“Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: ‘Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje përkuleshin para meje’… Dhe vëllezërit e tij e kishin zili…” ZANAFILLA 37:9, 11
Zilia është një ndjenjë e zakonshme për njerëzimin. Ajo është gjithashtu një përbindësh — një gjigant që mund ta hajë të gjallë cilindo.
Si e luftoni zilinë? Cilët janë njerëzit në sferën tuaj të ndikimit ose në fushëpamjen tuaj, të cilët po përjetojnë favore ose suksese dhe me të cilët, në njëfarë mënyre, dëshironi të ndërroni vendet? Duhet të tregohemi të kujdesshëm. George Lawson-i shkruan kështu: “Pasioni i urryer i zilisë, ndërkohë që kërkon shkatërrimin e objektit të zilisë, torturon dhe shkatërron personin që e ka atë.”16 Zilia ka prirjen për ta shkatërruar ziliqarin.
Vëllezërit e Jozefit nuk e dinin ende këtë, por ata po shkonin drejt ligësive të mashtrimit, të keqdashjes dhe të shitjes si skllav të vëllait të tyre — të cilat ishin format më të neveritshme të mizorisë. Hapi i parë në atë rrugë ishte xhelozia e tyre ndaj tij. Por ata nuk e dalluan këtë gjë, dhe kështu ecën drejt veprimeve që, me sa duket, as nuk i kishin çuar nëpër mend, atëherë kur Jozefi filloi të tregonte për herë të parë ëndrrat e tij të madhështisë.
Ne duhet të mësojmë që ta dallojmë zilinë tonë dhe të ballafaqohemi me të. Pra, si mund ta trajtojmë suksesin e të tjerëve pa iu nënshtruar hidhësisë dhe xhelozisë?
Së pari, ne pranojmë që Perëndia është sovran mbi punët e njeriut. Perëndia vendosi që Jozefi të kishte atë që kishte dhe të ishte ai që ishte — dhe Ai përcaktoi një pozitë më pak të rëndësishme për vëllezërit e Jozefit. Po të kishin qenë të gatshëm për ta marrë parasysh këtë, edhe pse mund të kishte qenë e vështirë, ata do t’ia kishin kursyer vetes dhimbjen e shkaktuar nga urrejtja e tyre ziliqare.
Së dyti, ne i drejtohemi Perëndisë në lutje. F. B. Meyer-i, një predikues i madh i shekullit të 19-të, tregoi njëherë se si një predikues tjetër erdhi për të shërbyer në të njëjtën zonë ku ai tashmë po shërbente dhe papritmas pati besimtarë që u larguan nga bashkësia e tij. Xhelozia nisi t’ia pushtonte shpirtin dhe e vetmja mënyrë për t’u liruar prej saj ishte të lutej për këtë bashkëpastor — të lutej që Perëndia ta bekonte shërbesën e tjetrit. Lutja e liron shtrëngimin me të cilin zilia i ka mbërthyer zemrat tona.
Perëndia është Ai që i ngre dhe i ul njerëzit. Nëse vëllezërit e Jozefit do ta kishin kuptuar këtë të vërtetë, nuk do të kishin pasur asnjë arsye për të qenë ziliqarë. Perëndia është gjithashtu Ai që na e jep çdo frymëmarrje si dhuratë prej Tij. Po ta kishin kuptuar këtë, do të kishin pasur më shumë dëshirë për të falënderuar sesa për t’u hidhëruar. Hetoje zemrën tënde sot, pranoje çdo xhelozi që ka zënë rrënjë, pendohu dhe gjunjëzohu me përulësi e mirënjohje përpara Perëndisë tënd sovran.
