6 Qershor 2026

“Lum ai njeri të cilin ZOTI nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit
nuk ka vend mashtrimi.”
PSALMI 32:2

Në romanin “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit, një nga personazhet i jep tjetrit këtë këshillë: “Mbi të gjitha, mos e gënje veten. Njeriu që gënjen veten dhe dëgjon gënjeshtrën e tij, arrin në një pikë ku nuk dallon asnjë të vërtetë, as në vetvete dhe askund tjetër rreth tij, dhe kështu humbet respektin ndaj vetes dhe të tjerëve.” Pothuajse tre mijë vjet më parë, edhe Davidi i përshkroi efektet e mundshme të vetëmashtrimit në lidhje me gjendjen tonë të vërtetë.

Ndershmëria është jetike për zbulimin e lumturisë. Njerëzit e gëzuar dhe të kënaqur nuk gënjejnë as veten dhe askënd tjetër. Nuk mund ta mashtrojmë veten dhe të gëzojmë lumturinë e vërtetë; mashtrimi dhe lumturia nuk qëndrojnë bashkë.

Bibla na bën thirrje që të tregohemi sa më të ndershëm me veten. Ajo hedh dritë mbi zemrat dhe mendjet tona, duke zbuluar të vërtetën e gjendjes së vështirë njerëzore. Na thuhet se jetojmë në paudhësi, gjë që rezulton në një prirje të brendshme ndaj keqbërjes dhe në një natyrë të korruptuar nga mëkati. Ne jemi shkelës që shkojmë atje ku nuk duhet. Ne jemi mëkatarë që nuk arrijmë të jetojmë sipas standardeve tona, për të mos folur pastaj për standardin që ka vendosur Perëndia.

Befasia e këtij vargu është që Davidi fillon me fjalën “lum” ose “i bekuar”, por menjëherë pas kësaj paraqet realitete të tilla të vështira si paudhësia jonë dhe aftësia jonë për të mashtruar veten dhe Perëndinë në lidhje me këtë. Mirëpo arsyeja pse ai mund ta bëjë këtë është ngaqë gjendja e vështirë me të cilën përballet, trajtohet më së miri nga kura që ofron Perëndia.

Vini re se Davidi nuk thotë: “Lum njeriu të cilit Zoti nuk ia numëron paudhësinë.” Ai thotë: “Lum ai njeri të cilin ZOTI nuk e padit për paudhësi.” Duke qenë se Perëndia është i shenjtë, Ai duhet ta llogaritë mëkatin — por Ai ia llogarit atë dikujt tjetër. Ai ia llogarit atë Birit të Tij, Zotit tonë Jezu Krisht. Në fjalët e Davidit, gjejmë doktrinën mahnitëse të drejtësimit me anë të besimit. Këtë doktrinë e shohim së pari në marrëdhënien e Perëndisë me Abrahamin, i cili “i besoi ZOTIT dhe kjo iu llogarit për drejtësi” (Zanafilla 15:6). Në çastin që besojmë vërtet se mëkatet tona i janë llogaritur Shpëtimtarit tonë, do të bekohemi; do të jemi më të lumtur se kurrë më parë.

Prandaj, rruga drejt bekimit fillon me ndershmërinë. Ne nuk jemi njerëz të mirë që bëjmë gabime rastësore. Nuk jemi individë të mrekullueshëm me disa të meta që mund t’i atribuohen mënyrës se si u rritëm, mjedisit tonë ose faktit që nuk fjetëm mirë natën e kaluar. Ne jemi mëkatarë me zemra mashtruese, mëkatarë që nuk i arrijnë standardet e lavdishme të Perëndisë dhe nga natyra meritojnë vetëm zemërimin (Jeremia 17:9; Romakëve 3:23; Efesianëve 2:1-3). Tregohuni të ndershëm në lidhje me faktin se kush jeni. Tregohuni specifikë se si keni mëkatuar kundër Zotit. Atëherë do të jeni gati për të përqafuar lajmin më të gëzueshëm në botë: se çdo ditë, edhe pse “mëkatet janë të shumta, mëshira është më e thellë”.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17