“Engjëlli i ZOTIT iu shfaq dhe i tha: ‘ZOTI është me ty, o luftëtar trim!’.
Gedeoni iu përgjigj: ‘Imzot, në rast se ZOTI është me ne, atëherë pse na ndodhën
tërë këto?’…” GJYQTARËT 6:12-13
Çasti te Gjyqtarët 6, kur Gedeoni takon një engjëll, është njëkohësisht dramatik dhe i pavend. Engjëlli e quan atë “luftëtar trim”, ndërkohë që ai po fshihet në një shtrydhëse rrushi, në përpjekje për të shirë grurin pa u parë nga pushtuesit midianitë (Gjyqtarët 6:11). Nuk ka shumë fuqi apo trimëri te Gedeoni!
Duket sikur Perëndia e fokusoi kamerën te Gedeoni si një mikrokozmos i popullit të Tij. Ndoshta në atë çast, Gedeoni ktheu kokën pas, duke pyetur veten nëse përshëndetja ishte vërtet për të. Në fund të fundit, Zoti kishte lejuar që populli i Tij të fshihej nëpër shpella. Prandaj, ai pyeti: “…në rast se ZOTI është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto?”.
Kjo është pyetje me vend: nëse Perëndia është Ai që thotë se është, atëherë pse i lejon rrethanat shqetësuese në jetën tonë? Sigurisht që edhe ne e bëjmë të njëjtën pyetje. Jeta e secilit prej nesh është e mbushur plot me “nëse” dhe “pse”. Megjithatë, duhet të marrim zemër kur mësojmë se, nëse Perëndia mundi t’i përgjigjej pyetjes së Gedeonit ose thirrjeve të Izraelit, Ai me siguri që mund t’i trajtojë edhe pyetjet tona të vështira — edhe nëse përgjigjja e Tij nuk është gjithmonë ajo që presim.
Kur izraelitët i klithën Perëndisë për ndihmë te Gjyqtarët 6:7, Ai nuk u përgjigj duke u dërguar një luftëtar për t’i çliruar, por një profet për t’i mësuar (v. 8). Perëndia e dinte se ata kishin nevojë që të dëgjonin fjalën e Tij në mes të sprovave të tyre. Në fund të fundit, ata duhej të ktheheshin tek Ai dhe të besonin në premtimet e Tij. Me pak fjalë, profeti u tha atyre atë që engjëlli do t’i thoshte Gedeonit: “ZOTI është me ty!”. Prania e Perëndisë dhe ekzistenca e sprovave mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën.
Pyetjet që ngremë, në fund nuk marrin përgjigje në një listë me “pesë hapa të lehtë”, por në faktin që Perëndia na e zbulon Veten e Tij nëpërmjet fjalës së Tij. Në rastin e Gedeonit, përgjigjja e Perëndisë dukej sikur nuk ishte aspak e tillë. Nuk pati asnjë dialog në lidhje me rrethanat e Izraelit apo ndonjë shpjegim për armiqtë e tij. Përkundrazi, ZOTI u kthye nga Gedeoni dhe i tha: “Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Midianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?” (Gjyqtarët 6:14).
Gedeoni ndihej i pafuqishëm: “O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim” (Gjyqtarët 6:15). Megjithatë, shpesh, pikërisht atëherë kur pranojmë pamundësinë tonë, Perëndia fillon të veprojë në ne. Derisa të arrijmë në pikën ku mund të shohim dobësinë tonë, nuk do të jemi të prirur për t’u lutur, për të ecur të palëkundur nëpër sprova ose për të ndaluar së besuari te vetvetja. Vetëm kur i njohim të metat tona dhe dëgjojmë premtimin e Perëndisë për të qenë me ne dhe për të punuar brenda nesh dhe nëpërmjet nesh, do të përkushtohemi për t’i shërbyer Atij me gjithçka që kemi, edhe pse ndihemi të dobët dhe jemi të tillë. Kjo është e vërtetë, sepse, në fjalën e Tij, Perëndia premton se dobësia jonë bashkë me forcën e Perëndisë mjaftojnë për çdo detyrë në të cilën Ai na thërret (Filipianëve 4:13).
