5 Maj 2026

“Dhe si bëri një kamxhik prej litarësh, i dëboi të gjithë prej tempullit, si dhe delet dhe qetë, dhe derdhi monedhat e këmbyesve, dhe përmbysi tavolinat… Dishepujt e tij u kujtuan se është shkruar: ‘Zelli i shtëpisë sate do të më përpijë’.”GJONI 2:15, 17

Kuptohet që një baba do të digjej nga një zemërim i drejtë nëse do të shihte që droga po ia shkatërronte jetën fëmijës së tij. Nuk do të prisnim që ai ta shpërfillte kalimthi një shkatërrim të tillë. Jo, ne do të prisnim që ai të bënte gjithçka të nevojshme për ta dëbuar atë ligësi nga jeta e fëmijës dhe për të parë ripërtëritjen e tij.

Kur Jezusi, Biri i Perëndisë, hyri në shtëpinë e Atit të Tij mbi tokë — në tempullin e Jerusalemit — dhe pa skenën rreth e rrotull, kjo gjë i shkaktoi dhimbje. Ky vend që ishte krijuar për adhurimin e Perëndisë, ishte kthyer në një vend ku adhurohej paraja. Një vend i krijuar për ta ftuar botën që të takohej me Perëndinë e gjallë, ishte kthyer në një vend që i mbante kombet larg. Ai e konsideroi si të patolerueshëm faktin që emri i Perëndisë dhe lavdia e Perëndisë po përdhoseshin dhe po njolloseshin. Nuk kemi asnjë arsye për t’u vetëmbrojtur dhe për t’u përpjekur që t’i zbusim veprimet e Jezusit. Zemërimi i shenjtë i Krishtit digjej nga zelli dhe pastërtia. Kjo nuk ishte koha për biseda të këndshme.

Jezusi e dinte saktësisht pse ekzistonte tempulli. Ai ishte vendi i takimit me Perëndinë. Tempulli duhet të ishte gëzimi i gjithë tokës. Përkundrazi, ajo që gjeti aty, ishte krejtësisht në kundërshtim me qëllimin e tij — dhe Ai e bëri këtë shumë të qartë me fjalët dhe veprimet e Tij.

Është interesante që, kur farisenjtë u ballafaquan me Jezusin më pas, ata nuk i kundërshtuan veprimet e Tij; ata sfiduan autoritetin e Tij. Jezusi iu përgjigj kësaj sfide me një deklaratë të çuditshme: “Shembeni këtë shenjtërore dhe në tri ditë do ta ngre” (Gjoni 2:19). Gjoni shpjegon se tempulli të cilit iu referua Ai, ishte Vetja (v. 21). Një ditë, Jezusi do të vinte në Jerusalem jo për të vizituar kompleksin e tempullit, por për të dhënë trupin dhe gjakun e Tij si flijimin e plotë dhe përfundimtar për mëkatet, dhe pastaj të ngrihej në një jetë të re për të mbretëruar përgjithmonë. Pikërisht mbi atë autoritet, Ai po e bënte të qartë dallimin mes qëllimit të Perëndisë për tempullin dhe gjendjes në të cilën e kishin katandisur ata.

Këtu, pra, ballafaqohemi me një Jezus që është radikal — i cili përgjigjet me zell dhe i del në mbrojtje çështjes së lavdisë së Perëndisë. Ky Jezus nuk është zemërbutë dhe i qetë, gjithmonë pohues dhe asnjëherë sfidues. Ai është Kryeprifti i Madh, i cili erdhi jo vetëm për të pastruar oborret e tempullit, por edhe për të pastruar zemrat tona dhe për t’u marrë me tëhuajtjen tonë. Në Atë që është tempulli i vërtetë, Perëndia ka ndërtuar një “shtëpi lutjeje për të gjithë popujt” (Isaia 56:7).

Prandaj, shikoje përsëri Jezusin, i cili nuk bëri kompromis në ndjekjen e lavdisë së Perëndisë, duke u mundësuar kombeve ta adhuronin Atë siç duhet. Shikoje sërish Jezusin, i cili e përdori qëllimisht autoritetin dhe përsosurinë e Tij për të zënë vendin tonë dhe për të mbartur ndëshkimin tonë në trupin e Tij, në mënyrë që ne të mund të ripërtërihemi. Shikoje sërish Jezusin, që të ka bërë pjesëtar në hirin e Tij të mahnitshëm. Zelli i Tij për lavdinë e Perëndisë qoftë edhe zelli yt!

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

MATEU 27:35-56