7 Maj 2026

“…do ta ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha-dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t’i braktis. Do të kthejnë kurrizin plot me turp ata që kanë besim në shëmbëlltyrat e gdhendura dhe u thonë shëmbëlltyrave të derdhura: ‘Ju jeni perënditë tona!’.”ISAIA 42:16-17

Sipas fjalëve të Bob Dylan-it, ti duhet t’i shërbesh dikujt. Është e vërtetë — të gjithë ne adhurojmë diçka. Pyetja e vetme është se çfarë adhurojmë.

Shumë shpesh në kotësinë tonë njerëzore, ne përfundojmë duke u mbështetur në krijimet e vogla dinake, të cilat i shpikim vetë, dhe duke u shërbyer atyre. Gjatë gjithë historisë, problemi themelor i njerëzimit ka qenë se ne vazhdojmë të krijojmë perëndi të rremë, te të cilët shkojmë duke kërkuar shpëtim të rremë. Këta idhuj janë thjesht zëvendësues të Perëndisë të vërtetë në zemrat tona. Në vend që ta shohim Zotin si objektin e përkushtimit tonë dhe burimin e kënaqësisë sonë, ne i marrim gjërat e mira që Ai i krijoi për kënaqësinë tonë dhe i kthejmë në zëvendësues të kotë të Tij.

C. S. Lewis-i e shpreh kështu: “Ne jemi krijesa me gjysmë zemre, që e shpërdorojmë jetën me pije, seks dhe ambicie kur, në fakt, na është ofruar gëzimi i pafund, ashtu si një fëmijë i paditur që do të vazhdojë të bëjë kuleçë prej balte në një lagje varfanjakësh, për shkak se nuk mund të imagjinojë si është oferta e pushimeve në bregdet. Ne kënaqemi me pak gjë.”

Pavarësisht se në cilët zëvendësues që kemi brenda zemrës mund të mbështetemi, këta idhuj janë të pafuqishëm. Ata nuk mund të na ndihmojnë dot. Siç e bën të qartë Isaia, ata kurrë nuk kanë qenë në gjendje për të na treguar të ardhmen, as për të na ndihmuar të reflektojmë për të shkuarën; as nuk mund të japin këshilla. Ata u përgjigjen pyetjeve tona thjesht me heshtje dhe na lënë me pritshmëri të paplotësuara (Isaia 41:22-23, 28-29).

Vetëm Perëndia i vërtetë dhe i gjallë di gjithçka, nga fillimi në fund. Ai e theu heshtjen, duke e parathënë atë që do të ndodhte. Ai e mposht errësirën me dritën e Tij. Ai i zëvendëson “vendet dredha-dredha” të ligësisë me “fushën” e drejtësisë. Edhe pse dikur ia kthyem shpinën,Ai dërgoi Shërbëtorin e Tij, Jezusin, Këshilltarin tonë të Mrekullueshëm.

Ju dhe unë ballafaqohemi vazhdimisht me idhuj që kërkojnë vëmendjen tonë dhe na tërheqin që të gjejmë përmbushje tek ata dhe jo te Perëndia. Cilët janë idhujt që të thërrasin më fort? Të jesh i bindur se ata gënjejnë (edhe pse sigurisht që nuk ta thonë këtë). Fjala e Perëndisë na paralajmëron për turpin që gjendet në adhurimin e tyre dhe na prin në një udhë më të mirë: të gjejmë përmbushje duke i shërbyer Atij ndërkohë që Ai na shërben neve. Sot ti duhet t’i shërbesh dikujt. Sigurohu që ky të jetë Perëndia i gjallë dhe i dashur.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

ROMAKËVE 1:16-32