“…Dhe Jozefi ishte i bukur nga forma dhe kishte një pamje tërheqëse. Pas gjithë këtyre gjërave, gruaja e zotërisë së tij ia vuri syrin Jozefit dhe i tha: ‘Bjer e fli me mua.’ Por ai e refuzoi…” ZANAFILLA 39:6-8
Tundimi është një joshje drejt së keqes ose drejt mëkatit. Të gjithë janë përballur me të — madje edhe Vetë Zoti Jezus. Prandaj, në vetvete, tundimi nuk është mëkat; është reagimi ynë ndaj tij që na çon ose në shtigjet e drejtësisë, ose poshtë në rërat thithëse të mosbindjes.
Veprimet e gruas së Potifarit tregojnë se si shprehet tundimi. Së pari, qasja e saj ishte graduale. Ajo filloi ta shikonte ndryshe Jozefin në mendjen e saj. Sytë janë porta drejt shpirtit tonë, si dhe shtegu përmes të cilit vijnë shumë tundime. Një zemër epshore fillon me sytë që soditin gjatë.
Duke qenë se sytë ia kishin zënë shpirtin në grackë, ajo e humbi çdo nocion modestie. Si mund të arrinte ajo në një ftesë kaq të hapur për tradhti bashkëshortore? Përgjigjja është se duket qartë që ajo po e ushqente epshin në nivelin e imagjinatës së saj, gjë që me siguri do t’i rritë mundësitë që ne ta bëjmë atë për të cilën kemi qenë duke menduar. Mëkati është gjithmonë gati për të shpërthyer në çast, i shtyrë nga dëshira të verbra, të furishme dhe pothuajse (edhe pse asnjëherë plotësisht) të papërmbajtshme. Vjen një pikë kur kemi shkuar aq larg në shtegun e mendjes sonë, saqë gjithçka që na nevojitet, është vetëm rasti — dhe kështu, sapo vjen rasti, ndodh edhe mëkati i jashtëm.
Ju dhe unë mund të mësojmë nga veprimet e gabuara të gruas së Potifarit. Nuk ka dyshim se ajo që ju i lejoni sytë tuaj të shikojnë dhe mendjen tuaj të mendojë gjatë, herët a vonë do të ndikojë në mënyrën se si veproni. Tundimet dhe dëshirat që ata zgjojnë brenda nesh, ose do të ushqehen, ose do të luftohen. A jemi gati për ta “bërë rob çdo mendim për bindjen ndaj Krishtit” (II Korintasve 10:5), në vend që të ushqejmë epshin apo mëkatet e tjera? A jemi të gatshëm për të hyrë “me një sy në Mbretërinë e Perëndisë” (Marku 9:47), apo mos vallë jeta e përjetshme nuk ia vlen për të paguar një çmim të tillë?
Me çfarë tundimesh përballen sytë dhe mendja jote sot? Edhe pse secili prej tyre është një ftesë e rrezikshme për mëkat, këtu na ofrohet edhe një mundësi për të zgjedhur bindjen. Lutu për urtësi dhe guxim, që t’i dallosh ato çaste, dhe reago ndaj atyre tundimeve në një mënyrë që të udhëheq në shtigjet e drejtësisë.
