“Ju hetoni Shkrimet, sepse ju mendoni të keni në to jetë të përjetshme,
dhe këto janë ato që dëshmojnë për mua; mirëpo ju nuk doni të vini tek unë
që të keni jetë.” GJONI 5:39-40
Një Krishtlindje, familja jonë vendosi të bëhej një familje që do të ndërtonte një lojë me formuese. Bëmë gati tavolinën, morëm formuesen më të madhe që mundëm të gjenim dhe i përhapëm të gjitha pjesët e saj. Fatkeqësisht, shumë shpejt e kuptuam se entuziazmi ynë nuk krahasohej fare me detyrën që kishim përpara. Herë pas here, njëri prej nesh shkonte te tavolina, merrte disa copa, nuk arrinte t’i bashkonte dot — dhe pastaj dorëzohej e largohej.
Është plotësisht e mundur që ju dhe unë ta studiojmë Biblën sikur po mbledhim copat dhe pjesët e një formueseje, duke mos arritur që t’i bashkojmë ato, dhe kështu nuk e shohim kurrë figurën madhështore përpara nesh. Me fjalë të tjera, siç thuhet edhe te Libri i Hebrenjve, ne mund ta studiojmë Biblën dhe të zbulojmë se ajo “nuk [ka] dobi” për ne, sepse ne nuk e bashkuam me besimin (shih Hebrenjve 4:2). Ne mund të jemi të përpiktë në studimin tonë të Biblës dhe të disiplinuar në mësimin përmendsh të saj, e megjithatë, gjatë gjithë kohës refuzojmë ta pranojmë vërtet Mesian për të cilin po lexojmë. Njerëzve të tillë, Jezusi u ofron fjalë sfiduese: “…fjalën e tij nuk e keni duke ndenjur në ju, sepse ju nuk i besoni këtij të cilin e dërgoi ai” (Gjoni 5:38).
Është kthjelluese të mendosh se edhe kur burrat dhe gratë e vendosin veten në një pozicion për ta marrë parasysh fjalën e Perëndisë, ata ende mund të refuzojnë të vijnë te Jezusi, Dhënësi dhe Mbajtësi i jetës. Prej natyre, ne i mbyllim veshët me gishta, për të mos e dëgjuar zërin e Perëndisë. Prej natyre, në Shkrim na thuhet: “…nuk ka asnjë që kërkon Perëndinë” (Romakëve 3:11).
Megjithatë, siç shkruan edhe një autor, edhe pse “nuk ka jetë në vetë Shkrimet… nëse i ndjekim atje ku na çojnë, ato do të na sjellin tek Ai, dhe kështu ne gjejmë jetë, jo në Shkrimet e Shenjta, por në Të nëpërmjet tyre”7. Fjala e Perëndisë në Shkrim dhe Fjala e Perëndisë e mishëruar janë të ndërthurura, me Frymën që e sjell fjalën e Perëndisë te njerëzit, që ata të mund të takohen me Krishtin dhe ta njohin Atë.
A po mbani në mendje pjesë të Biblës pa i bashkuar ato me njëra-tjetrën, dhe pastaj tërhiqeni prapa për të parë figurën e bukur të Jezusit, me krahët e shtrirë, gati për t’i shpëtuar ata që do të vijnë tek Ai me pendim dhe besim? A do ta kombinosh njohurinë tënde për fjalën e Perëndisë me besimin e vërtetë, në mënyrë që t’i shmangesh grackës së të diturit shumë për fjalën pa e njohur kurrë Fjalën? A do të vish çdo ditë te fjala e Perëndisë duke pritur të takohesh me Jezusin ndërsa Fryma e Tij vepron nëpërmjet fjalës së Tij? Le të jemi ne ata që i bëjnë jehonë profetit Samuel ndërsa hapim fjalën e Perëndisë: “Fol, sepse shërbëtori yt të dëgjon” (I i Samuelit 3:10).
