prill 8

Prill 2022


Sa më real të duket satani në ditët tona—pra, kur është e dukshme që ai është aktiv—aq më e çmuar do të bëhet fitorja e Krishtit për ata që i besojnë Atij.

Dhiata e Re na mëson se kur Krishti vdiq dhe u ringjall sërish, satani u mund përfundimisht. Tani atij i është dhënë një periudhë lirie e kufizuar, por fuqia e tij kundër popullit të Perëndisë është thyer dhe shkatërrimi i tij është i sigurt.

  • “Për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.” (1 e Gjonit 3:8)
  • “Po ashtu edhe ai [Krishti] u bë pjesëtar në po ato gjëra [mish dhe gjak], që të shkatërronte, me anë të vdekjes atë, që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin.” (Hebrenjve 2:14)
  • “[Perëndia] i zhveshi principatat dhe pushtetet, i turpëroi botërisht, duke ngadhënjyer mbi ata, nëpërmjet tij.” (Kolosianëve 2:15)

E thënë ndryshe, satani mori goditjen vendimtare në Kalvar. Një ditë, kur lirisë së kufizuar të satanit t’i vijë fundi, Zbulesa 20:10 thotë: “Dhe djalli... u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit... dhe do të mundohen ditë e natë në jetë të jetëve.”

Çfarë do të thotë kjo për ata nga ne që ndjekim Jezu Krishtin?

  • “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus.” (Romakëve 8:1)
  • “Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i drejtëson.” (Romakëve 8:33)
  • “As engjëjt, as pushtetet, as fuqitë dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.” (Romakëve 8:38-39)
  • “Ai në ju është më i madh se ai në botë.” (1 e Gjonit 4:4)
  • “Dhe ata [shenjtorët] e mundën atë me anë të gjakut të Qengjit dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre.” (Zbulesa 12:11)

Prandaj, “kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju”. Ai është mposhtur dhe neve na është dhënë fitorja. Detyra jonë tani është të jetojmë në atë fitore dhe t’ia bëjmë të ditur satanit mposhtjen e tij.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia