t’i jepet këtij brezi.” MARKU 8:11-12

Mësuesit e shkollave dhe profesorët e universiteteve shpesh hasin dy lloj pyetësish: ata që pyesin me përulësi dhe me interes të vërtetë, dhe ata që synojnë të sfidojnë në një mënyrë kundërshtuese. Duket qartë se të parët kërkojnë të kuptojnë, kurse të dytët janë më të interesuar të përparojnë një agjendë, të përforcojnë mendimet e tyre ose thjesht të duken të zgjuar.

Ndryshe nga turmat e njerëzve që ishin dëshmitarë të mrekullive të Krishtit dhe u mahnitën nga ato, farisenjtë shpesh e sfiduan mësimin e Jezusit dhe shërbesën e Tij publike, për ta vënë në provë dhe për ta minuar Atë. Ata nuk ishin aty për të parë veprat e Tij të mrekullueshme dhe as për të menduar nëse Ai ishte me të vërtetë personi që shpallte se ishte. Ata ishin aty për ta penguar dhe për ta zënë në kurth.

Jezusi reagoi me dhembshuri ndaj turmave që e ndiqnin. Ai kishte dashamirësi hyjnore për ata që erdhën tek Ai me përulësi në zemër, duke e pranuar nevojën e tyre. Ai nuk largoi askënd nga ata që erdhën për ta kërkuar të vërtetën me sinqeritet. Por Ai reagoi me zemërim të drejtë ndaj udhëheqësve fetarë antagonistë — reagimi hyjnor ndaj atyre që erdhën duke kërkuar të tregonin pozicionin e tyre dhe të kundërshtonin deklaratat e Tij.

Ka dy mënyra për të bërë një pyetje: me përulësi ose me arrogancë. Dhe Mësuesi e dallon gjithmonë ndryshimin.

Edhe pse disa njerëz thonë se janë fetarë, ata prapëseprapë nuk marrin asgjë nga mësimet e Biblës. Ata i dëgjojnë predikimet të diel pas të diele, duke kërkuar arsye për të mos u mbështetur tërësisht në veprën e përfunduar të Krishtit. Ata bëjnë pyetje që synojnë ta mbajnë Zotin larg tyre, dhe pastaj vrasin mendjen pse nuk gjejnë kurrë përgjigje të kënaq­shme. Mirëpo kjo nuk është rruga që ndjek fëmija i Perëndisë. Me butësi dhe kuriozitet, duhet të kërkojmë të mësojmë nga Mësuesi ynë dhe, kur zemrat tona shqetësohen, të vijmë tek Ai me përulësi, duke kërkuar ndihmë për të qenë të hapur ndaj përgjigjes dhe pa këmbëngulur që Jezusi të ndjekë agjendën ose pritshmëritë tona.

Nëse je i etur për dije, Bibla është në gjendje për ta kënaqur intelektin tënd. Nëse je shumë krenar, do të zbulosh se krenaria e shtrembëron aftësinë tënde për ta parë qartësinë dhe vërtetësinë e fjalës së Perëndisë. Krishti është më se i gatshëm për të kënaqur integritetin intelektual, por Ai nuk është aspak i gatshëm për të toleruar arrogancën.

Të gjithë kemi pyetje për Jezusin në lidhje me këtë botë, për jetën tonë dhe për shtegun ku duhet të ecim. Jezusi nuk do t’i largojë kurrë ata që vijnë tek Ai dhe Ai i mirëpret kërkesat e vëllezërve dhe motrave të Tij. Megjithatë, përveçse të mendoni për pyetjet tuaja, mendoni edhe zemrën tuaj. Bëjini pyetjet, por së pari mendoni se si po pyesni: a jeni të nxitur nga besimi duke kërkuar që të kuptoni apo nga krenaria duke kërkuar që të keni të drejtë?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17