31 mars

Mars 2022


Problemi me kishën sot nuk është se ka shumë njerëz, që e duan qiellin me pasion. Problemi nuk është që të krishterët po distancohen nga bota, duke e kaluar gjysmën e ditës me leximin e Shkrimit dhe gjysmën tjetër duke kënduar për kënaqësinë që gjejnë në Perëndinë dhe ndërkohë të janë indiferentë ndaj nevojave të botës. Nuk po ndodh kjo! Populli i Perëndisë nuk është aq i mbushur me dashuri për Perëndinë, sa të kalojë gjysmën e ditëve në fjalën e Tij.

Problemi është që të krishterët po kalojnë dhjetë minuta me leximin e Shkrimit dhe pastaj gjysmën e ditës duke fituar para, dhe gjysmën tjetër duke dashur dhe duke riparuar ato gjëra, për të cilat i shpenzojnë paratë.

Nuk është të pasurit mendjen te gjërat qiellore, ajo që pengon dashurinë për të humburit dhe për të lënduarit e kësaj bote. Pasja e mendjes te gjërat e kësaj bote është ajo që e pengon dashurinë, edhe atëherë kur ajo maskohet pas një rutine fetare gjatë fundjavës.

Ku është ky njeri, që e ka zemrën të dashuruar me lavdinë e premtuar të parajsës sa të ndihet si mërgimtar dhe shtegtar mbi tokë? Ku është ky njeri, që ka shijuar kaq shumë bukurinë e epokës që po vjen, sa diamantet e kësaj bote i duken si zare qelqi, argëtimi i botës i duket bosh dhe kauzat morale të saj janë tepër të vogla për të, sepse nuk projektojnë përjetësinë? Ku është ky njeri?

Të jeni të sigurt, që ky njeri nuk është skllav i internetit, i të ngrënit, i të pirit, i festave, i peshkimit, i lundrimit apo i kotësisë. Ai është një njeri i lirë në një vend të huaj. Pyetja e tij e vetme është: Si mund ta rrit në maksimum kënaqësinë time ndaj Perëndisë për gjithë përjetësinë, ndërsa jam mërgimtar në këtë tokë? Përgjigjja e tij është gjithmonë e njëjta: duke bërë veprat e dashurisë. Duke e zgjeruar gëzimin tim në Perëndinë, pavarësisht sa do të më kushtojë që të mund të përfshij dhe të tjerët në këtë.

Vetëm një gjë e kënaq zemrën, që e ka thesarin në qiell: të bëjë punët e qiellit. Qielli vetë është një botë dashurie!

Nuk janë litarët e qiellit, ata që lidhin duart e dashurisë dhe e bëjnë atë të paefektshme, por është dashuria për paranë, për argëtimin, për rehatinë dhe për lëvdatat—këto janë prangat e egoizmit që lidhin duart e dashurisë. Fuqia për t’i këputur këto pranga është shpresa e krishterë. “Morëm vesh për besimin tuaj në Krishtin Jezus dhe për dashurinë tuaj ndaj gjithë shenjtorëve, për shkak të shpresës që ruhet për ju në qiejt” (Kolosianëve 1:4-5).

Po e them sërish me bindjen e plotë brenda meje: nuk është të pasurit mendjen te gjërat qiellore, ajo që e pengon dashurinë mbi tokë, por është të pasurit mendjen të gjërat e kësaj bote. Prandaj, burimi i madh i dashurisë është siguria e fuqishme dhe çliruese e shpresës së krishterë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia