“…ZOTI e sillte mbarë në duart e tij gjithçka bënte.” ZANAFILLA 39:2-3
Nëse Jozefi nuk do të kishte pasur asgjë tjetër përveç rrobës së tij të famshme me ngjyra të ndezura, ai do të ishte shkatërruar tërësisht kur vëllezërit e tij ia morën dhe e shitën si skllav. Mirëpo burri që e veshi atë rrobë, kishte karakter përbrenda — dhe kur Jozefi humbi rrobën, ai nuk humbi karakterin e vet. Përkundrazi, ai vazhdoi të formohej dhe të përshtatej si skllav në shtëpinë e Potifarit. Me këtë kupë mundimi, Perëndia derdhi bekim dhe favor mbi jetën e Jozefit.
Do të kishte qenë e kuptueshme nëse, kur u bë skllav në një shtëpi egjiptiane, Jozefi do të ishte mbyllur në një fshikëz izolimi, duke refuzuar të përfshihej në botën përreth tij, duke protestuar kundër paganizmit të Egjiptit dhe duke reaguar me zemërim ndaj autoritetit të Potifarit. Megjithatë, kjo qasje nuk do t’i kishte dhënë atij mundësi për të dëshmuar apo për të ndikuar. Në vend që të mbyllej përbrenda, Jozefi, me sa duket, vendosi të ishte shërbëtori më i mirë që kishte pasur ndonjëherë Potifari, sepse ai e dinte se në fund të fundit i shërbente Perëndisë. Ndërsa Jozefi përparonte falë mirësisë së Perëndisë, ai mbeti skllav. Jeta e tij e përditshme ishte e mbushur me punë angari — diçka të cilën shumica prej nesh mund ta kuptojnë! Mirëpo nëse ju dhe unë duam të lulëzojmë në rrethanat më të këqija ose më të zakonshme, duhet të mësojmë se si t’i marrim përvojat rutinë të jetës dhe të shohim dorën e bekimit të Perëndisë në to, cilatdo qofshin këto përvoja.
Për shkak se Jozefi ishte në gjendje për t’i besuar Perëndisë gjatë sprovave të tij, Potifari, siç na thuhet, e pa se Zoti ishte me Jozefin dhe kjo e shpjegonte gjithë suksesin e tij. Jozefit nuk iu desh t’i tregonte Potifarit se mbi jetën e tij kishte një favor të veçantë. Kur bekimi i Perëndisë është mbi jetën e dikujt, ai do të jetë i dukshëm — dhe nganjëherë, siç e shohim me Potifarin, nuk ka se si të mos vihet re, madje edhe nga jobesimtarët.
Duhet të mësojmë të jetojmë me vetëdijen se çdo çështje me të cilën merremi, çdo çast që kalojmë dhe çdo lëvizje që bëjmë, është një mundësi për t’i sjellë lavdi dhe lavdërim Perëndisë. Kudo që të gjendemi, edhe ne mundemi (ashtu siç u shkroi Pali atyre që, si Jozefi, e gjetën veten njëherazi si populli i Perëndisë dhe si të skllavëruar) të punojmë “prej shpirtit, si për Zotin e jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë. Shërbejini Zotit Krisht!” (Kolosianëve 3:23-24). Vetëm atëherë kur të kuptojmë që jemi krijuar për lavdinë e Tij, mund t’i kthejmë sprovat dhe mundimet e jetës në akte adhurimi. Në Bibël na thuhet se përgjegjësitë tona janë mundësi për të shfaqur varësinë tonë te Perëndia, si dhe prova të bekimit të Tij. Pavarësisht nëse jemi SHEF-a ose pastrues rrugësh, nëse tregtojmë aksione, ndërtojmë shtëpi ose ndërrojmë pelena, ne do të përulemi dhe do të lartësohemi njëkohësisht, ndërsa lutemi:
Mësomë, o Mbret, o Perëndi,
Që në gjithçka të të shoh Ty,
Dhe çfarëdo gjëje që të bëj,
Lërmë ta bëj si për Ty
