maj 6

Maj 2022


I vetmi gëzim që reflekton vlerën e Perëndisë dhe i cili shprehet bujarisht në dashuri që përlëvdon Perëndinë është gëzimi i rrënjosur në njohurinë e Perëndisë. Nëse njohuria jonë është e vogël apo e mangët, gëzimi ynë do të jetë një jehonë e dobët e përsosmërisë së vërtetë të Perëndisë.

Përjetimi i Izraelit te Nehemia 8:12 është një model se si ndodh në zemër gëzimi që e lavdëron Perëndinë. Ezdra u kishte lexuar fjalën e Perëndisë dhe levitët e kishin shpjeguar atë. Pastaj njerëzit u larguan “të kremtojnë me hare të madhe”.
Ky kremtim me hare të madhe ishte sepse ata i kishin kuptuar fjalët—fjalët e vërteta të Perëndisë.

Shumica prej nesh e kemi shijuar këtë përjetim në zemrën që na digjej nga gëzimi kur na u shpjegua fjala e Perëndisë (Luka 24:32). Jezusi tha dy herë se i mësoi dishepujt për hir të gëzimit të tyre.

▪Gjoni 15:11: “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.”

▪Gjoni 17:13: “I flas këto gjëra në botë, që të kenë gëzimin tim plotësisht në veten e tyre.”

Gjëja kryesore që shohim është vetë Zoti—vetë Perëndia —i cili e ofron veten e Tij që ta njohim dhe ta shijojmë. “Në Shiloh Zoti i shfaqej Samuelit me anë të fjalës së Zotit” (1 e Samuelit 3:21).

Ideja është që nëse gëzimi ynë do të reflektojë lavdinë e Perëndisë, atëherë ai duhet të rrjedhë nga njohuria e vërtetë se si Perëndia është i lavdishëm. Nëse duam që të kënaqemi ashtu si duhet me Perëndinë, duhet ta njohim me të vërtetë Atë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia