8 mars

Mars 2022                                                                      


Ndoshta fjalët më inkurajuese që kam dëgjuar për javë të tëra vijnë nga një profeci te Isaia 42:1-3, që flet si Jezusi do ta përdorë fuqinë e Tij frymërore.

A ndihesh si një “kallam i thyer”—si një nga ata zambakët e mëdhenj të Pashkës, të cilit i është thyer kërcelli dhe gonxhja ka prekur tokën e nuk po merr lëndët ushqyese? A ndihesh ndonjëherë sikur besimi yt është thjesht një shkëndijë e vogël dhe jo një flakë—si puna e asaj pikës së vogël të kuqe në fund të një qiriri, e cila mbetet pasi u ke fryrë qirinjve të ditëlindjes?

Merr zemër! Fryma e Krishtit është Fryma e inkurajimit: Ai nuk do ta këputë gonxhen tënde; Ai nuk do ta fikë shkëndijën tënde.

“Fryma e Zotit është mbi mua... për të ungjillëzuar të varfrit” (Luka 4:18). “Do të lindë dielli i drejtësisë me shërimin në krahët e tij” (Malakia 4:2). “[Ai është] zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj” (Mateu 11:29). “Prit me ngulm Zotin; ji i fortë, ki zemër, pra, prit me ngulm Zotin” (Psalmi 27:14).

Ne mund të vajtojmë se jemi vetëm një shkëndijë, dhe jo një zjarr i përflakur. Por dëgjo dhe inkurajohu: Po, ekziston një ndryshim i madh mes një shkëndije dhe një zjarri, por ka një ndryshim të pafund mes një shkëndije dhe mungesës së saj! Një besim sa fara e sinapit është pafundësisht më afër të qenët një mal besimi, sesa të qenët pa besim.

Hape dritaren e premtimeve të Perëndisë dhe lëre Frymën të fryjë në çdo dhomë të zemrës tënde! Era e shenjtë e Perëndisë nuk do të të thyejë e as nuk do të të shuajë. Ai do të ta ngrejë kokën lart dhe do të ta ngjallë shkëndijën tënde për t’u bërë flakë. Ai është Fryma e inkurajimit!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia