5 Korrik 2026

“Të dashur, po ju nxis, si ardhës dhe mërgimtarë, që t’u rrini larg dëshirimeve mishërore, të cilat luftojnë kundër shpirtit, duke pasur sjellje të mirë ndër kombet, me qëllim që, në atë çfarë ju përflasin si keqbërës, prej veprave tuaja të mira, ndërsa ata i vëzhgojnë, ta lëvdojnë Perëndinë në ditën e vizitës së tij.” I E PJETRIT 2:11-12

Si duhet të veprojnë ndjekësit e Jezusit? Kjo është një pyetje jetike. Përgjigjja është sa e thjeshtë, aq edhe sfiduese: ne jemi thirrur për të qenë të ndryshëm — të ndryshëm nga ata që nuk e ndjekin Jezusin.

Që nga përjetësia, Perëndia ka synuar të ketë një popull të Tijin. Populli i Perëndisë është thirrur për të qenë një popull i shenjtë, i veçuar si nga mëkati, ashtu edhe për Perën­dinë, i cili është në Vetvete “i shenjtë, i shenjtë, i shenjtë” (Isaia 6:3; Zbulesa 4:8). Parimin e një populli të veçuar e gjejmë të shënuar në të gjitha Shkrimet. Për shembull, te Levitiku, Zoti e urdhëron popullin e Tij, izraelitët, që të mos i imitojnë egjiptianët dhe kanaanenjtë në praktikat e tyre pagane. Përkundrazi, ata janë thirrur për t’iu bindur ligjeve dhe dekreteve të Perëndisë (Levitiku 18:1-5).

Mirëpo ligjet e Perëndisë nuk iu paraqitën populli të Tij që ai thjesht të vishte dukjen e bindjes. Jo, bindja e vërtetë ndaj dekreteve të Perëndisë është shprehje e një zemre të transformuar — një zemër që gëzohet me shenjtërinë. Me fjalë të tjera, Perëndia thotë: Ju jeni populli Im. Më përkisni Mua. Prandaj, dua që të gjeni kënaqësi në të qenët të veçuar. Veprimet tona të jashtme do të jetojnë gjatë dhe do t’i pëlqejnë Perëndisë vetëm pasi të ketë ndodhur një ndryshim i brendshëm.

Prandaj, në Besëlidhjen e Re, e gjejmë Pjetrin duke i nxitur besimtarët që të kujtojnë se ata janë “racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për pronësi të Perëndisë” (I e Pjetrit 2:9). Si popull i Perëndisë sot, ne jemi ende të thirrur për të jetuar ndryshe: për të pasur një sjellje të nderuar dhe për të bërë zgjedhje në lidhje me argëtimin, financat dhe marrëdhë­niet — në të vërtetë, për çdo aspekt të jetës sonë — zgjedhje të cilat janë në harmoni me nxitjen e Perëndisë për të qenë të shenjtë ashtu siç është i shenjtë Ai (1:16).

Sfida e madhe për ne si besimtarë është të identifikohemi me botën në nevojën e saj, por jo në mëkatin e saj. Njerëzit e botës sonë nuk kanë nevojë që ne t’i bëjmë të ndihen rehat për sjelljen e tyre imorale dhe refuzimin e Krijuesit të tyre. Përkundrazi, siç e shpjegon edhe Pjetri, ne duhet të jetojmë në një mënyrë të tillë që të shpallim “virtytet e atij që [na] thirri prej errësirës në dritën e tij të mrekullueshme”, që të tjerët të shohin veprat tona të mira dhe t’ia japin Perëndisë të gjithë lavdinë (I e Pjetrit 2:9). Prandaj, fjalët e Pjetrit duhet ta nxisin secilin prej nesh që t’i shtrojë vetes këto pyetje: A pres të jem ndryshe? A jam i gatshëm për të qenë ndryshe, edhe nëse kjo bën që të tjerët të flasin kundër meje? A do ta dua këtë botë aq sa të jem krejt ndryshe nga ajo, që të mund t’i drejtoj njerëzit e saj drejt një bote më të mirë?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17