korrik 8

Korrik 2022


Besimi shpëtues nuk është thjesht të besuarit se je falur. Besimi shpëtues sheh tmerrin e mëkatit dhe pastaj sheh shenjtërinë e Perëndisë. Më pas, besimi shpëtues percepton në kuptimin frymëror që falja e Perëndisë është e bukur dhe patregueshmërisht e lavdishme. Ne e admirojmë faljen, jo thjesht e pranojmë. Ne kënaqemi me miqësinë tonë të re me një Perëndi të tillë madhështor dhe falës.

Besimi në faljen e Perëndisë nuk është thjesht bindja që kam shpëtuar nga llogaridhënia, por do të thotë që të shijosh të vërtetën se një Perëndi falës është realiteti më i çmuar në gjithësi. Besimi shpëtues e çmon të qenët i falur nga Perëndia dhe nga kjo buron çmuarja e Perëndisë që fal—dhe gjithë sa Ai është për ne në Jezusin. Ky përjetim ka një efekt të jashtëzakonshëm që të bëhemi njerëz që falim.

Akti i madh që bleu faljen tonë është kryer në të shkuarën—dhe ky është kryqi i Krishtit. Përmes këtij vështrimi pas, ne mësojmë për hirin, mbi të cilin do të qëndrojmë përherë (Romakëve 5:2). Ne mësojmë se tani jemi dhe gjithmonë do të jemi të dashur dhe të pranuar. Ne mësojmë se Perëndia i gjallë është një Perëndi që fal.

Akti i madh i përjetimit të faljes sonë vazhdon përjetësisht në të ardhmen. Bashkësia jonë e gëzueshme me Perëndinë madhështor që fal, vazhdon përjetë. Prandaj, liria për faljen, e cila rrjedh nga kjo bashkësi, që na kënaq plotësisht me Perëndinë falës, zgjat aq sa ne.

Kam mësuar se është e mundur të vazhdosh dhe të mbash mëri, nëse besimi yt konsiston thjesht në vështrimin pas te kryqi dhe në përfundimin se ia hodhe. Kjo është arsyeja pse jam detyruar të shkoj më thellë në të kuptuarit se çfarë është besimi i vërtetë. Besimi i vërtetë nuk është thjesht lehtësimi që ia hodha, por është edhe një kënaqësi e thellë me gjithë sa Perëndia është për mua në Jezusin. Ky besim sheh pas, jo thjesht për të zbuluar që ia kemi hedhur, por gjithashtu që të shohim dhe të shijojmë atë lloj Perëndie, i cili na ofron një të ardhme të pafundme të nesërmesh në pajtim dhe në bashkësi me Të. Bashkësia, që gëzojmë me një Perëndi të tillë falës, është thelbësore që ne të jemi njerëz që falim.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia