31 Maj 2026

“Edhe ju, megjithëse më parë ishit të tëhuajtur dhe armiq në mendjen tuaj dhe në veprat
e liga, por tani ju pajtoi në trupin e mishit të tij, nëpërmjet vdekjes, për t’ju paraqitur të
shenjtë dhe të patëmetë, dhe të paqortueshëm përballë tij, nëse vërtet vazhdoni në besim,
duke qenë të themeltë dhe të patundur, dhe duke mos lëvizur nga shpresa e ungjillit, të
cilin e dëgjuat dhe që u predikua në të gjithë krijimin nën qiell…”
KOLOSIANËVE 1:21-23

Shumica e njerëzve perëndimorë të shekullit të 21-të do të thoshin se, në përgjithësi, qeniet njerëzore janë të mira.

Megjithatë, mjaftojnë vetëm lajmet e një dite për ta vënë shpejt në pikëpyetje një nocion të tillë. Mjafton një ditë në shoqërinë tonë për ta hedhur poshtë këtë pretendim. Sepse, nëse tregohemi plotësisht të sinqertë, duhet ta pranojmë se zemrat tona janë të padisiplinuara dhe jashtë kontrollit — dhe zgjidhjet popullore për këtë problem, të tilla si më shumë arsimim ose ndryshime në rrethanat shoqërore, nuk duket se i rregullojnë ndonjëherë gjërat. Njerëzimi vazhdon të jetë një rrëmujë.

Kur kthehemi te Bibla, zbulojmë një të vërtetë të shëmtuar për veten tonë: arsyeja pse ndihemi të tëhuajtur nga njerëzit përreth nesh — arsyeja pse ndonjëherë ndihem i tëhuajtur nga vetja — është sepse jemi tëhuajtur nga Perëndia. Tëhuajtja jonë horizontale është tregues i një tëhuajtjeje vertikale edhe më serioze. Perëndia na krijoi që të mund të kemi një marrëdhënie me Të, por mendja jonë është larguar prej Tij. Ne nuk mendojmë për Të. Nuk e duam Atë. Madje as nuk e kërkojmë Atë.

Megjithatë, ka një lajm të mirë. Si ndjekës të Krishtit, ndërkohë që dikur ishim të humbur, tani jemi ripërtërirë. Ne ishim të huajtur, por tani jemi pajtuar. Jetonim në një vend të errët, dhe tani jemi sjellë në dritë. Ishim të bllokuar, dhe tani jemi liruar. Ishim të vdekur, dhe tani jemi bërë të gjallë bashkë me Krishtin. Kjo është përvoja e atyre që e njohin Perëndinë, ashtu siç Ai e ka zbuluar Veten nëpërmjet fjalës së Tij.

Ky transformim nuk është thjesht rezultat i një vendimi për të përmirësuar jetën. Në një çast të caktuar, shumica prej nesh kanë menduar: “Po hap një faqe të re dhe po bëj një ndryshim. Këtë vit do të jem më mirënjohës se vitin e kaluar.” Dhe mirë bëjmë! Nuk ka asgjë të keqe këtu. Ndoshta miqtë dhe familja jonë do të emocionoheshin po ta dëgjonin diçka të tillë. Megjithatë, ky nuk është qëllimi përfundimtar për një të krishterë. Përkundrazi, ndryshimi në jetën e të krishterëve nxitet dhe fillohet nga hiri shpëtues i Perëndisë. Ne vazhdojmë ashtu siç filluam: me anë të hirit.

Lajmi i mirë i ungjillit është fakti që Jezusi i Nazaretit erdhi për llogarinë tonë, për t’i dhënë fund tëhuajtjes sonë. Ai, dhe vetëm Ai, ka bërë atë për të cilën kemi më shumë nevojë, por që nuk mund ta bënim dot për veten tonë. Prandaj, thirrja ndaj nesh është
shumë e thjeshtë: “…vazhdoni në besim… duke mos lëvizur nga [ungjilli].” Nuk kemi kurrë nevojë që ta lëmë pas ungjillin e thjeshtë të Krishtit të kryqëzuar, të ringjallur dhe që mbretëron; në fakt, ne nuk guxojmë ta bëjmë këtë. E megjithatë, sa e lehtë është për ne që të ftohemi ndaj këtyre të vërtetave; që familjariteti, nëse nuk lind përbuzje, të lindë vetëkënaqësi. Prandaj, shqyrtoje zemrën tënde me ndershmëri. Pranoje mëkatin tënd. Dhe kthehu sërish tek ungjilli, duke thënë plot mahnitje: “…për mua vdiqe, o Perëndia im.”

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17