4 mars

Mars 2022 


Ky është një prej premtimeve të Perëndisë, të cilit i kthehem herë pas here kur dekurajohem. A të vjen ndër mend ndonjë fakt më inkurajues sesa fakti që Perëndia ndien gëzim duke të bërë të mirën? Ai jo vetëm që të bën të mira, jo vetëm që është i përkushtuar për këtë, edhe pse kjo është e lavdishme në vetvete, por Ai ndien gëzim duke të të bërë të mirën. “Do të ndiej gëzim duke u bërë të mirë.”

Ai nuk e përmbush premtimin e Romakëve 8:28 duke u ankuar, për të bërë që gjithçka të bashkëveprojë për të mirë për ty. Për Të, është gëzim të të bëjë mirë. Jo ndonjëherë, por, gjithmonë! “Nuk do të largohem më prej tyre dhe do t’u bëj të mira.” Në përkushtimin apo gëzimin e Tij nuk ka luhatje për t’u bërë të mirë fëmijëve të Tij—atyre që i besojnë Atij.

Kjo duhet të na ngazëllojë!

Sidoqoftë, ndonjëherë është e vështirë të jemi të ngazëlluar. Situata jonë është aq e vështirë për t’u duruar, saqë nuk mund të gjejmë pikë gëzimi. Kur më ndodh kjo, përpiqem të imitoj Abrahamin: “Duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi” (Romakëve 4:18). Me fjalë të tjera, ti e sheh ballë për ballë situatën tënde të pashpresë dhe thua: “Nuk je aq i fortë sa Perëndia! Ai mund të bëjë të pamundurën. E di që Atij i pëlqen ta bëjë këtë, për ata që i besojnë Atij. Prandaj, situatë e pashpresë, nuk do ta kesh ti fjalën e fundit. Unë i besoj Perëndisë!”

Perëndia ka qenë gjithmonë besnik për ta ruajtur atë shkëndijë të vogël besimi për mua dhe më në fund (jo gjithmonë menjëherë) ta kthejë atë në një flakë lumturie dhe sigurie të plotë. Jeremia 32:41 është pjesë e konsiderueshme e atij gëzimi.

Oh, sa i ngazëlluar që jam për faktin se ajo që e gëzon zemrën e Perëndisë së plotfuqishëm përfshin bërjen e së mirës për ty dhe mua! “Do të ndiej gëzim duke u bërë të mirë.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia