“Ejani tek unë… Se zgjedha ime është e mirë dhe barra ime është e lehtë!” MATEU 11:28, 30
Zgjedha është një strukturë prej druri që vendoset mbi qafën e qeve ose të kafshëve të tjera të forta, duke i lidhur ato së bashku për të tërhequr një ngarkesë të rëndë. Qëllimi i zgjedhës është që ta shpërndajë peshën në mënyrë të barabartë në të dyja anët, duke bërë të mundur që kafshët të ecin duke e mbajtur atë. Jezusi e përdor këtë ilustrim për t’u ofruar atyre që mund ta ndjekin Atë, mundësinë për të gjetur liri të pashoqe nën zgjedhën e Tij. Me ftesën e Tij për të marrë zgjedhën e Tij “të mirë” dhe “të lehtë”, Jezusi bën dallimin mes Tij dhe fesë, me barrën e saj të rëndë të rregullave dhe udhëzimeve. Farisenjtë e kohës së Jezusit ishin të fiksuar për të bërë atë që ishte e drejtë — jo vetëm që përpiqeshin ta zbatonin ligjin e Perëndisë, por kishin shtuar edhe një numër të madh rregullash nga ana e tyre. Detyrime dhe pritshmëri të tilla, të krijuara nga njeriu, shkaktojnë barrë dërrmuese. Duke thënë vazhdimisht: “Hajt, pra, përpiqu më fort; hajt, pra, bëje këtë”, në mënyrë figurative do t’ia rëndonte qafën kujtdo.
Mirëpo zgjedha e Jezusit është e ndryshme
Të jesh nën zgjedhën — autoritetin — e Jezusit nuk është një barrë; është një kënaqësi. Si ka mundësi? Ekziston një liri të cilën e gjejmë në Krishtin – jo një liri për të bërë atë që duam, por një liri për të bërë atë që duhet. Meqenëse prej natyre nuk mund ta bëjmë atë që duhet, ne jemi nën zgjedhën e dëshirave tona. Ndjekja e atij shtegu na premton shumë, por na jep pak. Ne kemi nevojë për dikë — Jezusin — që të na çlirojë nga skllavëria jonë ndaj mëkatit, që të mund të jetojmë në liri dhe në bindje ndaj vullnetit të Perëndisë: të bëhemi njerëzit që u krijuam për të qenë. Prandaj, urdhërimet e Krishtit janë “ligji i përsosur — [ai i lirisë]” dhe, kështu, ata që u binden atyre, do të jenë të lumë në atë që bëjnë (Jakobi 1:25).
Ja pse shpallim me gëzim: “Jezusi është Zoti im.” Ky është identiteti i Tij — dhe për shkak se Ai është Zot, kur reagojmë ndaj ftesës së Tij dhe e marrim zgjedhën e Tij mbi supet tona, ne përqafojmë një detyrim të sapogjetur, për të jetuar të lirë nën vullnetin e Tij të përsosur. Çështjet e moralit, të seksualitetit, të biznesit dhe të familjes — të gjitha këto gjëra dhe të tjera si këto mblidhen nën zgjedhën e Zotit Jezu Krisht.
Atyre që ende ndihen të lidhur pas një peshe të rëndë, qofshin ato rregulla të pamundura për t’u zbatuar, qofshin dëshira mëkatare, Jezusi u bën ftesë për të ardhur tek Ai dhe për ta lënë Atë që t’i heqë këto barra. Sot ke nevojë që ta dëgjosh këtë. Ku po përleshesh me mëkatin? Ku po i konsideron urdhërimet e Zotit si të rënda? Në ç’mënyra mund të jesh duke luftuar kundër udhëve të Tij? Dëgjoje Atë sërish tek të thotë: Eja tek Unë. Unë jam i përulur. Unë jam zemërbutë. Barra jote është aq e rëndë, saqë m’u desh të vdisja në kryq për ty, dhe këtë e bëra me dëshirë. Eja nën zgjedhë bashkë me mua. Barra ime është e lehtë.
