7 mars

Mars 2022                                                                      


Si mund të mbushemi me Frymën e Shenjtë? Si mund të përjetojmë derdhjen e Frymës së Shenjtë mbi kishën dhe veten tonë, gjë e cila na mbush me gëzim të paepur dhe na çliron për t’i dashur njerëzit përreth nesh në mënyra aq autentike, sa të fitohen për Krishtin?

Përgjigjja: Medito ditë e natë mbi premtimet e pakrahasueshme dhe shpresëdhënëse të Perëndisë. Sipas Romakëve 15:4, kjo ishte mënyra si Pali e mbajti zemrën e tij të mbushur me shpresë, gëzim dhe dashuri: “Sepse, sa u shkruan më përpara, u shkruan për mësimin tonë, që me anë të durimit dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.”

Siguria e plotë e shpresës vjen nga meditimi i premtimeve të fjalës së Perëndisë. Kjo nuk bie ndesh me fjalinë pas nëntë vargjesh, që thotë se Fryma e Shenjtë na jep shpresë (Romakëve 15:13), sepse Fryma e Shenjtë është autori hyjnor i Shkrimit. Fjala e Tij është mjeti përmes të cilit Ai punon. Nuk ka kontradiktë në faktin që Ai na mbush me shpresë duke na mbushur me premtimet e Tij.

Shpresa nuk është një emocion i mjegullt që vjen papritur, si puna e dhimbjeve të stomakut. Shpresa është siguria që e ardhmja e jashtëzakonshme e premtuar nga fjala e Frymës, do të bëhet realitet. Prandaj, ne mbushemi me Frymën kur mbushemi me fjalën e Tij. Ne kemi fuqinë e Frymës duke besuar premtimet e fjalës së Tij.

Është fjala e premtimit ajo që na mbush me shpresë, shpresa na mbush me gëzim, gëzimi gufon në fuqi dhe liri për ta dashur të afërmin tonë. Kjo është plotësia e Frymës së Shenjtë!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia