1 Qershor 2026

“Profecia që pati në vegim profeti Habakuk.” HABAKUKU 1:1

Rëndësia e profetëve të vërtetë nuk u gjet kurrë në atë se kush ishin ata, por në mesazhin që shpallën. Kështu duhet të jetë edhe për ne.

Merrni, për shembull, Habakukun. Nuk kemi pothuaj asnjë të dhënë biografike për të. Gjithçka që dimë për të rrjedh nga libri i profecisë që mban emrin e tij dhe që na tregon shumë pak. Habakukun nuk mund ta gjesh askund tjetër në Besëlidhjen e Vjetër. Megjithatë, kjo heshtje është domethënëse. Kredencialet e Habakukut duhej të gjendeshin tërësisht në thirrjen e tij.

Të njëjtin këndvështrim e ndeshim në të gjitha Shkrimet profetike biblike. Për disa profetë dimë më shumë se për të tjerët — por edhe gjërat që dimë, nuk janë domethënëse apo bindëse. Për shembull, përpara se Perëndia të vinte dorën e Tij mbi Amosin, ai ishte thjesht “një bari dhe [rriste] fiq” (Amosi 7:14). Në mënyrë të ngjashme, kur Gjon Pagëzorit iu kërkua me ngulm informacion se kush ishte, ai dëshmoi duke thënë: Unë jam një zë që klith në shkreti. Unë jam një dritë që po ndriçon për pak kohë, por Jezusi është Drita e Botës. Unë jam një gisht që tregon drejt Krishtit; Ai duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem (shih
Gjoni 1:23; 5:35; 3:30).

Në këtë varg hyrës të Habakukut, fjala për “orakull” ose “profeci” ndonjëherë përkthehet si “barrë”. Cila ishte barra? Ishte barra që ndiente profeti kur i shihte gjërat sipas mprehtësisë që i kishte dhënë Perëndia, kur i shihte rrethanat që të tjerët i kishin parë, por nuk i kishin kuptuar, dhe kur sillte urtësinë dhe planet e Perëndisë, që ato të kishin ndikim mbi ata që i dëgjonin.

Pavarësisht nga preokupimet tona moderne për personalitetet dhe kredencialet, në predikimin, mësimdhënien dhe përhapjen e ungjillit, fokusi kryesor duhet të jetë gjithmonë te mesazhi. Në fund, çdo predikim i shpallur, çdo mësim i dhënë dhe çdo bisedë për ungjillin thahet si bari. Vlera e tyre gjendet vetëm në faktin se sa thellë zë vend e vërteta e pagabueshme dhe besueshmëria e fjalës së Perëndisë në shpirtin e dëgjuesit. Siç shkruan edhe David Wells-i, predikimi — dhe çdo formë e komunikimit të së vërtetës së Perëndisë, bazuar mbi fjalën e Perëndisë — “nuk është një bisedë, një dialog për disa ide interesante… Jo! Këtu po flet Perëndia! Ai flet përmes buzëve belbëzuese të predikuesit kur mendja e tij është në tekstin e Shkrimit dhe zemra e tij është në praninë e Perëndisë”.

Pavarësisht nëse jemi thirrur për të predikuar, për të dhënë mësim ose për të folur për fjalën e Perëndisë me një fqinj, këtu gjejmë një mësim të rëndësishëm: në thelb të qenies sonë, duhet të ketë përulësi të vërtetë, e cila vjen nga të kuptuarit e natyrës bindëse të thirrjes së Perëndisë në jetën tonë. Megjithatë, duhet të ketë edhe entuziazëm në lidhje me të, sepse ç’gjëje tjetër do t’ia jepnim jetën tonë përveçse këtij mesazhi që është shumë më i madh se ne, efektet e të cilit në jetën e të tjerëve do të zgjasin përjetësisht? Sot, mos u shqetësoni shumë për zotësitë dhe aftësitë e lajmëtarit; përkundrazi, shqetësimi juaj le të jetë përcjellja e mesazhit, në çfarëdolloj mënyre dhe me këdo që jeni thirrur për ta bërë këtë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17