7 Qershor 2026

“Dëgjuat se u tha: ‘sy për syrin dhe dhëmb për dhëmbin’. Por unë po ju them:
të mos i bëni qëndresë të ligut; përkundrazi, cilitdo që të qëllon në faqen e djathtë,
ktheja edhe tjetrën.”
MATEU 5:38-39

Kujt po i fliste Jezusi kur shqiptoi këto fjalë të njohura? Kujt po i thoshte Jezusi që të duronte të keqen dhe t’i rezistonte hakmarrjes?

Mund të duket e thjeshtë, por kjo pyetje trajton një dallim të rëndësishëm që ishte në mendjen e apostullit Pal teksa shkroi Letrën drejtuar Romakëve. Në kapitullin 12, ai i nxit kështu lexuesit e tij: “Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe…” (Romakëve 12:17), dhe “…munde të keqen me të mirën” (v. 21), duke i bërë jehonë mësimit të Zotit: që duhet të kthejmë faqen tjetër. E megjithatë, vetëm disa vargje më pas te Romakëve 13, ai thotë se Perëndia i ka caktuar autoritetet civile si shërbëtorët e Tij, me qëllim që të miratojnë atë që është e mirë dhe të ndëshkojnë atë që është e keqe (13:1-4). Prandaj, ndonjëherë e keqja ndëshkohet, ndërsa herë të tjera jo — të paktën jo menjëherë.

Si Pali, ashtu edhe Jezusi, bënë një dallim të rëndësishëm, të cilin duhet ta kujtojmë, mes mënyrës se si individët e krishterë duhet të reagojnë ndaj së keqes që u bëhet atyre (që trajtohet te Romakëve 12) dhe ekzekutimit të sundimit të ligjit (që trajtohet te Romakëve 13).

Të krishterët nuk duhet ta marrin drejtësinë në duart e tyre. Përkundrazi, ne duhet t’ua besojmë shpagimin e së keqes autoriteteve që ka caktuar Perëndia. Autoritetet civile janë një shembull. Kur i përmbushin rolet e tyre siç duhet, ato shërbejnë për të ngjallur frikë për sjelljen e keqe, por jo për të mirën. Ato janë aty për të zbatuar besnikërisht sundimin e ligjit dhe për të ndëshkuar ata që e shkelin atë.

Të kuptuarit se Perëndia është krejtësisht i drejtë, do të na lirojë për t’iu bindur urdhrit të Jezusit që të kthejmë faqen tjetër. Kjo nuk është thirrje për t’u hequr sikur e keqja që na është bërë nuk është e keqe, ose për të përqafuar pikëpamjen dëshpëruese se nuk ka drejtësi. Kjo nuk është as thirrje për të pranuar që nuk duhet t’u drejtohemi autoriteteve civile atëherë kur viktima jemi ne vetë. Jo, të krishterët janë thirrur për të duruar dhe mund ta durojnë të keqen, sepse hakmarrja i përket Zotit (Romakëve 12:19). Ka raste kur Ai lejon që ajo hakmarrje të ushtrohet në këtë jetë, pasi Ai autorizon qeveritë njerëzore të mbajnë “shpatën” (13:4). Por në ditën e Zotit, Vetë Ai do ta zbatojë drejtësinë dhe çdo e keqe e bërë në botën e Tij, do të shpaguhet plotësisht.

Prandaj, ju dhe unë jemi të lirë për të kërkuar drejtësi nga autoritetet që Perëndia ka caktuar për të mbrojtur njerëzit dhe për të ndëshkuar keqbërjet. Po kështu, jemi të lirë për të kthyer faqen tjetër, duke i rezistuar dëshirës shumë të natyrshme për t’i marrë gjërat në duart tona dhe për të marrë vetë hak. Drejtësia do të vijë, por jo nga duart tona.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17