30 Maj 2026

“Atëherë Jezusi u tha: ‘O bij, nuk keni ndonjë mëlmesë?’.
Ata iu përgjigjën: ‘Jo!’. Dhe ai u tha: ‘Hidhni rrjetën në anën e djathtë të varkës dhe
do të gjeni’. Atëherë e hodhën rrjetën dhe nuk mundnin më ta tërhiqnin
nga moria e peshqve.”
GJONI 21:5-6

Çfarë i sjellim Jezusit? Vetëm nevojën tonë.

Skena e peshkimit pas ringjalljes te Gjoni 21 i bën jehonë një skene të mëparshme peshkimi për dishepujt në Detin e Galilesë, e cila është regjistruar te Luka 5. Në të dyja tregimet, pavarësisht nga përvoja e tyre si peshkatarë profesionistë, dishepujt u munduan dhe u rropatën, por nuk kapën asgjë. Në të dyja rastet, Jezusi u shfaq dhe ata zunë një sasi të madhe peshqish. Takimi i parë ishte për t’u mësuar atyre që të ishin peshkatarë njerëzish; i dyti ishte për t’u kujtuar që ta vazhdonin punën e tyre për t’i shtuar njerëz mbretërisë së Perëndisë. Të dyja mrekullitë ilustruan të vërtetën që dishepujt mund të kishin sukses vetëm nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Jezusi kishte po aq kontroll mbi Detin e Galilesë kur dishepujt nuk kapën asgjë, sa kishte edhe kur ata kapën gjithçka. Ai ishte po aq sovran mbi zbrazëtinë e tyre, sa ishte edhe mbi plotësinë e tyre. Krishti dëshiron që ne të shohim varfërinë tonë, në mënyrë që të mund të përkulemi të mahnitur para furnizimit të Tij. Atëherë kur ju dhe unë jemi shumë të vetëdijshëm për zbrazëtinë tonë, mund të besojmë se Perëndia e ka nën kontroll edhe atë. Ai na fton të kërkojmë që çdo boshllëk në jetën tonë
të mbushet me mirësinë dhe forcën e Tij.

Kur Jezusi i thirri dishepujt për t’i pyetur nëse kishin kapur ndonjë peshk, Ai i detyroi ata të përballeshin me gjendjen e tyre nevojtare dhe të përgjigjeshin me ndershmëri. Sot Krishti ka pyetje edhe për ne në zbrazëtinë tonë. Ai nuk kërkon justifikime, dialogë apo debate. Ai dëshiron që ta pranojmë me sinqeritet nevojën që kemi. Gjendja e dishepujve pasqyron tonën: pa ndihmën e Zotit, ne nuk mund të bëjmë dot as atë që kemi aftësinë për ta bërë. Pa hirin aftësues të Perëndisë, ne as nuk mund të flasim, as të dëgjojmë, as të këndojmë, as të shkruajmë, as të punojmë e as të luajmë. Siç kishte thënë Jezusi më parë tek Ungjilli sipas Gjonit: “…pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5).

Jezusi nuk i la dishepujt në varfërinë e tyre dhe as nuk siguroi për ta vetëm aq sa për të mbijetuar; Ai furnizoi me bollëk një sasi të madhe peshku. Një furnizim i tillë pasqyron se, duke u premtuar jetë të përjetshme të gjithë atyre që besojnë në Të, Jezusi vazhdon të japë jashtëzakonisht më shumë sesa mund të kërkojmë ose të imagjinojmë. Kur Krishti ndërhyn në jetën tonë me anë të Frymës së Tij, Ai nuk derdh vetëm një curril uji përmes tyre, sa për të na dhënë një shije; Ai premton se nga zemrat tona do të rrjedhin lumenj uji të gjallë (Gjoni 7:38). Jezusi të fton edhe ty në tryezën e Tij për ta shuar urinë tënde, po ashtu siç i ftoi dishepujt në breg, për të ngrënë mëngjes me Të (21:9-10). Dhe ndërsa Ai të fton të bashkohesh me Të, Ai, gjithashtu, vjen te ti gjatë rrugës, duke të ofruar fuqi të mjaftueshme për udhëtimin.

Jezusi tha: “Lum ata që kanë uri dhe që kanë etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen” (Mateu 5:6). Sot, silljani Atij nevojën tuaj. Tregohuni të sinqertë për mungesën tuaj. Dhe pastaj besojini Atij që t’ju japë shumë më tepër nga sa keni nevojë, në mënyrë që të ecni drejt shtëpisë suaj qiellore, duke u shërbyer qëllimeve të Tij të lavdishme ashtu siç po bëni tani.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17