spurgeon dev 31 dhjetor pm
December 2023

Korrja ka kaluar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar.

Jeremia 8:20

Nuk kemi shpëtuar! Lexues i dashur, a mos është kjo vallë gjendja jote e mjerueshme? Edhe pse je paralajmëruar për gjykimin që po vjen dhe të janë përgjëruar që të ikësh shpejt për të shpëtuar jetën tënde, ti ende nuk ke shpëtuar!

Ti e njeh rrugën e shpëtimit, ke lexuar për të në Bibël, e ke dëgjuar të predikohet nga foltorja, ta kanë shpjeguar miqtë e tu, por ti, megjithatë, nuk i ke kushtuar vëmendje, ja pse edhe sot nuk ke shpëtuar. Nuk do të kesh asnjë shfajësim kur Zoti do të japë gjykimin. Fryma e Shenjtë e ka bekuar Fjalën që është predikuar në praninë tënde, madje ke përjetuar kohë përtëritjeje falë pranisë hyjnore, por ti ende je pa Krishtin. Të gjitha këto stinë shprese kanë ardhur dhe kanë shkuar—e ke lënë pas verën dhe stinën tënde të të korrave, e megjithatë, ti ende nuk ke shpëtuar. Vitet kanë ndjekur njëri-tjetrin në përjetësi dhe viti yt i fundit do të trokasë shpejt: rinia jote ka shkuar, po shkon edhe burrëria, e megjithatë, ti ende nuk ke shpëtuar. 

Lejomë të ta bëj një pyetje—a do të shpëtohesh ndonjëherë? A ekziston qoftë edhe gjasa më e vogël që kjo të ndodhë? Stinët më të mbara nuk ta kanë sjellë tashmë shpëtimin. A do të ketë raste të tjera për ta ndryshuar gjendjen tënde? Të gjitha mjetet të kanë lënë në baltë—madje edhe mjetet më të mira, megjithëse janë përdorur me ngulm dhe me dashurinë më të madhe të mundshme. Ç’mund të bëhet më tepër për ty? Si vuajtjet ashtu edhe begatia kanë qenë njëlloj të paefektshme për ty; lotët, lutjet dhe predikimet kanë shkuar kot në zemrën tënde shterpë. A nuk janë vallë pothuajse zero shanset që të shpëtohesh? A nuk ka vallë më shumë gjasa që ti të mbetesh në të njëjtën gjendje derisa vdekja të t’i mbyllë përgjithmonë dyert e shpresës? Vallë, a nuk të bën ky mendim të dridhesh? Megjithatë, ky është mendimi më i arsyeshëm, sepse, sipas të gjitha gjasave, ai që nuk u la dhe pastrua duke kaluar nëpër kaq shumë rrjedha uji, do të mbetet i ndotur deri në fund. Koha e përshtatshme nuk ka ardhur kurrë—atëherë, përse duhet të vijë ndonjëherë? Është logjike të druhemi se nuk do të vijë kurrë dhe se, porsi Feliksit, nuk do të të ofrohet më një kohë tjetër e përshtatshme derisa të përfundosh në ferr. Mendo seriozisht për ferrin dhe për mundësinë e tmerrshme që shumë shpejt do të përfundosh atje! 

Lexues, le ta zëmë se do të vdesësh pa u shpëtuar—dije, pra, se nuk ka fjalë për ta përshkruar fatin tënd të zi. Shkruaje hallin tënd të frikshëm me lot dhe me gjak; fol për të me ngashërime dhe me kërcëllima dhëmbësh: do të ndëshkohesh me shkatërrim të përjetshëm dhe do të dëbohesh prej lavdisë së Zotit dhe prej lavdisë së pushtetit të Tij. Lejo që fjalët e mia të të shkundin për të menduar seriozisht. Bëhu i urtë, bëhu i urtë sa ka ende kohë, dhe përpara se të fillojë një vit tjetër, beso në Jezusin, i cili është i aftë të të shpëtojë plotësisht.

Kushtoja këto orë të fundit meditimit vetjak, dhe sa mirë do të jetë sikur brenda teje të lindë pendimi i thellë; dhe në qoftë se ai të çon në një besim të përulur në Jezusin, atëherë kjo do të ishte gjëja më e mirë e mundshme. Sigurohu që mbarimi i këtij viti mos të të gjejë ende të pafalur! Mos lejo që kambanat e mesnatës së Vitit të Ri të bien mbi frymën tënde që nuk e njeh gëzimin! Tani, tani, beso TANI, dhe do të jetosh!

IK SHPEJT PËR TË
SHPËTUAR JETËN TËNDE!
MOS SHIKO PRAPA
E MOS U NDAL
NË ASNJË VEND TË FUSHËS;
SHPËTO NË MAL
QË TË MOS VDESËSH!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin