“Por ti ji i kthjellët në të gjitha, hiq keq, bëj punën e ungjilltarit,
përmbushe shërbimin tënd.” II TIMOTEUT 4:5
Secili prej nesh po lë pas një trashëgimi. Çdo ditë po shtojmë diçka në portretin e jetës sonë dhe, në fund, ato që lëmë pas vendimet, kontributet, përparësitë tona — do të mbeten, të paktën për njëfarë kohe, që të tjerët të reflektojnë mbi to dhe t’i marrin parasysh. Në fund të letrës së dytë që Pali i drejton Timoteut, gjejmë fjalët e një burri të moshuar, jetës së të cilit po i vinte fundi: “Se unë tashmë po derdhem si ofertë pijeje”, thotë ai, “dhe koha e nisjes sime është afruar” (II Timoteut 4:6). Në këtë kontekst, ai e nxit Timoteun që t’i marrë seriozisht përgjegjësitë e tij, të marrë parasysh trashëgiminë që po lë pas dhe të mendojë si për trashëgimitë e dobishme, ashtu dhe ato të dëmshme që lanë pas shumë nga personat me të cilët u takua Pali.
Në kapitullin hyrës, Pali i kishte kujtuar Timoteut që i kthyen “shpinën të gjithë ata në Azi, ndër të cilët janë Figeli dhe Hermogeni” (II Timoteut 1:15). Këta individë përmenden vetëm një herë në Bibël, dhe kjo është për të regjistruar faktin që ata braktisën një njeri në nevojë. Pali e paralajmëron gjithashtu Timoteun që të jetë vigjilent në lidhje me njerëz si Himeneu dhe Fileti, fjala e të cilëve “do të ketë përhapje si gangrenë”, dhe të cilët “u shmangën në lidhje me të vërtetën”; ose si Aleksandri, bakërpunuesi, i cili, thotë Pali: “… më bëri shumë të këqija…” (2:17-18; 4:14). Kur shikojmë portretet që këta individë lanë pas, ne dallojmë një trashëgimi dezertimi, mësimi të rremë dhe kundërshtimi të ungjillit.
Por letra e Palit është gjithashtu e mbushur me raste ku ai përmend njerëz që lanë trashëgimi të frytshme dhe të dobishme. Për shembull, Loide dhe Eunike treguan besim të sinqertë, për të cilin Pali është i sigurt se tani gjendet edhe te pastori i ri Timote (II Timoteut 1:5). Po kështu, Pali e nxit nxënësin e tij të ri të kujtojë Onesiforin, për të cilin thotë: “…shpeshherë më këndelli dhe nuk pati turp për zinxhirët e mi. Përkundrazi, kur u ndodh në Romë, më kërkoi me zell dhe më gjeti” (v. 16-17). Onesifori la pas një trashëgimi besimi, guximi dhe bindjeje. Nëse ai thoshte se do të ishte diku, ai ishte atje. Ai ishte një burrë tek i cili Pali mund të mbështetej plotësisht.
Të gjithë po lëmë pas një trashëgimi. Kur dalim nga një dhomë, ne ose lëmë pas aromën e Krishtit që përhap kudo njohjen e Tij (II Korintasve 2:14-16), ose lëmë aromën më pak të këndshme të lartësimit të vetes, ose boshllëkun kur nuk themi dhe nuk jemi asgjë. Një trashëgimi besnikërie, perëndishmërie, mirësie, butësie, ndershmërie, integriteti, dashurie dhe paqeje është një trashëgimi që do të mbahet mend me dashuri. Por më e rëndësishmja është që ajo do t’i drejtojë njerëzit tek Ai, jeta e të cilit ka më shumë rëndësi — te Zoti Jezus.
Trashëgimia është tërësia e vendimeve të përditshme për të sjellë një ndryshim për Krishtin: për ta dashur Atë dhe të afërmin tonë, për të kërkuar paqen dhe për të folur për Të. Sot, do të ndërtoni një pjesë të vogël — ose ndoshta të madhe — të trashëgimisë suaj. Prandaj, bëni atë punë që Perëndia ka përgatitur për ju dhe sillni një ndryshim për Të. Në fund të fundit, asnjëherë nuk do ta dimë se kur do ta bëjmë depozitën përfundimtare në trashëgiminë që po lëmë pas.
