“Dhe Jezusi ishte në kiç, duke fjetur me kokën mbi nënkresë; dhe ata e çuan, dhe i thanë: ‘Mësues, nuk merakosesh ti që po humbasim?’. Dhe si u zgjua, qortoi erën dhe i tha detit: ‘Hesht! Pusho!’…” MARKU 4:38-39
Vendoseni veten në vendin e dishepujve tek lundronin në atë det të stuhishëm, ndërkohë që Jezusi flinte në kiçin e barkës. Disa prej tyre ishin peshkatarë me përvojë dhe e kuptuan se po përballeshin me mundësinë reale për t’u mbytur — megjithatë, Mjeshtri i tyre dukej sikur i kishte braktisur, duke qenë se kishte rënë në gjumë të thellë.
Vetë fakti që Jezusi kishte nevojë që të flinte, zbulon se Ai kishte një trup të vërtetë njerëzor, që i përjetonte ndjenjat e lodhjes, të etjes dhe të urisë. Ai i përjetoi vetë dobësitë e trupit. Jezusi, madje, mezi gjeti një nënkresë ku të mbështeste kokën e të flinte, duke na treguar se e njihte mungesën e rehatisë. Ai që kishte krijuar gjithësinë, mund ta kishte kthyer drurin poshtë Tij në një lëndë më të rehatshme dhe të përshtatshme për të pushuar mirë, por, përkundrazi, Zoti i lavdisë e mbështeti kokën mbi një nënkresë, ashtu si ju dhe unë.
Nëse Jezusi nuk do t’i kishte njohur dobësitë dhe tundimet e njerëzimit, Ai nuk do të ishte një Kryeprift i madh dhe i mëshirshëm, për të na ofruar mëshirë dhe hir nga froni qiellor (Hebrenjve 4:14-16). Mirëpo Bibla e bën të qartë se Ai vuajti. Për shembull, Ai e njohu dhimbjen e shpërfilljes: “Erdhi te gjërat e veta dhe të vetët nuk e pranuan” (Gjoni 1:11). Madje, disa nga dishepujt e Tij besnikë — disa nga burrat në këtë barkë — në fund e mohuan ose e braktisën Atë. Ai e njohu edhe abuzimin nga shpifja që keqinterpretonte mrekullinë dhe bukurinë e karakterit të Tij (shih, për shembull, Luka 7:34). Ai u përlesh për dyzet ditë e dyzet net me gënjeshtrat dhe tundimet e të Ligut (Mateu 4:1-11). Ai u përball me agoninë dhe pështjellimin e plotë në kryq, ndërsa thirri: “O Perëndia im, o Perëndia im, përse më braktise?” (27:46). Nuk ka asnjë dhimbje ose fyerje që mund të përjetojmë, e cila të mos e ketë lënduar zemrën e Krishtit — dhe për shkak se i njeh vetë përleshje të tilla, Ai na fton të shkojmë tek Ai ndërsa i përjetojmë ato vetë.
Këtu, në këtë incident të vogël, të vendosur në fillim të Ungjillit sipas Markut, është kujtesa jetëndryshuese që Jezusi është Krishti i gjallë, një Shpëtimtar i dhembshur dhe një mik i palëkundur. Nuk ka asnjeri më të përshtatshëm për t’u përballur me ndonjë nga telashet që mund të hasim ju ose unë sesa Mjeshtri, të cilin dishepujt e gjetën duke fjetur i qetë mbi një nënkresë. Edhe ju, sikurse ata, mund t’i thërrisni Atij dhe të zbuloni se Ai që kishte nevojë që të flinte në atë barkë, është po Ai që mund të qortojë një stuhi — Ai që mbretëron në lartësi, i cili nuk do të dremitë kurrë, as nuk do të flejë kurrë, dhe që nuk do të lejojë që të të merren këmbët (Psalmi 121:3-4).
Çfarë ke në mendje sot që të shtyn të kesh frikë? Ji i sigurt që Zoti Jezus e kupton se si është kjo jetë. Sille frikën tënde para Tij tani, “duke e hedhur gjithë shqetësimin [tënd] mbi të, sepse ai merakoset për [ty]” (I e Pjetrit 5:7).
