4 Maj 2026

“Dhe çdo krijesë që është në qiell dhe mbi tokë, dhe poshtë tokës, dhe në det, dhe të gjitha që ndodhen në ta, e dëgjova duke thënë: ‘Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit u qofshin bekimi dhe nderi, dhe lavdia, dhe pushteti në shekuj të shekujve!’.” ZBULESA 5:13

Bibla e bën shumë të qartë se historia po ecën qëllimisht drejt një përfundimi të caktuar. Ky realitet është një nga tiparet dalluese të botëkuptimit biblik. E thënë ndryshe, një nga mënyrat se si krishterimi e dallon veten e vet është në çështjen se si do të përfundojnë të gjitha gjërat.

Ndonjëherë, kur shohim fotografitë e vjetra, mund të pyesim veten: “Ku jam unë në këtë foto?” — ose, “A jam unë në këtë foto?”. Megjithatë, kur bëhet fjalë për planin e Perëndisë, çdo person përfshihet në tablonë e historisë së Zbulesës. Askush nuk mungon në histori. Dhe kur historisë t’i vijë fundi, ajo do të përfundojë me ndarje dhe veçim.

Jezusi foli për këtë ndarje kur tha se delet dhe cjeptë do të ndahen (Mateu 25:31-46): drita dhe errësira do të përvijëzohen, dhe ata që besojnë në Jezusin, do të veçohen nga ata që nuk besojnë. Askush nuk do të lihet jashtë, edhe pse, tragjikisht, disa do të kenë zgjedhur vetë të rrinë jashtë. Prandaj, pozita jonë në këtë tablo të madhe ka rëndësi.

Të gjitha luhatjet e historisë duhen parë në dritën e faktit që ka një fron në qiell dhe se ky fron nuk është bosh; përkundrazi, mbi të është ulur Perëndia, i cili e ka gjithçka nën kontroll. Jezusi është Mbret dhe Ai është ulur në të djathtën e fronit. Edhe pse shumë vetë nuk e pranojnë ende mbretërinë e Tij, kjo nuk e ndryshon realitetin që Ai mbretëron.

Siç shprehet edhe teologu i madh i shekullit të katërt, Agustini i Hippos, nga rënia e njerëzimit deri në fund të kohërave ekzistojnë dy qytete rivale — dy dashuri rivale. Nga natyra jonë, ne jemi të përfshirë në qytetin e njeriut dhe vetëm me anë të hirit të Perëndisë do të përfshihemi në qytetin e Perëndisë dhe do t’i përkushtohemi atij.

Qyteti tokësor, qyteti i njeriut, është i destinuar të kalojë. Por qyteti qiellor, mbretëria e Perëndisë, do të vazhdojë në jetë të jetëve. A e pranojmë Jezusin si Mbret? Mënyra se si përgjigjemi është një çështje me rëndësi të përjetshme. Mënyra se si përgjigjemi është gjithashtu një çështje me pasoja aktuale. Nëse Jezusi është Mbreti yt, atëherë ti do të jetosh si nënshtetas i Tij, duke u përpjekur t’i bindesh Atij edhe atëherë kur urdhri i Tij shkon kundër parapëlqimeve të tua. Nëse Jezusi është Mbreti yt, ti do të tregohesh besnik ndaj Tij mbi gjithë të tjerët, sepse kjo botë nuk është shtëpia jote dhe ti thjesht po kalon përmes saj. Siç shkroi Pali: “Se qytetaria jonë është në qiej, prej nga presim me padurim edhe Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht” (Filipianëve 3:20). Sigurohu që të jetosh si qytetar i një vendi më të mirë dhe si nënshtetas i një Mbreti më të madh. Ne do ta kalojmë përjetësinë duke u bashkuar me të gjithë krijimin për t’i sjellë nderim Atij. Paçim mundësi për ta bërë këtë me fjalët dhe me sjelljen tonë edhe sot!

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 24