6 Maj 2026

“…mirë bëtë duke u bërë bashkëpjesëmarrës në mundimin tim. Tani, edhe ju e dini, o filipianë, se në fillim të predikimit të ungjillit, kur dola nga Maqedonia, asnjë kishë nuk mori pjesë me mua për çështje dhënieje
dhe marrjeje, përveç jush vetëm.” FILIPIANËVE 4:14-15

Të jesh i krishterë, do të thotë të jesh marrës dhe dhënës.

Shumë prej nesh janë edukuar për rëndësinë e të pasurit të një llogarie pensioni, në të cilën derdhim kontribute të vazhdueshme. Edhe pse do të ishte e gabuar që ta shpërfillnim plotësisht çështjen e marrjes së vendimeve të shëndosha financiare, si besimtarë duhet të marrim parasysh gjithashtu dhënien dhe investimin tonë në dritën e përjetësisë.

Në letrën e tij drejtuar kishës në Filipi, apostulli Pal i lavdëroi vëllezërit dhe motrat e tij në Krishtin për gatishmërinë e tyre për t’u bërë “bashkëpjesëmarrës në mundimin” e tij — një partneritet ky që përfshinte marrjen dhe dhënien e dhuratave materiale. Bujaria e filipianëve ishte e jashtëzakonshme për faktin se bënte kontrast të fortë me mungesën e një mbështetjeje të tillë për Palin nga kishat e tjera. Edhe pse kisha e tyre ishte një bashkësi e re, besimtarët filipianë kishin vendosur që në fillim për ta mbështetur apostullin në veprën e tij për ungjillin.

Mbështetja e tyre për Palin ishte jo vetëm e jashtëzakonshme, por edhe jetëgjatë. Dhurimi i filipianëve nuk ishte sporadik. Përkundrazi, ai u karakterizua nga qëndrueshmëria dhe vazhdimësia, teksa ata u përpoqën ta ndihmonin atë vazhdimisht në nevojat e tij. Edhe pse kishte kaluar një dekadë qëkurse Pali ua predikoi për herë të parë ungjillin, këta burra dhe gra ishin ende të përkushtuar.

Dhënia e tyre nuk ishte rezultat i një trazimi të vetëm emocional dhe as nuk ishte produkt i manipulimit të jashtëm. Jo, kjo kishë e hershme dha me vetëdijen se gjithçka që zotëronin, u ishte dhuruar falas. Në të vërtetë, kur i dërgoi dishepujt, Jezusi u kishte kujtuar atyre se, meqenëse “falas [morën]”, edhe ata duhej të jepnin “falas” (Mateu 10:8). Me fjalë të tjera, hiri i Perëndisë është themeli i partneritetit sakrifikues, bujar dhe me mend. Ai themel vendoset kur kuptojmë se gjithçka që jemi dhe gjithçka që kemi — të gjitha burimet, dhuntitë dhe talentet tona — janë prej Tij.

Jo të gjithë ne kemi të njëjtat dhunti ose mundësi për të dhënë — dhe sigurisht që dhënia monetare nuk është e vetmja mënyrë për të treguar dashamirësi! Megjithatë, duke qenë se të gjithë ne jemi marrës të asaj që na ka dhënë Perëndia, të gjithë ne do të jemi njerëz që synojnë t’u japin të tjerëve. Perëndia e ka bashkuar qëllimisht popullin e Tij në një mënyrë të tillë që secili prej nesh të japë “sipas hirit që na u dha” (Romakëve 12:6). Nuk duhet të japim thjesht sepse na kanë manipuluar ose sepse kemi dëgjuar një këngë emocionuese që na ka bërë të lotojmë, as nuk duhet të japim me synimin që emri ynë t’i vendoset një ndërtese ose një stoli. Jo, ne duhet të japim për një arsye dhe vetëm për një: sepse Perëndia na ka dhënë kaq lirisht dhe me kaq bujari.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

II KORINTASVE 9:1-15