6 Korrik 2026

“Tani, kushdo që garon, vetëpërmbahet në të gjitha; ata, pra, që të marrin një kurorë të prishshme, ndërsa ne të paprishshme. Si rrjedhim, unë kështu vrapoj, jo si pa synim; kështu grushtoj, jo si duke rrahur në ajër; përkundrazi, e trajtoj ashpër trupin tim dhe e skllavëroj…” I KORINTASVE 9:25-27

Korinti ishte mikpritës i Lojërave Istmike, të cilat, për nga madhësia dhe rëndësia, vinin pas Lojërave Olimpike. Sporti përshkonte çdo aspekt të kulturës. Qytetarët e tij e dinin se, për një sportist, përpjekjet që bëhen gjatë një gare, janë vetëm një pjesë e vogël e përpjekjeve që kërkohen gjatë gjithë jetës. Prandaj, kur Pali i shkroi kishës në Korint, ai nuk foli vetëm për vrapimin dhe konkurrimin. Ai foli edhe për stërvitjen.

Në Korint, fëmijët që nga mosha shtatëvjeçare përfshiheshin në stërvitje rigoroze për t’u përgatitur për garat. Pritej që garuesit të tregonin se kishin bërë një stërvitje të rreptë. Askush nuk mund të garonte, nëse nuk do të ishte stërvitur për muaj me radhë përpara ngjarjes. Në mënyrë të ngjashme, jeta e krishterë duhet të karakterizohet nga një disiplinë që tregon një angazhim të përjetshëm për të vrapuar në garën e Perëndisë. Është e rëndësishme që fjalët tona të mbështeten nga veprimet tona. Të shprehësh vendosmëri për të jetuar jetën e krishterë, pa e shoqëruar këtë me veprime të disiplinuara, është e pakuptimtë. Është njësoj si të shprehësh nevojën për t’u zgjuar më herët ose për të rënë në peshë dhe të vendosësh ta bësh këtë, por pastaj të mos e vësh kurrë orën në zile, të mos stërvitesh apo të mos ushqehesh mirë. Zotimi bëhet i pavlefshëm nga dështimi për të ndërmarrë veprime.

Disiplina së cilës i referohet Pali, nuk është një ndjenjë e brendshme; përkundrazi, është një vendim i vullnetshëm dhe i vetëdijshëm për mënyrën se si e përdorim kohën tonë, kujt ia japim dashurinë tonë dhe për mënyrën se si i qasemi gjithë jetës. Siç shkroi peshkopi anglez i shekullit të nëntëmbëdhjetë, J. C. Ryle-i: “Shenjtëria e vërtetë… nuk përbëhet thjesht nga ndjesitë dhe mbresat e brendshme… Ajo është diçka nga ‘shëmbëllimi i Krishtit’, gjë që mund të shihet dhe të vërehet nga të tjerët në jetën tonë private, në zakonet, në karakterin dhe në veprimet tona.”

Në kohët e lashta, kur sportisti triumfues kthehej në qytetin e tij, ai nuk hynte nga porta prej së cilës kishte dalë, përkundrazi, një pjesë e murit prishej për nder të tij. Ai hynte nga një portë krejt e re dhe popullsia e qytetit mblidhej dhe e priste me brohoritje të mëdha. Stërvitja nuk sjell shpëtim në jetën e krishterë. Ai fitohet vetëm nga Krishti. Megjithatë, ajo na siguron një hyrje të begatë në qiell. Çasti kur të arrijmë në mbretërinë e Tij, të dëgjojmë nga Zoti përshëndetjen “Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik” (Mateu 25:21), do të jetë një çast nderimi dhe gëzimi më i madh se çdo portë e sapohapur në mur!

Kjo është tabloja e hyrjes në qiell, për të cilën në fjalën e Perëndisë thuhet se është e mundur për ata që do ta përfundojnë garën, që do ta durojnë stërvitjen dhe që do të vrapojnë për të fituar. Prandaj, pyete veten: Ku po shpreh vendosmëri, por nuk po marr masa? Në cilën fushë të rritjes së krishterë më duhet të përfshij praktika të disiplinuara, në mënyrë që të bëhem më shumë si Zoti im? Pastaj, prite me padurim çastin kur do ta përfundosh garën dhe do të hysh në lavdi, sepse kjo do të të nxitë për gjithë stërvitjen që të nevojitet.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17