4 Qershor 2026

“Të gjitha bëjini pa murmuritje dhe zënie me fjalë, me qëllim që të bëheni
të pafajësueshëm dhe të thjeshtë, fëmijë të Perëndisë, të patëmetë në mes të një brezi
të shtrembër dhe të mbrapshtë, ndër të cilët ndriçoni si ndriçues në botë.”

FILIPIANËVE 2:14-15

Si njerëz që jemi çliruar me anë të gjakut të Krishtit, ne duhet të ndriçojmë. Ata që e njohin Jezusin, duhet të jenë të rrethuar nga lavdia. Mirëpo murmuritjet do ta errësojnë gjithmonë atë lavdi. Edhe pse është një këngë për fëmijë, këto fjalë duhet të na flasin gjithmonë:

Braktise shtëpinë tënde në rrugën “Ankesë”
Dhe dil në sheshin “Shkëlqim”,
Se aty Jezusi jeton,
E dielli me rreze të mbulon.


Është jetike për ne të krishterët që ta kuptojmë qartë realitetin se, për shkak të Jezusit, jemi pastruar nga faji dhe njolla e mëkatit. Ne kemi liri të jashtëzakonshme në Krishtin dhe, nëpërmjet brendabanimit të Frymës, përjetojmë njëherazi lirinë dhe shpresën që na ofron ai, në mes të pështjellimit të jetës dhe në një botë që e refuzon Krishtin. Ungjilli nuk është vetëm një pikënisje për besimin tonë; ungjilli është tërësia e besimit tonë. Zoti me dashamirësi na jep kujtesa të vazhdueshme të së vërtetës që jemi fëmijët e Tij, në mënyrë që të mund të përparojmë në ecjen tonë me Të.

Pozita jonë në Krishtin është e pandryshueshme. Pasi birësohemi në familjen e Tij, Perëndia nuk e liron kurrë shtrëngimin me të cilin i ka kapur shpirtrat tanë. Gjatë javës sonë më të mirë, ne nuk jemi më afër Perëndisë sesa jemi gjatë javës sonë më të keqe, sepse pozita jonë përpara Atit është ngritur mbi drejtësinë e Krishtit, jo mbi tonën. Ne nuk jemi në një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë për shkak të diçkaje të bërë nga ne ose nga brenda nesh, por për shkak të asaj që është bërë për ne.

Siç tha Martin Luteri: “Në njëfarë mënyre, ungjilli është i gjithi jashtë nesh.3 Nëse shikojmë vazhdimisht brenda vetes për të parë se sa mirë po ia dalim, do të ndihemi sikur nuk kemi asnjë të drejtë përpara Perëndisë. Por kur të kuptojmë se qëllimi i përjetshëm i Perëndisë është të na përshtatë me shëmbëllimin e Birit të Tij, dhe se procesi i vazhdueshëm i bindjes ndaj Krishtit e mundëson pikërisht këtë gjë, do të fillojmë të përjetojmë gëzimin e fuqizuar nga Fryma, të cilin Perëndia e siguron me kaq dashamirësi. Kur kjo të ndodhë, do të shohim se kemi më pak arsye për t’u ankuar!

Ne duhet ta kryejmë shpëtimin tonë me frikë dhe dridhje, sepse është puna e mirë e Perëndisë në ne ajo që na lejon të jetojmë për kënaqësinë e Tij dhe, kur e bëjmë këtë, na lejon të jetojmë edhe për gëzimin dhe kënaqësinë tonë (Filipianëve 2:12-13). Ndërsa e bëjmë këtë, ne mësojmë të ndriçojmë me të vërtetë — dhe pastaj të tjerët do ta shohin Krishtin nëpërmjet nesh. Prandaj, për çfarë po ankohesh? A e ke humbur mahitjen për lavdinë e të qenët fëmijë i Perëndisë? Sot, kur ta kuptosh që je gati për t’u ankuar, qoftë në zemër, qoftë te dikush tjetër, në vend të kësaj ktheji ato fjalë në fjalë mirënjohjeje për gjithçka që Zoti ka bërë dhe po bën për ty. Atëherë do të ndriçosh.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17