“…ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes dhe armiku im të mos thotë: ‘E munda’, dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem. Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd.” PSALMI 13:3-5
Kur shkoni në një udhëtim për kampim, një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni, është të siguroheni që kunjat e tendës suaj të jenë ngulur mirë në tokë të fortë. Pasi ta keni bërë këtë hap, gjërat e tjera mund t’i bëni me një qetësi më të madhe mendore, duke e ditur se streha juaj do t’i bëjë ballë stuhisë — dhe sigurisht që kjo parapëlqehet më shumë sesa të ktheheni në vendin ku keni ngritur kampimin dhe të zbuloni që tendën tuaj e ka marrë era!
Në këtë varg, Davidi po reagon ndaj ndjenjës së të qenët i harruar dhe i zhgënjyer në jetë, dhe kundërshtimit të padrejtë nga të tjerët rreth tij. Ai fillon duke menduar për situatën e vet; duke kujtuar atë që tashmë e dinte, Davidi shpall besimin e tij në dashurinë besnike të Perëndisë.
Ky besim ishte i vullnetshëm. Ndonëse ndjenjat e zemrës së tij ishin reale, Davidi zgjodhi t’i vendoste emocionet e tij nën sundimin e karakterit dhe të qëllimeve të Perëndisë. Ai e vendosi shpresën e tij — kunjat e tendës së zemrës së tij — në tokën e fortë të dashurisë së patundur dhe të mëshirës së sigurt të Perëndisë. Vetëm atëherë ai mund të gëzohej sërish.
Në qiellin e ri dhe në tokën e re, stuhitë e jetës do të qetësohen më në fund. Ndërkohë, ne do të kalojmë përmes shkulmeve, madje edhe përmbytjeve. Do të durojmë me gëzim deri në atë masë, sa të besojmë se Ati ynë është i urtë. Kur Ai nuk na e jep diçka, kjo ndodh sepse Ai e di se është më mirë për ne që të mos e kemi atë gjë. Kur Ai na beson diçka që është e vështirë për t’u pranuar, kjo ndodh ngaqë Ai po na jep privilegjin për të dëshmuar për hirin e Tij në atë rrethanë. Kur Ai na udhëheq përmes shiut, kjo ndodh ngaqë Ai e di se kjo gjë do të na bëjë të ngjitemi më pranë Tij dhe do të bëjë që karakteri ynë të përshtatet më shumë me të Tijin (Jakobi 1:2-4).
Kur shohim copëzat e rrënojave të përvojave tona më të vështira, shpesh duket sikur rrënimi është te pragu. Mirëpo, në ato çaste, mund të kujtojmë që Perëndia na jep një “diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar” (Isaia 61:3). Çdo sprovë që hasim, është një mundësi për t’i kujtuar vetes se, ashtu si në rastin e Davidit, është dashuria e palëkundur e Perëndisë ajo që i siguron shpirtrat tanë dhe na jep arsye për t’u kënaqur në shpëtimin e Tij.
Sot, thirrja për secilin prej nesh është të themi: “Zot Jezu Krisht, më ndihmo që kunjat e tendës së jetës sime t’i ngul me siguri në dashurinë Tënde të patundur, që të gëzohem në jetë dhe vdekje, në gëzim e pikëllim, në sëmundje dhe shëndet.”
