Shtator_8

Shtator 2022


Vetë përdorimi i gjuhës “ç’do t’i jap ZOTIT në këmbim të gjithë të mirave që më ka bërë” më bën të ndihem në siklet. Shpagimi mund të nënkuptojë kaq lehtë që hiri është një formë kredie. Kjo është vërtet bujare, por duhet ta paguash sërish.

Te Veprat 17:25, Pali tha se Perëndia nuk “shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, frymëmarrje dhe gjithçka”. Me fjalë të tjera nuk mund t’i japësh asgjë Perëndisë, ose të bësh ndonjë gjë për Të, të cilën Ai nuk ta ka dhënë i pari, apo të mos e ketë bërë për ty.

Këtë gjë e sheh sërish te 1 e Korintasve 15:10: “Por me anë të hirit të Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje, jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë me mua.” Prandaj, asnjë nga veprat tona nuk mund të jetë shpagim ndaj Perëndisë, sepse vetë ajo vepër është një dhuratë tjetër nga Perëndia. Me çdo vepër që bëjmë për Perëndinë, ne hyjmë edhe më thellë në borxh ndaj hirit.

Prandaj në Psalmin 116, ajo që e mbron përmbushjen e betimeve nga rreziqet e trajtimit të tyre si shpagim i borxhit, është që “pagesa” në realitet nuk është një pagesë e zakonshme, por një akt tjetër marrjeje, i cili e madhëron hirin e vazhdueshëm të Perëndisë. Kjo nuk e lartëson zotësinë tonë.

Përgjigjja që psalmisti i jep pyetjes së tij: “Ç’do t’i jap ZOTIT në këmbim të gjithë të mirave që më ka bërë”, është: “Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërras emrin e Zotit.” Me fjalë të tjera, unë i bëj thirrje Zotit që ta mbushë kupën. T’ia shpaguash Zotit do të thotë të vazhdosh të marrësh nga Ai, në mënyrë që të madhërohet mirësia e pashtershme e Tij.

Të ngresh kupën e shpëtimit nënkupton ta marrësh në duar shpëtimin e kënaqshëm të Zotit, të pish prej tij dhe të presësh edhe më tepër. Këtë e dimë nga fraza: “Unë do të... thërras emrin e Zotit.” Do të thërras për më shumë ndihmë. Çfarë do t’i jap Perëndisë duke qenë se iu përgjigj me hir thirrjes time? Përgjigjja: Do t’i thërras sërish Atij. Do t’i jap Perëndisë lavdërimin dhe nderimin për faktin që Ai nuk ka kurrë nevojë për mua, por gjithmonë është i tejmbushur me të mira sa herë kam nevojë për Të (dhe në fakt, kam gjithmonë nevojë për Të).

Pastaj, gjëja e tretë që psalmisti thotë është: “Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit.” Pyetja është si do të plotësohen ato? Ato betime do të plotësohen duke ngritur kupën e shpëtimit dhe duke thirrur emrin e Zotit. Pra, ato do të përmbushen me anë të besimit në premtimin që më shumë hir–hir i gjithëmjaftueshëm–është gjithmonë duke ardhur.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia