Gusht 2022
Pothuajse gjithmonë, emri i Perëndisë përkthehet ZOTI (me shkronja të mëdha). Por fjala hebraisht shqiptohej pak a shumë si “Jahve”, emër që vjen nga fjala “Unë jam”.
Prandaj, sa herë që e dëgjojmë fjalën Jahve, ose sa herë që shohim në Bibël fjalën ZOTI, duhet të mendojmë: ky është emër i përveçëm (si emrat Pjetër ose Gjon), i cili vinte nga fjala “Unë jam”. Ky emër na kujton çdo herë se Perëndia ekziston në kuptimin absolut.
Ka të paktën 10 gjëra që emri Jahve, “UNË JAM”, na thotë për Perëndinë:
1. Ai nuk pati kurrë një fillim. Çdo fëmijë pyet: “Kush e krijoi Perëndinë?” Dhe çdo prind i mençur përgjigjet: “Askush. Perëndia thjesht ekziston. Ai ka ekzistuar gjithmonë dhe nuk ka pasur kurrë një fillim.”
2. Perëndia nuk do të ketë kurrë një fund. Nëse Ai kurrë nuk u krijua, atëherë Ai kurrë nuk mund të pushojë së ekzistuari, për shkak se Perëndia është qenia absolute.
3. Perëndia është realiteti absolut. Nuk ka asnjë realitet para Tij dhe nuk ka asnjë realitet jashtë Tij nëse Ai nuk vendos të ekzistojë dhe ta krijojë atë realitet. Perëndia është tërësisht Ai që ka qenë që nga përjetësia. Nuk ka pasur hapësirë, as gjithësi, as boshllëk. Ishte vetëm Perëndia.
4. Perëndia është krejtësisht i pavarur. Ai nuk varet tek asnjë gjë për ta sjellë në ekzistencë, për ta mbështetur, ose për t’i dhënë këshillë apo për ta bërë atë që Ai është.
5. Gjithçka që nuk është Perëndi, varet nga Perëndia. Tërë gjithësia është krejtësisht dytësore. Ajo erdhi në ekzistencë nga Perëndia dhe vazhdon të ekzistojë çast pas çasti nga vendimi i Tij për ta mbajtur në ekzistencë.
6. E tërë gjithësia nuk është asgjë në krahasim me Perëndinë. Realiteti i varur dhe i kushtëzuar përpara realitetit të pavarur dhe absolut është si hija në krahasim me trupin. Është si jehona e bubullimës. Gjithçka me të cilën ne mahnitemi në këtë botë dhe në galaktikat qiellore, nuk është asgjë në krahasim me Perëndinë.
7. Perëndia është i pandryshueshëm. Ai është i njëjti dje, sot dhe përjetë. Ai nuk mund të përmirësohet. Perëndia nuk po bëhet ndonjë gjë, por Ai është Ai që është.
8. Perëndia është standardi absolut i së vërtetës, i mirësisë dhe bukurisë. Nuk ka asnjë libër ligjesh të cilit ai i referohet për atë që është e drejtë. Nuk ka asnjë kalendar përmes të cilit të vërtetojë faktet. Nuk ka asnjë shoqatë e cila të përcaktojë se çfarë është e shkëlqyer ose e bukur. Ai vetë është standardi i asaj që është e drejtë, asaj që është e vërtetë dhe asaj që është e bukur.
9. Perëndia bën çfarëdo që t’i pëlqejë dhe kjo është gjithmonë e drejtë, gjithmonë e bukur dhe gjithmonë në përputhje me të vërtetën. I gjithë realiteti jashtë Tij u krijua dhe u projektua prej Tij. Duke qenë autoriteti absolut, Perëndia sundon mbi gjithë realitetin. Prandaj, Ai është krejtësisht i lirë nga ndonjë kufizim që nuk e ka origjinën në këshillin e vullnetit të Tij.
10. Perëndia është realiteti dhe personi më i rëndësishëm dhe më i çmuar në gjithësi. Ai është më i denjë për interesim, vëmendje, admirim dhe kënaqësi sesa të gjitha realitetet e tjera, përfshirë këtu tërë gjithësinë.
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022